Politika

Rama: Ish-Presidenti Moisiu kundër importit të plehrave, por pro ligjit të mbetjeve

Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar sërish se ligji i mbetjeve përjashton kategorikisht importin e mbetjeve. Pikërisht për këtë fakt, sipas tij, edhe ish-presidenti Alfred Moisiu është shprehur pro ligjit të miratuar në seancën e kaluar plenare.

Rama thekson se, ish-presidenti Moisiu ka qenë dhe mbetet i vendosur kundër importit të plehrave; e ka kundërshtuar ligjin që lejonte importin e plehrave në 2004 dhe 2012, njëherë si president i Republikës dhe më pas si mbështetës i shoqërisë civile; si dhe ka firmosur kërkesën e atëhershme për referendum për anullimin e ligjit.

Por, duke iu referuar një interviste që Moisiu ka dhënë për “Top Channel”, Rama thotë se tashmë ish-presidenti është pro ligjit të mbetjeve, për faktin se “ligji përjashton kategorikisht importin e plehrave dhe i shërben një Shqipërie më të pastër”.

“Presidenti Moisiu, një personalitet i gjithërespektuar, që ka qenë dhe mbetet i vendosur kundër importit të plehrave; e ka kundërshtuar ligjin që lejonte importin e plehrave në 2004 dhe 2012, njëherë si president i Republikës dhe më pas si mbështetës i shoqërisë civile; ka firmosur kërkesën e atëhershme për referendum për anullimin e ligjit dhe SOT MBËSHTET LIGJIN E RI, PIKËRISHT SEPSE LIGJI PËRJASHTON KATEGORIKISHT IMPORTIN E PLEHRAVE DHE I SHËRBEN NJË SHQIPËRIE MË TË PASTËR! #JoImportitTëPlehrave #PoIndustrisëSëRiciklimit”, shkruan kryeministri Rama në “FB”, duke publikuar dhe videon.

Në intervistën për “TCh”, ish-presidenti Moisiu u shpreh se: “Unë sigurisht kam qenë dhe jam kundër importit të plehrave, por jo kundër disa mbetjeve të specifikuara dhe me kushte të sigurisë”.

Ish-presidenti Moisiu ka qenë një nga kundërshtarët më të fortë të ligjit të mbetjeve që nga koha kur ishte në detyrën më të lartë të shtetit.

Ai përmend se: “Historia e kësaj ka filluar që në 2004-ën, kur unë isha kryetar shteti dhe u kam thënë përfaqësuesve të shoqërisë civile që kur të shtriheni ju te kamioni, do shtrihem dhe unë, por atëherë ishte problemi për të importuar mbetje, për t’i djegur në Shqipëri, ishte krejt tjetër problemi. Edhe në 2012-ën isha pro referendumit dhe firmosa i pari, sepse ligji ishte total, ishte global, ndërsa tani kemi të bëjmë me një ligj që specifikon qartë se çfarë mbetjesh do të importohen, të cilat janë klasifikuar si lëndë e parë, e dorës së dytë”.

Moisiu deklaron se qëndrimi i tij për ligjin nuk ka ndryshuar tani që drafti u riaktivizua, por disa muaj më parë.

“Kur kam vizituar një nga fabrikat e riciklimit dhe u kam sugjeruar atyre drejtuesve që ‘duhet ju vetë, kështu siç ma shpjeguat mua, t’ua shpjegoni edhe njerëzve, sepse për mua ju keni të drejtë dhe unë do t’ju mbështes”, deklaron ai. Por, ka edhe një arsye tjetër se pse ish-presidenti ka ndryshuar qëndrim.

“Institucionet e shtetit nuk janë më ato që kanë qenë, aparaturat po ashtu, aq më tepër që ligji përcakton tri pika për hyrjen e tyre dhe në këtë mënyrë ka siguri. Po të vazhdojmë kështu, izolohemi siç u izoluam në kohën e Partisë së Punës dhe skafeve, por kështu nuk mund të ecet përpara. Shqipëria do të zhvillohet”, deklaron ish-kreu i shtetit.

Në fund, ish-presidenti ka edhe një mesazh për qytetarët dhe shoqërinë civile.

“Unë mendoj që duhet të kemi më shumë besim tek institucionet dhe kur ato s’janë në rregull, ne duhet t’u kërkojmë të jenë në rregull, sepse ndryshe s’do të bëhemi shtet kurrë”, deklaroi ish-presidenti Alfred Moisiu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button