Qeveria e Mehdi Frashërit, kabineti që premtoi reforma liberale në vend
91 vjet më parë u krijua qeveria e kryesuar prej Mehdi Frashërit.
Emërimi i Mehdi Frashërit në postin e kryeministrit të Shqipërisë prej Mbretit Zog u mirëprit në shtypin e kohës, pasi ekzekutivi i ri premtonte përmbushjen e një programi reformash liberale. Kabineti i tij përbëhej nga personalitete me një edukim elitar në universitetet e Perëndimit.
Krahas detyrës së kryeministrit, Mehdi Frashëri mbante edhe rolin e ministrit të Drejtësisë. Në përbërje të kabinetit ishin: Fuat Asllani, ministri i Punëve të Jashtme, Et’hem Toto, ministri i Punëve të Brendshme, Rrok Gera, ministri i Financave, Nush Bushati, ministri i Arsimit, Ndoc Naraçi, ministri i Punëve Botore dhe Dhimitër Berati, ministri i Ekonomisë Kombëtare. Ky formacion politik që do të qeveriste deri më 7 nëntor 1936, shpalosi një program ambicioz, i cili synonte kryerjen e një sërë reformash në ekonomi, në arsim, në politikën e jashtme dhe në shtypin e lirë.
Programi përmbante 16 projektligje për modernizimin ekonomiko-financiar të vendit. Reformat synonin stabilizimin e çmimeve të tregut të brendshëm, të luftonin spekulatorët dhe të krijonin një kapital industrial në një klimë shoqërore e politike liberale.
Në mars të vitit 1936, u nënshkrua në Romë një marrëveshje bashkëpunimi mes Frashërit dhe Musolinit. Krisjet në rrafshin e pushtetit çuan në rrëzimin e qeverisë nga Parlamenti në vjeshtën e 1936-s. Ky akt parlamentar shënoi edhe një precedent demokratik.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.