“Qëndrime të matura”- AAK reagon për protestat në Shqipëri: Mos lejoni përkeqësimin e situatës!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar për situatën e krijuar nga protestat në Shqipëri, duke shprehur solidaritet me qytetarët shqiptarë dhe duke bërë thirrje për qëndrueshmëri dhe maturi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, AAK ka shpërndarë një mesazh të kryetarit të saj, Ramush Haradinaj, të publikuar në RTV Dukagjini, ku theksohet nevoja që Kosova të mbështesë Shqipërinë, ndërsa situata të mos përshkallëzohet më tej.
“Me sy e zemër jemi me Shqipërinë, sot e gjithmonë!”, thuhet në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në mesazhin e publikuar krahas fotografisë së Haradinajt, bëhet thirrje për ndihmë ndaj Shqipërisë përmes qëndrimit të matur, si dhe për shmangien e një përkeqësimi të mëtejshëm të situatës.
“Një lutje për të gjithë ne në Kosovë, ta ndihmojmë Shqipërinë me qëndrime të matura. Dhe një lutje për të gjithë ata në Shqipëri, të mos lejojnë situatën të përkeqësohet edhe më shumë”, thuhet në mesazh.
Reagimi vjen në një kohë kur protestat në Shqipëri kanë vijuar prej disa ditësh, mes tensioneve dhe përplasjeve me Policinë e Shtetit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.