☀️
Tiranë 19°C · Kthjellët 28 Tetor 2026
S&P 500 7,740 ▲0.22%
DOW 52,453 ▲0.14%
NASDAQ 26,555 ▲0.29%
NAFTA 101.80 ▲1.9%
ARI 4,066 ▼0.21%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1143 EUR/GBP 0.8366 EUR/CHF 0.9232 EUR/ALL 90.8027 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5053 EUR/TRY 55.4790 EUR/JPY 175.89 EUR/CAD 1.5639 EUR/USD 1.1143 EUR/GBP 0.8366 EUR/CHF 0.9232 EUR/ALL 90.8027 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5053 EUR/TRY 55.4790 EUR/JPY 175.89 EUR/CAD 1.5639
₿ CRYPTO
BTC $80,791 ▲ +0.66% ETH $2,343 ▲ +0.5% XRP $1.3201 ▲ +0.44% SOL $101.5300 ▲ +0.97%
S&P 500 7,740 ▲0.22 % DOW 52,453 ▲0.14 % NASDAQ 26,555 ▲0.29 % NAFTA 101.80 ▲1.9 % ARI 4,066 ▼0.21 % S&P 500 7,740 ▲0.22 % DOW 52,453 ▲0.14 % NASDAQ 26,555 ▲0.29 % NAFTA 101.80 ▲1.9 % ARI 4,066 ▼0.21 %
EUR/USD 1.1143 EUR/GBP 0.8366 EUR/CHF 0.9232 EUR/ALL 90.8027 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5053 EUR/TRY 55.4790 EUR/JPY 175.89 EUR/CAD 1.5639 EUR/USD 1.1143 EUR/GBP 0.8366 EUR/CHF 0.9232 EUR/ALL 90.8027 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5053 EUR/TRY 55.4790 EUR/JPY 175.89 EUR/CAD 1.5639
28 Tet 2026
Breaking
Politika

Rama: TVSH-ja në hoteleri rritet në 10%, supertaksa për vilat në bregdet dhe makinat luksoze

Kryeministri Edi Rama, në një mesazh drejtuar qytetarëve në kuadër të paketës së re fiskale, ka bërë me dije disa nga ndryshimet që pritet të përfshihen në politikat e reja të taksimit. Kreu i qeverisë ka konfirmuar se do të mbetet i paprekur zotimi për taksën zero mbi fitimin për biznesin e vogël deri në vitin 2029, ndërsa paralajmëroi rritjen e TVSH-së për sektorin e hotelerisë, me përjashtim të agroturizmit, si dhe vendosjen e taksave të reja për pronat luksoze dhe makinat e shtrenjta.

“Qëndron i paprekur zotimi ynë publik, taksa zero mbi fitimin për gjithë biznesin e vogël deri në 2029”, deklaroi Rama, duke nënvizuar se qeveria do të vijojë të mbajë në fuqi këtë angazhim ndaj sipërmarrjeve të vogla.

Një nga ndryshimet kryesore të njoftuara lidhet me sektorin e hotelerisë, ku norma e TVSH-së pritet të rritet nga 6% në 10%, ndërsa agroturizmi do të përjashtohet nga kjo rritje. Sipas kryeministrit, masa synon të nxisë formalizimin e sektorit, në kushtet kur të ardhurat e bizneseve të hotelerisë janë rritur nga viti në vit.

“Rrisim normën e TVSH-së në hoteleri nga 6% në 10%, duke përjashtuar nga kjo rritje agroturizmin. Është një masë që duhet të jetë një mesazh për pronarët e hoteleve, nga të cilët kërkohet formalizim, në kushtet kur të ardhurat e tyre rriten çdo vit”, u shpreh Rama.

Taksim i ri për ekonominë digjitale

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se qeveria po përgatit një sistem të ri taksimi për ekonominë digjitale, i cili do të përfshijë fillimisht individët që sigurojnë të ardhura nga aktivitetet në platformat online dhe më pas tregtinë e mirëfilltë digjitale.

“Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me like dhe followers, dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave”, deklaroi kreu i qeverisë.

Sipas Ramës, paralelisht po punohet edhe për hartimin e ligjeve dhe vendimeve të tjera, me qëllim zbatimin e masave të reja fiskale dhe krijimin e një sistemi që, sipas tij, synon të shpërndajë më drejt barrën e taksimit.

Super taksa për apartamentet bosh dhe vilat në bregdet

Një tjetër element i paketës së paralajmëruar lidhet me pronat e paluajtshme, veçanërisht apartamentet që mbahen bosh dhe nuk jepen me qira, si dhe vilat luksoze në zonat bregdetare.

Rama argumentoi se rritja e shpejtë ekonomike dhe shtimi i kostove të jetesës krijojnë diferenca sociale që kërkojnë ndërhyrje përmes politikave fiskale. Sipas tij, një nga masat që po shqyrtohet është vendosja e një takse më të lartë për pronarët që blejnë apartamente dhe i mbajnë ato bosh, duke mos i nxjerrë në tregun e qirave.

“Një super taksë prone për ata që blejnë dhe mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qira. Është e drejta e tyre, por duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve”, u shpreh kryeministri.

Në të njëjtën linjë, Rama njoftoi se qeveria po përgatit edhe një taksim më të lartë për vilat në bregdet, si dhe një çmim të shumëfishuar për ujin që përdoret në pishinat private. Sipas tij, këto masa do të trajtohen përmes një projektligji të veçantë.

“Një super taksë prone për vilat në bregdet. Edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin në pishinat. Kjo shkon në një tjetër ligj”, deklaroi Rama.

Super taksë edhe për makinat luksoze

Në përfundim, kryeministri bëri me dije se paketa fiskale do të përfshijë edhe një taksë shtesë për automjetet luksoze, si pjesë e masave që synojnë rishikimin e barrës fiskale për kategoritë me të ardhura dhe pasuri më të larta. “Në këtë paketë fiskale do të ketë dhe një super taksë për makinat e luksit”, theksoi Rama.

Detajet përfundimtare të këtyre masave, përfshirë mënyrën e zbatimit, kategoritë që do të preken dhe nivelin e taksave të reja, pritet të përcaktohen përmes projektligjeve dhe akteve përkatëse që do të hartohen nga institucionet përgjegjëse.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.