U godit në sy gjatë protestës, 28-vjeçari Erion Vishkulli niset drejt Italisë për operacionin e dytë
Vilma Mema, shefe e Shërbimit të Okulistikës në QSUT, është shprehur se 28-vjeçari Erion Vishkulli, i cili u dëmtua në sy gjatë protestës së dhunshme, do të dërgohet në Itali, për një ndërhyrje të dytë kirurgjikale.
Ndërhyrja e dytë do të bëhet për heqjen e trupit të huaj nga syri (që dyshohet të jetë plumb gome i goditur nga Policia). Mema tha gjithashtu se pas operacionit të dytë, do të mund të ketë të dhëna nëse të riut i ka humbur plotësisht shikimi në syrin e majtë, ose jo.
“Unë do të paraqes shkurt situatën që kemi konstatuar sot me mjekët e Spitalit të Traumës, dr. Elvisin, i cili ka kryer mbrëmë ndërhyrjen dhe mjekët e Shërbimit Universitar Nënë Tereza në QSUT. Sot kemi disa shenja pozitive pas konsultës me stafin e gjerë të kryer. Situata duket disi më e stabilizuar nga përfundimet që ne konstatuam dje. Përsëri stafi ka arritur në përfundimin se duhet kryer edhe një ndërhyrje e dytë, ajo e vitektromisë me heqjen e trupit të huaj, që kryhet në shërbimin e QSUT-së Nënë Tereza, por për një rezultat më të mirë të mundshëm të 28-vjeçarit, kemi bërë një bashkëpunim me një klinikë të specialisuar për retinën, traumat në Itali. Kemi kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët janë vënë në dispozicion për të kryer transportin e pacientit sot. Jemi në bashkëpunim me mjekët atje sesi do të kryhet ndërhyrja e dytë dhe si do të jetë vijimësia në të ardhmen. Përsa i kërket shikimit, është në të gjithë protokollet ndërkombëtare, kryhet ndërhyrja e parë dhe më pas pritet një ndërhyrje më e specializuar. Kjo do duket në ditët në vijim”, tha mes të tjerash Mema.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.