Rama: Nëse ikin këta investitorë, të tjerët nuk do të vijnë për vite me radhë
Kryeministri Edi Rama mbrojti projektin e investimit strategjik në zonën e Zvërnecit, duke paralajmëruar se largimi i investitorit do të sillte pasoja negative për klimën e biznesit dhe do të dëmtonte besueshmërinë e Shqipërisë përballë investitorëve të huaj.
Duke folur para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama theksoi se qeveria ka detyrimin të krijojë kushtet e nevojshme për tërheqjen dhe mbështetjen e investimeve strategjike, duke argumentuar se dështimi i një projekti të tillë do të ndikonte edhe në vendimmarrjen e investitorëve të tjerë potencialë.
Sipas tij, nëse investitorët që kanë marrë përsipër zhvillimin e projektit në Zvërnec do të tërhiqeshin, mesazhi që do të përçohej ndërkombëtarisht do të ishte negativ për Shqipërinë.
“Nëse këta investitorë largohen, problemi nuk është vetëm se nuk bëhet Zvërneci. Problemi është se nuk do të vijnë më të tjerë për kushedi sa kohë, sepse do të thonë: ‘Kur nuk ia dolën këta, nuk ka njeri që merret vesh me ata atje’”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se vendi duhet të zgjedhë rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm përmes investitorëve që, sipas tij, përfaqësojnë standarde të larta ndërkombëtare. Ai theksoi se pyetja kryesore që duhet të shtrohet përballë projekteve të tilla është se çfarë niveli zhvillimi synon Shqipëria në të ardhmen.
“I duroj të gjitha ato që më thonë perversët, që për fat të keq kanë rënë të jenë kundërshtarët e mi. I duroj jo sepse i pranoj, por sepse kam duruar dhunë mbi kockat e tim eti, mbi fytyrën e gruas sime dhe mbi fëmijët e mi. I duroj sepse mendoj se jam këtu për ju dhe me ju. Nëse edhe ju mendoni si ata, ma thoni dhe vazhdoni me këdo tjetër që dëshironi. Unë këtu nuk rri për të vegjetuar. Ose do ta bëjmë Shqipërinë sipas atij vizioni për të cilin më keni mbështetur, ose më thoni që doni të shkoni me Sazo Gruin dhe Arlindo Dritëgjatin. Jam në rregull edhe me këtë. Nëse ne harrojmë rolin kryesor që kemi në këtë proces, që është të krijojmë klimën e duhur për pritjen e investitorëve, atëherë bëjmë gabim. Ose do të zgjedhim zhvillimin e qëndrueshëm me investitorë të ekselencës. Nuk e kam mbaruar ende listën e markave që kanë bërë marrëveshje. Unë nuk jam i interesuar të jem me forcë kundër jush. Me forcë kundër atyre që na kanë dalë përballë, kundër Shqipërisë, po, deri në fund. Por nëse ju shoh të shkoni pas Berihanit apo pas Fatos Lubonjës, që jeton me makthin e mafies që kur u nda nga unë, këtë nuk e pranoj. Kam respekt për të si person dhe për vuajtjet e tij të mëparshme, por mafien që ai më tregon mua, ma tregon njësoj siç i tregonin dikur atij armikun e popullit. Mua nuk ka nevojë të më mundni. Ju jo. Unë nuk e kam betejën me ju, e kam bashkë me ju. Pyetja që duhet të bëjmë përballë këtij projekti është: Çfarë niveli të Shqipërisë duam?”, tha Rama.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.