Qëndrimi në këmbë në shkollë i bën nxënësit më të zgjuar
Një studim i fundit ka dalë në përfundimin se klasat duhet të kenë tavolina të larta, pasi kështu nxënësve u shtohet vëmendja dhe dalin më mirë në mësime
Është një skenë e ngjashme në shumë klasa në botë. Banka të rreshtuara nxënësish që ulen përballë tavolinës së mësuesit/es dhe e dëgjojnë atë. Por një kërkim i ri thotë se mund të jetë çasti të braktisim këtë qasje tradicionale ndaj mësimdhënies dhe t’i lëmë nxënësit të rrinë në këmbë gjatë orës së mësimit. Kjo sipas kërkuesve nxit pozitivisht aktivitetin e trurit të nxënësve.
Shkencëtarët kanë zbuluar se përdorimi i tavolinave të larta ku nxënësit mund të qëndrojnë në këmbë, mund të përmirësojë funksionin konjitiv te fëmijët nga 7 deri në 14%.
Kjo mund të bëjë që të vegjlit të jenë më të vëmendshëm dhe të përqendrohen më shumë në atë që po bëjnë.
Doktoreshë Ranjana Mehta, që studion shëndetin mjedisor në Universitetin A&M të Teksasit, argumenton se në shkolla duhen futur tavolinat e larta.
Duke shkruar për “The Conversation”, ajo tha se kjo mund të kishte si aspekt pozitiv edhe luftimin e obezitetit te fëmijët njëkohësisht.
Studim pas studimi është lidhur mungesa e aktivitetit me rezultate të këqija shëndetësore, përfshirë sëmundjen e zemrës, diabetin dhe hipertensionin. Por kjo vëmendje është zhvendosur më tepër te të rriturit nëpër zyra dhe pasojat negative te ta. Kjo ka çuar në rritjen e popullaritet të tavolinave të larta në zyra.
Lëvizja u bën mirë trupave tanë. Gjatë viteve të fundit, shumë kërkues kanë vlerësuar se përdorimi i tavolinave të larta është më i mirë sesa tavolinat tradicionale ku nxënësit ulen.
Rezultatet kanë qenë premtuese, por deri më tani, kërkuesit janë përqendruar zakonisht në përkufizimin e tavolinave të larta si një mënyrë për të luftuar jetën sedentare.
Ndërsa studimet tregojnë se tavolinat e larta ndihmojnë në djegien e kalorive, provat nga mësuesit thonë se nxënësit janë më të përqendruar dhe sillen më mirë se kur janë ulur.
Skuadra e shkencëtarëve nga Universiteti i Teksasit iu vu punës që të hetojë pasojat që sjellin këto tavolina të larta te nxënësit. Rezulton se kur fëmijët lëvizin nëpër klasa, ata janë më të vëmendshëm dhe më të përqendruar.
Dr. Mark Benden, së pari e pa lëvizjen nëpër klasë si një mënyrë për t’u përballur me numrin në rritje të fëmijëve obezë. Në tre dekadat e fundit, obeziteti te fëmijët është katërfishuar veçanërisht te adoleshentët e moshës 12 deri në 19 vjeç.
Benden zbuloi se nxënësit e klasave me tavolina të larta digjnin 15 deri në 25% më shumë kalori sesa ata që rrinin në tavolinat e zakonshme.
Ndërsa djegia e kalorive është e rëndësishme, pyetja është nëse këto tavolina ndihmojnë të mësuarit. Në një studim me 300 fëmijë të klasave të katërta, hulumtuesit zbuluan se fëmijët e klasave me tavolina të larta dilnin 12% më mirë në detyrat e ngarkuara sesa fëmijët e tjerë.
Angazhimi u mat në vjeshtë dhe pranverë duke parë sjelljet si përgjigjja e pyetjeve, ngritja e dorës ose marrja pjesë në diskutime. Megjithatë, nuk është e sigurt nëse tavolinat e larta rrisin angazhimin në klasë. Kjo ngaqë ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në këtë aspekt.
Por kërkuesit arritën të matin përfitimet e tavolinave të larta për nga detyrat konjitive si koha e reagimit, përgjigjja, vëmendja, kujtesa dhe fleksibiliteti konjitiv.
Së bashku, këto aftësi përbëjnë funksionin ekzekutiv. Zbulimi i mënyrës së funksionimit është një mënyrë për të matur sjelljen e drejtuar për nga një synim, që është zhvillimi konjitiv integral.
Studiuesit analizuan edhe 34 gjimnazistë të rinj në dy pika të vitit shkollor në tavolinat e larta. Tavolinat u instaluan në klasë gjatë vjeshtës që të mund të krahasoheshin të njëjtët fëmijë përpara se t’i merrnin këto tavolina dhe më pas.
Kërkuesit donin të shihnin si i prek kjo funksionet ekzekutive. Këto funksione janë analizimi i detyrave, ndarja e tyre në pjesë dhe mbajtja mend derisa të përmbushen.
Këto aftësi lidhen direkt me zhvillimin e shumë aftësive akademike që i lejojnë studentët të menaxhojnë kohën efektivisht, të mbajnë mend faktet, të kuptojnë çfarë lexojnë, të zgjidhin probleme me shumë hapa dhe të organizojnë mendimet në shkrim.
Kjo ishte e para herë që studiohej objektivisht përgjigjja konjitive e nxënësve dhe aftësitë e tyre të kujtesës, ndërsa përdornin tavolina të larta.
Rezultatet tona të testit tregojnë se përdorimi i vazhdueshëm i tavolinave të larta rrit performancën dhe aftësitë e kujtesës. Studimi tregoi gjithashtu se tavolinat e larta përmirësonin funksionin neurokonjitiv nga 7 deri në 14%.
Kërkime të mëtejshme nga ana e studiuesve, do t’i nxisin politikëbërësit, profesionistët e shëndetit publik dhe administratorët e shkollave të marrin në konsideratë ndryshimin e traditës për të rritur aktivitetin fizik dhe për të çuar më tej zhvillimin konjitiv.