“Qytetarët do të informohen”- Ministrja Ibrahimaj: Prokurimet publike do të gjurmohen nga fondi, deri te fiskalizimi!
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një model të ri për prokurimet publike, me synim rritjen e transparencës, kontrollit dhe gjurmueshmërisë së fondeve.
Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se brenda vjeshtës pritet të nisin procedurat për përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimet publike. Sipas saj, procesi do të shoqërohet edhe me ndryshime në mënyrën e zhvillimit të prokurimeve, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë informacion dhe akses.
“Duke qenë se presim që shumë shpejt, brenda vjeshtës së këtij viti, të nisim procedurat e inteligjencës artificiale në prokurimet publike, donim të rishikonim mënyrën si ato bëhen, që të jenë më të prekshme për qytetarin. Në procesin e Pasqyrë Albania, të kemi një informacion të detajuar mbi prokurimet publike, ku qytetarët të kenë akses mbi cilat janë prokurimet që kryhen dhe mbi zbatimin e kontratave të prokurimeve”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja tha se sot është prezantuar edhe një model i ri, në të cilin Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të ketë një rol më të madh në proceset e prokurimit publik.
“Sot është prezantuar një model në të cilin Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të marrë më shumë peshë në kryerjen e proceseve të prokurimeve publike, por do të sinkronizohen të gjitha sistemet e Ministrisë së Financave, të Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, zbatimit të kontratave dhe pikën finale të sistemeve të fiskalizimit”, u shpreh ministrja.
Sipas Ibrahimajt, integrimi i këtyre sistemeve do të bëjë të mundur ndjekjen e fondeve publike gjatë gjithë procesit, nga prokurimi deri te zbatimi i kontratës dhe fiskalizimi.
“Në çdo moment fondet publike të jenë të gjurmueshme, të kontrollueshme dhe transparente për të gjithë ata që do të jenë të interesuar”, theksoi Ibrahimaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.