Reforma territoriale, Berisha takime me aleatët: PD kundërshton draftin me 46 bashki. Mbyllja e tyre po bëhet pa konsultim
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me aleatët politikë lidhur me reformën territoriale, duke deklaruar se opozita do të vijojë të kundërshtojë projektin e shumicës për riorganizimin e pushtetit vendor.
Sipas Berishës, qeveria ndërpreu konsultimet dhe paraqiti një draft me 46 bashki, ndërsa Partia Demokratike ka propozuar një alternativë me 100 bashki, duke lënë të hapur mundësinë për krijimin e njësive të tjera në varësi të plotësimit të kritereve.
“Ne u angazhuam në proces jo se nuk ishim të sigurt që Edi Rama nuk do angazhohej në një reformë të vërtetë, por ua themi këtu, dy qenë shkaqet për të cilat ne u angazhuam. Së pari, ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët që ne të mos braktisim këtë reformë dhe t’u lëmë socialistëve duar të lira. Së dyti, reforma territoriale është një nga dy kërkesat e Komisionit Evropian në raportin e tetorit që kaloi, se tani po vjen raporti i ri.
Nuk kishin përfunduar konsultimet, megjithatë ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale. Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur dhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera na varësi nga plotësimi i kritereve për ekzistencën e tyre”, tha Berisha.
Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se ndryshimet e propozuara nga qeveria janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, duke kërkuar konsultim më të gjerë për reformën.
Berisha tha se në disa bashki ka pasur protesta kundër ndryshimeve dhe se edhe këshilltarë të mazhorancës nuk kanë mbështetur shkrirjen e tyre.
“Sigurisht Edi Rama vazhdoi me projektin e tij. Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum. Por siç e dini nuk ka asnjë shans që ky të përfillë referendumin apo rekomandimet.
I plagosur rëndë dhe i pashpresë, ky tani merr çdo lloj vendimi që i intereson për lëkurën e tij. Ne, për hir të opinionit, për të sqaruar opinionin mirë në këtë pikë, kemi paraqitur ligjin tonë në parlament me 100 bashki, ligj i cili pa mëdyshje refuzohet nga socialistët. Janë një numër bashkish që janë ngritur në protesta, në disa prej tyre as këshilltarët e tij nuk kanë pranuar të votojnë për shuarjen e bashkive”, tha Berisha.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.