Nikoloski: Maqedonia ndër vendet e para me teknologjinë e “Starlink”, operatori i tretë mobil do të jetë më konkurrues
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, njoftoi se operatori i tretë mobil do ta përdorë rrjetin "Starlink", ndërsa Shkupi do të jetë qyteti i parë që do të mbulohet, deri në muajin mars.
Maqedonia e Veriut do të jetë ndër vendet e para në të cilat do të zbatohet teknologjia e “Starlink”, ndërsa operatori i tretë mobil do ta përdorë këtë rrjet satelitor, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, siç njofton MIA.
Në postimin e sotëm në faqen e tij në Facebook, Nikoloski theksoi se, jashtë Ukrainës, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të jenë shtetet e para ku “Starlink” do të përdoret drejtpërdrejt, dhe se operatori i tretë, duke e përdorur këtë rrjet, do të jetë shumë më konkurrues në shërbim.
“Nga ajo që kam si informacion – shumë, shumë më të lira do të jenë se dy operatorët ekzistues”, theksoi Nikoloski, duke iu referuar çmimeve të pritshme të shërbimeve të operatorit të ri.
Sipas marrëveshjes së koncesionit, siç njofton MIA, operatori duhet që deri në muajin mars të mbulojë së paku një qytet në shtet, ndërsa deri në fund të vitit të operojë në të gjithë vendin.
“Ata e zgjodhën qytetin e Shkupit”, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, duke e bërë kryeqytetin pikën e nisjes së mbulimit të operatorit të tretë mobil.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.