Putin vë nën administrim të përkohshëm operacionet ruse të gjigantit gjerman Metro
Dekreti presidencial ia kalon 97 dyqanet e Metro-s në Rusi agjencisë shtetërore Rosimushchestvo; kompania thotë se po shqyrton masat për të mbrojtur të drejtat e saj
Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin me të cilin asetet ruse të gjigantit gjerman të tregtisë me shumicë Metro AG kalojnë nën “administrim të përkohshëm”, raporton The Moscow Times.
Sipas dekretit, menaxhimi i përkohshëm i operacioneve i besohet agjencisë federale për administrimin e pronës shtetërore, Rosimushchestvo, shkruan Reuters. Metro AG operon 97 dyqane në 65 qytete të Rusisë dhe renditet si shitësi i katërt më i madh me pakicë në vend; në vitin 2022 kompania raportoi të ardhura prej 224 miliardë rublash nga tregu rus.
Bëhet fjalë për rastin e radhës të marrjes nën kontroll të aseteve perëndimore nga Kremlini: më herët të njëjtin fat patën kompanitë Ariston, BSH Hausgeräte, Linde, Air Liquide, Silgan dhe Rockwool, prodhuesi amerikan i konservave Glavprodukt dhe aeroporti Domodedovo i Moskës, ndërsa së fundmi nën administrim të përkohshëm kaluan edhe operacionet ruse të Auchan dhe Nestlé, njofton TVP World.
Ndryshe nga shumica e konkurrentëve perëndimorë, Metro AG kishte vendosur të qëndronte në tregun rus edhe pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, duke e arsyetuar vendimin me përgjegjësinë ndaj rreth 10.000 punonjësve të saj atje — një qëndrim që e futi kompaninë në listën ukrainase të “sponsorëve ndërkombëtarë të luftës”.
Në reagimin e saj, Metro bëri të ditur se po shqyrton dekretin dhe po diskuton hapat e mëtejshëm me kolegët rusë, si dhe se po merr masa për të mbrojtur të drejtat, punonjësit, klientët dhe partnerët e biznesit, sipas televizionit publik slloven.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.