Ekonomia

Qeveria anulon koncesionin për “Rapiscan”, u dha nga Bode për skanimin në dogana

Pas gjashtë muajsh negociata nuk arrihet asnjë marrëveshje

Nga Bledi Gilaj

Pajisje skanimi për kontejnerëtNjë tjetër koncesion i miratuar nga qeveria “Berisha” është anuluar, por, ashtu si me kontratën me CEZ, Shqipëria po rrezikon një tjetër gjobë kolosale në arbitrazh. Bëhet fjalë për koncesionin e dhënë për kompaninë “Rapiscan” për skanimin e mallrave në doganë, e cila do të niste punë që në prill të këtij viti, por që fillimisht kontrata u pezullua për arsye rishikimi, megjithëse nuk është arritur asnjë akord deri më sot mes qeverisë aktuale dhe përfaqësuesve amerikanë të kësaj firme.

Siç dihet, marrëveshja koncesionare me këtë kompani është nënshkruar nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe ishte parashikuar të zgjaste 15 vjet. Por, që në atë kohë, për opozitën, e cila sot është mazhoranca në pushtet, ishte e dyshimtë procedura e konkurrimit dhe e miratimit të ligjit për veprimtarinë e kësaj kompanie, kështu që ishte paralajmëruar se ajo kontratë do të anulohej, sapo të fitoheshin zgjedhjet. Sipas dyshimeve, një vendim i Këshillit të Ministrave, në kohën e Berishës, që mban datën 2 nëntor 2011, i ka dhënë një “bonus” prej 8 pikësh kompanisë amerikane “Rapiscan” dhe e kishte ngarkuar të shërbente në Shqipëri për skanimin e kontejnerëve dhe të automjeteve të tjera në këtë vend. Nga raportimet e medias në atë kohë, procedura e përzgjedhjes ka qenë ajo “klasike”: propozim i pakërkuar, sipas nenit 5, pika 3 dhe nenit 23, pika 3, shkronja b) e ligjit “Për koncesionet”. Pas VKM-së, mazhoranca e asaj kohe miratoi edhe ligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë “Rapiscan”, si koncesionar për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Ligji është miratuar më 24 prill 2013 dhe është dekretuar nga Presidenti Bujar Nishani më 2 maj 2013. Kjo është mënyra se si kompania “Rapiscan” ndodhet në Shqipëri për të skanuar mallrat në doganat e vendit.

Por, në qershor, u ndryshuan pushtetet dhe qeveria e re nisi punën për anulimin e kësaj kontrate, megjithëse duket se është një luftë e humbur, ende pa filluar mirë. Në muajin prill të këtij viti mësohet se kompania “Rapiscan” do të niste aktivitetin e saj, por pak ditë para se ajo të fillonte punën, drejtoresha e doganave, Elisa Spiropali, deklaroi se është vendosur pezullimi i kryerjes së veprimtarisë së saj në doganat shqiptare. Kjo deklaratë nuk bëri shumë bujë në media (Spiropali e tha gjatë konferencës së prezantimit të Kodit të ri Doganor, që u zhvillua në qytetin e Durrësit), pasi drejtoresha e përgjithshme e doganave tha se do të rinegociohet kontrata e lidhur me qeverinë shqiptare. Për gjashtë muaj mësohet se qeveria shqiptare ka pasur negociata të shumta, si me këtë kompani, ashtu edhe me nënkontraktorët e saj, ndërkohë që aktiviteti i skanimit në dogana, nuk ka filluar ende. Por, negociatat nuk kanë ecur siç duhet dhe është vendosur anulimi i saj.

Madje, edhe Autoriteti i Konkurrencës i kishte kërkuar Ministrisë së Financave rishikimin e kontratës së skanimit. Për zbatimin e saj ka pasur kundërshti të shumta edhe nga importuesit në Shqipëri, pasi çdo biznes, që të kalonte mallin në doganë, sipas kontratës së qeverisë “Berisha”, duhej të paguante një tarifë 39 euro për çdo deklaratë doganore që plotësonte dhe më pas skaneri verifikonte nëse kishte mall kontrabandë ose jo. Pikërisht për këtë, Autoriteti i Konkurrencës ka deklaruar se është shërbim që duhet ta ofrojë shteti. Biznesi fason ka qenë ai i cili e ka kundërshtuar më shumë këtë kontratë, duke shpjeguar se preket më tepër. Fasonët mesatarisht plotësojnë 10 deri në 15 deklarata doganore në muaj, çka i bie që çdo biznes të paguajë 400 deri në 600 euro në muaj vetëm për skanimin. Nga ky koncesion, kompania private llogaritet të përfitonte afro 20 milionë euro në vit.

Konflikti

CEZ i kushtoi qeverisë shqiptare 95 milionë euro

Monopoli për skanimin në dogana është mosmarrëveshja e dytë që pritet të zgjidhet nga qeveria shqiptare me kompanitë e huaja, pas asaj të CEZ, e cila na kushtoi 95 milionë euro. Më 24 qershor të këtij viti, qeveria arriti një marrëveshje me CEZ për zgjidhjen e konfliktit të krijuar që prej janarit 2013, kur Enti Rregullator i Energjisë mori vendimin për heqjen e licencës së shoqërisë çeke në sektorin e shpërndarjes. Negociatat mes palëve u zhvilluan gjatë periudhës dhjetor 2013–qershor 2014, me ndërmjetësimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë. Grupi është ndihmuar në këtë proces nga zyra ligjore ndërkombëtare e kontraktuar për arbitrazhin, si dhe është këshilluar në vijimësi me ekspertët e Bankës Botërore. Në bazë të kësaj marrëveshjeje u bë transferimi i menjëhershëm në favor të shtetit shqiptar të 76% të aksioneve të shoqërisë, të cilat zotëroheshin nga CEZ a.s., duke i dhënë shtetit shqiptar pronësinë e plotë të shoqërisë. Pala çeke hoqi dorë nga kërkimi i vlerës 103 milionë euro, të paguar për blerjen e aksioneve në vitin 2009, si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar që lidhet me vlerën e blerjes së aksioneve dhe investimet, ndërsa shoqëria e re e shpërndarjes së energjisë, që kontrollohet tashmë nga shteti, mori përsipër t’i paguajë palës çeke një vlerë prej 87.1 milionë eurosh. Kjo vlerë u ra dakord të paguhet me këste, duke filluar nga shtatori i vitit 2014 deri në fund të vitit 2018, me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milionë euro mbi principalin e rënë dakord.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button