Rama prezanton drejtorin e AKU-së: Fund korrupsionit
Duke prezantuar drejtorin e ri të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Agim Ismailin, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në këtë institucion duhet të marrin fund njëherë e mirë praktikat korruptive, të cilat sipas tij kanë çuar në një situatë të papranueshme.
“Ky është një institucion që nuk duhet harruar sepse lidhet direkt me sigurinë e jetës dhe standardet që Shqipëria duhet të përmbushë për të qenë pjesë e familjes europiane”, ka deklaruar Rama. Sipas kreut të qeverisë, aktualisht AKU është një institucion që vë gjoba, që i nxin jetën sipërmarrjes, që terrorizon dyqane dhe tregtarë të vegjël dhe që nuk përmbush misionin e vet. Ai ka paralajmëruar fundin e kësaj praktike, të cilën AKU e aplikon edhe në dogana.
Nga ana tjetër, Rama ka folur për paaftësi në administratën e këtij institucioni, ku punonjësit sipas tij kanë hyrë vetëm për të përfituar e jo për të punuar.
“Sot ka ende pajisje laboratorike që janë në kuti prej vitesh sepse nuk di t’i përdorë njeri. Dhe nuk ka kush t’i përdorë sepse njerëzit janë futur në AKU vetëm për t’u dhënë një rrogë e jo për të bërë punën”, ka thënë Rama.
Në këto kushte, ka vijuar ai, “duhet të largojmë AKU-në nga thundra e pushtetit të tepsisë”. “Edhe këtu ka njerëz që duhet ta kuptojnë që duhet të largohen vetë. AKU është një vatër e infektuar nga korrupsioni e ku gjobëvënia për qëllime korruptive është standard”, ka pohuar Rama.
Më tej gjatë fjalës së tij, kryeministri ka paralajmëruar edhe mbylljen e të gjitha thertoreve në rrugë, duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që i ka ato.