Reforma në Drejtësi, ja sa do i kushtojë një gjyq shqiptarëve
Reforma në drejtësi ka sjellë edhe ndryshimin në tarifat gjyqësore. Pyetja më e shpeshtë që bëjnë qytetarët pas miratimit të reformës në drejtësi është se sa do të kushtojnë tarifat për gjyqet?
“News 24” disponon projektligjin për ‘Tarifat dhe shpenzimet gjyqësore në Republikën e Shqipërisë” i cili është hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë.
Sipas tabelës, për të hapur një gjyq civil në gjykatën e shkallës së parë duhet ë paguash 2500 lekë nga 3600 lek që është aktualisht. Gjithashtu sipas ligjit, është detajuar edhe pagesa në rastet dërgimit të çështjeve në gjykatat e tjera.
Neni 4
Tarifa gjyqësore e përgjithshme
1- Tarifa gjyqësore e përgjithshme për çdo nivel gjykimi përllogaritet mbi bazën vlerës së çështjes gjyqësore civile, administrative ose penale si më poshtë:
- a) 1% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të parë;
- b) 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të dytë;
- c) 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në Gjykatën e Lartë;
- d) 5.000 (pesëmijë) lekë për gjykimin e ankimeve të veçanta;
- e) 2.500 (dymijepesëqind) lekë për gjykimin e kërkesave civile, administrative dhe penale;
- f) 5.000 (pesëmijë) lekë për paraqitjen e ankimit kundër vendimit penal në gjykatat e apelit;
- g) 5.000 (pesëmijë) lekë për paraqitjen e rekursit kundër vendimit penal në Gjykatën e Lartë.
- h) 5.000 (pesëmijë) lekë për gjykimin e çështjeve penale në ato raste kur gjykata vihet në lëvizje me kërkesë nga i dëmtuari akuzues. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje, tarifa është 2.500 (dymijepesëqind) lekë;
2- Nëse vlera e padisë nuk mund të përcaktohet, për shkak të natyrës së veçantë të mosmarrëveshjes, tarifa e përgjithshme gjyqësore është 5.000 (pesëmijë) lekë. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje vlera e tarifës është 2.500 (dymijë e pesëqind) lekë.
3- Përcaktimi i vlerës së padisë bëhet nga personi, i cili ka ngritur padinë përpara gjykatës.
4- Në rast se përllogaritja e vlerës së padisë mungon, kjo konsiderohet si e metë e padisë dhe gjykata ja kthen atë paditësit për përcaktimin dhe përllogaritjen e vlerës së padisë.
5- Përcaktimi i vlerës së padisë në paditë e mbrojtjes së të drejtave të pronarit, si vlerë e padisë do të merret vlera e sendit që kërkohet t’i kthehet pronarit apo vlera e sendit që kërkohet të kompensohet.
6- Në rastin e detyrimeve kontraktore, që përbëhen nga pagesa periodike mujore, gjashtëmujore ose vjetore, vlera e çështjes përcaktohet bazuar në ekuivalentin e një pagese që duhet të shlyhet për 12 muaj.
7- Kur gjykata e shkallë së dytë gjykon si gjykatë e shkallës së parë, si dhe në ato raste kur Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar, tarifa e përgjithshme gjyqësore do të jetë e njëjtë me atë që zbatohet për gjykimet në shkallë të parë.
8- Për çështjet gjyqësore të parashikuara në Aneksin 1 të këtij ligji zbatohen tarifat e parashikuara në këtë Aneks. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit për këto çështje vlera e tarifës është sa gjysma e vlerës së tarifës së shkallës së parë.
9- Tarifa gjyqësore e përgjithshme për paraqitjen e çështjeve gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese është 5.000 (pesëmijë) lekë. Kjo tarifë paguhet vetëm në ato raste, kur Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të individëve.
10- Tarifat gjyqësore për gjykimet administrative në të gjitha nivelet janë sipas Aneksit 2 të këtij ligji. Paditë për shpërblimin e dëmit kontraktor dhe jashtë kontraktor, si dhe paditë për marrëdhëniet e punës që janë objekt i gjykimit administrative, tarifa e tyre për të gjitha shkallët e gjykimit administrative është sipas tarifave të përgjithshme për gjykimet e këtyre çështjeve nga gjykata civile për çdo shkallë gjykimi.
11- Vlera minimale e tarifës gjyqësore të përgjithshme është 700 (shtatëqind) lekë dhe ajo do të paguhet në këtë masë për paditë me vlerë deri në 700.000 (shtatëqind mijë) lekë.
12- Kur çështja gjyqësore kthehet për rigjykim nga gjykatat më të larta, nuk paguhet sërish tarifë gjyqësore e përgjithshme.
13- Shpenzimet gjyqësore ne proceset civile, administrative dhe penale llogariten sipas legjislacionit procedural në fuqi.
14- Në procesin penal detyrimi për të paguar shpenzimet gjyqësore të përgjithshme është në ngarkim të të pandehurit nëse ai deklarohet fajtor dhe dënohet me vendim përfundimtar.