Qeveria shqiptare prezanton strategjinë e re për Diasporën 2026-2030, kostot financiare dhe synimet strategjike
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hartuar projektvendimin për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën 2026–2030 dhe Planit të saj të Veprimit 2026–2028. Dokumenti i ri strategjik, i cili pason atë të periudhës 2021–2025, synon thellimin e politikave shtetërore dhe rritjen e përfshirjes së komuniteteve shqiptare jashtë vendit në proceset zhvillimore dhe integruese të Shqipërisë.
Vizioni dhe partneriteti shtet-diasporë
Sipas relacionit zyrtar, strategjia e re synon të kapërcejë qasjen tradicionale duke e konsideruar diasporën si një partnere të brendshme strategjike. Dokumenti përcakton qartë vizionin afatgjatë të qeverisë.
“Deri në vitin 2030, diaspora shqiptare të jetë një partner strategjik i institucionalizuar, aktiv dhe bashkëkrijues i shtetit shqiptar, me një rol të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe demokratik të vendit.”, thuhet në relacion.
Për të realizuar këtë vizion, qeveria ka identifikuar katër shtylla kryesore të politikës shtetërore: modernizimi institucional, konsolidimi i kuadrit ligjor për një qasje të unifikuar në adresimin e potencialit të diasporës; pjesëmarrja politike dhe sociale, krijimi i kushteve për përfshirjen e diasporës në jetën institucionale të vendit dhe aktivizimi i saj në mbështetje të integrimit evropian; thithja e potencialit financiar, njerëzor dhe intelektual për ta shndërruar atë në një shtyllë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik; forcimi i lidhjeve kulturore dhe gjuhësore për të garantuar transmetimin ndërbrezor të vlerave shqiptare.
Fatura financiare dhe menaxhimi i fondeve
Në aspektin e kostove, Plani i Veprimit për tre vitet e para (2026-2028) parashikon një faturë totale prej rreth 1.85 miliardë lekësh (afërsisht 19.3 milionë euro).
Nga kjo shumë, buxheti i shtetit dhe Programi Buxhetor Afatmesëm do të mbulojnë rreth 1.38 miliardë lekë. Sipas përllogaritjeve të dokumentit, ekziston një hendek financiar prej rreth 469 milionë lekësh (ose 25.1% e kostove treguese), i cili mbetet i pambuluar për këtë periudhë.
Në ndarjen e buxhetit sipas qëllimeve, peshën më të madhe e zë komponenti për ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar, me 41.7% të fondeve totale, pasuar nga përfshirja në jetën politike e sociale (22%), modernizimi i kuadrit ligjor (21.1%) dhe mobilizimi ekonomik (14.3%).
Zbatimi i strategjisë do të drejtohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën një mekanizëm të ri të strukturuar qeverisjeje që përfshin Komitetin Teknik dhe Grupin Politik për Diasporën. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Diasporës do të funksionojë si Sekretariat Teknik për të grumbulluar raportet e progresit dhe për të monitoruar performancën përmes treguesve të matshëm. Plani parashikon një rishikim të thellë të rezultateve në fund të vitit 2028.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.