Raiffeisen Research pret që ekonomia shqiptare të rritet me 3.6% por shtohen rreziqet nga inflacioni
Raiffeisen Research ka konfirmuar parashikimin për një rritje me 3.6% të ekonomisë shqiptare për vitin 2026.
Në analizën e fundit për Shqipërinë, njësia e kërkimeve e bankës austriake megjithatë thekson se rreziqet mbi projeksionet e rritjes ngelen të konsiderueshme, veçanërisht nëse konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon të ndikojë tregjet globale dhe presionet inflacioniste do ta ndikojnë më tej fuqinë blerëse të familjeve.
Këta faktorë mund të ndikojnë në konsum dhe investime, duke ngadalësuar potencialisht ritmin e rritjes në afat të shkurtër.
Megjithatë, Raiffeisen Research vlerëson se rritja ekonomike mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe e pozicionon Shqipërinë midis ekonomive me rritjen më të shpejtë të Europës, e nxitur kryesisht nga kërkesa e fortë e brendshme, e mundësuar nga shpenzimet e fuqishme të familjeve dhe një sektor dinamik shërbimesh i mbështetur nga transformimi i vazhdueshëm strukturor.
Sektorët e administratës publike dhe të shëndetësisë, të mbështetur nga rritja e ndihmave për pensione, vazhdojnë të jenë motorë të rëndësishëm rritjeje, një tendencë që pritet të vazhdojë deri në vitin 2030.
Por, Raiffeisen Research evidenton se ekonomia shfaq një ecuri me dy ritme, ku sektorët tradicionalë prodhues, si bujqësia, shërbimet profesionale dhe industria, mbeten prapa sektorëve më dinamikë të orientuar nga shërbimet. Rritja e investimeve mbetet modeste, duke pasqyruar një qëndrim të kujdesshëm të bizneseve, ndërsa kontributi i eksporteve neto është minimal për shkak të rritjes së importeve përkundrejt rritjes së eksporteve të shërbimeve.
Në analizat e saj, Raiffeisen Research vlerëson se ruajtja e rritjes së qëndrueshme do të kërkojë zgjerimin e bazës ekonomike, rritjen e produktivitetit dhe avancimin e reformave strukturore për të siguruar konkurrueshmërinë dhe përfshirjen.
Sektori i pasurive të paluajtshme mbetet një shtyllë kyçe e rritjes, veçanërisht në Tiranë, ku çmimet e shtëpive në Euro janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2018. Megjithatë, kur maten në Lekë, rritjet e çmimeve duken më të moderuara për shkak të vlerësimit të monedhës dhe Euroizimit të fortë të tregut.
Ndërsa rritja e të ardhurave të disponueshme në përgjithësi ka mbajtur ritmin me çmimet e banesave, tremujorët e fundit tregojnë një rrezik mbivlerësimi prej 7%, duke sinjalizuar nevojën për kujdes. Edhe pse tregu nuk duket të jetë i mbinxehur, dominimi në rritje i investimeve në pasuri të paluajtshme ngre shqetësime në lidhje me përqendrimin e kapitalit dhe zhvendosjen e mundshme të sektorëve me produktivitet më të lartë.
Sipas Raiffeisen Research, balancimi i rritjes së pasurive të paluajtshme me diversifikimin më të gjerë ekonomik do të jetë kritik në të ardhmen./ E.Shehu



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.