“Qiell” i Mieko Kawakami-t nxit diskutimin e të rinjve mbi bullizmin
Takimi i dytë i Klubit Kombëtar Rinor të Leximit, pati në qendër romanin “Qiell” i shkrimtares japoneze Mieko Kawakami, përkthyer në shqip nga Andreas Dushi.
Diskutimi i të rinjve u përqendrua në disa prej pyetjeve që i shqetësojnë ata në jetën e përditshme: Pse bullizon dikush? Pse bullizohet dikush? A njohin nxënësit përvoja të tilla në realitetin ku jetojnë?
Letërsia shërbeu si pikënisje për të diskutuar një fenomen të pranishëm në realitetin e shumë të rinjve, bullizmin, duke e parë atë përmes përvojave të personazheve të librit, por edhe përmes realitetit të përditshëm të nxënësve.
Nxënësit vunë re ngjashmëri mes situatave të përshkruara në roman dhe realitetit ku jetojnë, ndërsa diskutimi u pasurua edhe nga interpretimet e tyre mbi sjelljet dhe zgjedhjet e personazheve.
Një rol të veçantë në takim pati prania e psikologut Skerdi Zahaj, i cili iu bashkua diskutimit mbi bullizmin, duke ofruar një këndvështrim psikologjik mbi fenomenin. Dialogu me psikologun u vlerësua nga të rinjtë si një mundësi për ta parë temën përtej përvojës letrare.
Klubi Kombëtar Rinor i Leximit synon të nxisë leximin dhe diskutimin mes të rinjve, duke e kthyer librin në një hapësirë reflektimi mbi çështje që lidhen drejtpërdrejt me jetën e tyre. Në takimin e radhës, të rinjtë do të diskutojnë librin “Ne, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.