Reforma territoriale nisi nga fundi
Kemi një hartë të re. Mbetet të shihet nëse do të kemi edhe pushtet vendor, apo thjesht 46 adresa të reja ku qytetarit do t'i thonë se vendimi merret në Tiranë.

Në një shkrim të publikuar dje në profilin e vet në Facebook, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ngre një pyetje që duhej shtruar shumë kohë më parë: sa pushtet real u ka mbetur bashkive? Ai e shkroi ditën kur u ngrit komisioni parlamentar dhe nisi faza e dytë e reformës territoriale. Sipas Ndreut, kjo pyetje duhet të vijë para çdo diskutimi për numrin e bashkive.
Teza e tij kryesore është e qartë. Problemi më i madh, thotë ai, nuk është harta territoriale. Problemi është centralizimi i kompetencave dhe autonomia vendore, që po dobësohet gjithnjë e më shumë.
Ndreu i përmend një për një fushat ku sipas tij qeveria qendrore ndërhyn dhe vendos: uji, territori, pronat publike, bregdeti, ndërtimi, financat dhe funksionet vendore. Këto janë pikërisht punët që qytetari i lidh me bashkinë. Ndërkaq, vendimet për to merren gjithnjë e më shpesh në Tiranë.
Prej këtu del argumenti i dytë: nuk mund të ketë vetëqeverisje vendore kur vendimet për territorin merren larg territorit. As nuk mund të flitet për autonomi kur bashkitë mbajnë përgjegjësinë para qytetarëve, ndërsa kompetencat dhe paratë i kontrollon qendra.
Ndreu shkon edhe më tej. Sipas tij, qeveria qendrore nuk mund të jetë njëkohësisht ligjvënëse, administruese, vendimmarrëse dhe kontrolluese e gjithçkaje. Bashkitë, shkruan ai, nuk janë drejtori rajonale të ministrive. Kryetarët nuk janë administratorë të emëruar nga qeveria, por të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, me mandat për të qeverisur dhe jo thjesht për të zbatuar.
Prandaj ai kërkon që reforma e re të ketë në qendër tri gjëra: rikthimin dhe garantimin e kompetencave, autonominë financiare dhe një ndarje të qartë të përgjegjësive. Përndryshe, paralajmëron ai, rrezikojmë një reformë tjetër në hartë, por jo në mënyrën si qeveriset vendi. Ose, siç e përmbyll vetë: reforma duhet të ndajë pushtetin, jo thjesht territorin.
Ka një të vërtetë shumë të thjeshtë në këtë arsyetim.
Kur prishet rruga, kur s’ka ujë, kur del kanalizimi, qytetari nuk shkon në ministri. Shkon në bashki, sepse aty ka votuar dhe aty kërkon përgjigje. Dhe shpesh dëgjon të njëjtën gjë: nuk varet nga ne, duhet një miratim, një fond, një vendim nga Tirana.
Atëherë pse e zgjodhëm pushtetin vendor, nëse për gjysmën e punëve duhet të presim kryeqytetin?
Problemi është se rendi u përmbys. Më 9 tetor, Kuvendi vendosi që Shqipëria të ketë 46 bashki në vend të 61. Pesëmbëdhjetë prej tyre ose u shkrinë, ose u bashkuan me fqinjët. Pyetjet e para duhej të ishin: çfarë pushteti u takon bashkive? Çfarë shërbimesh duhet të japin, me çfarë burimesh, me çfarë kompetencash? Ne bëmë të kundërtën. Caktuam numrin dhe tani po përpiqemi t’i japim kuptim.
Me fjalë të tjera, e nisëm nga fundi.
Diçka të ngjashme kishte thënë në Kuvend edhe deputeti socialist Erion Braçe. Kritika e tij nuk kishte të bënte vetëm me atë se cila bashki u shkri e cila jo. Ai fliste për kompetencat, për financimin, për mënyrën si punon pushteti vendor. Në fund votoi pro, por rezervat e tij mbetën publike.
Ndaj Ndreu nuk po ankohet me vonesë për numrin e bashkive. Po kërkon që reforma të mos mbyllet me një hartë të re.
S’ka dyshim që disa bashkime kishin arsyet e tyre. Por para se të preknim hartën, duhej të ishim ulur të bënim një bilanc të ndershëm të reformës së 2015-s. Çfarë funksionoi dhe çfarë jo? Ku u përmirësuan shërbimet, ku u kursyen para, ku u shtua burokracia? Sa kompetenca kaluan vërtet te bashkitë dhe sa mbetën në letër?
Kjo nuk u bë. Debati politik u përqendrua kryesisht te pyetja se cilat bashki zhduken dhe cilat mbeten.
Nuk është hera e parë. Te ne ndodh shpesh që zgjidhja vendoset lart dhe diskutimi vjen më pas, për ta justifikuar. Debatohet, po brenda kufijve të një vendimi që në fakt është marrë tashmë. Nuk shkohet dot as tek modeli “ me orientim nga lartë , por me iniciativë nga poshtë” . Tani dhe orientimin, dhe iniciativën, dhe diskutimin dhe vendimin i bejnë ata lart.
Megjithatë, ka mbetur ende diçka për të diskutuar : Harta u votua, por ligjet që rregullojnë funksionimin e pushtetit vendor janë ende të hapura, në fazën e dytë.
Këtu duhen dëgjuar Ndreu, Braçe dhe kushdo që i njeh nga afër hallet e bashkive: kryetarët e bashkive të mëdha dhe të vogla, këshilltarët vendorë, specialistët e financave dhe sigurisht qytetarët që i përdorin këto shërbime çdo ditë.
Do të ishte mirë që edhe kryetarë të tjerë bashkish të flisnin kaq hapur. Të thoshin ku u janë lidhur duart, cilat vendime nuk i marrin dot vetë dhe pse fondet nuk u dalin. Jo të presin vendimin e qeverisë dhe pastaj të dalin ta mbrojnë.
Reforma nuk bëhet për rehatinë e ministrive, as për të vizatuar kufij sipas një numri të paracaktuar nga politika. Bëhet që qytetari të marrë shërbime më të mira dhe të dijë kujt t’i kërkojë llogari.
Sa bashki do të kemi, tashmë e dimë. Sa pushtet do të kenë, ende jo. Dhe kjo e dyta ka shumë më tepër rëndësi.
Mund t’i zbresim bashkitë nga 61 në 46, madje edhe më pak. Por nëse për çdo vendim të rëndësishëm duhet të kthejnë sytë nga Tirana, mënyra si qeveriset vendi mbetet pak a shumë e njëjtë.
Kemi një hartë të re. Mbetet të shihet nëse do të kemi edhe pushtet vendor, apo thjesht 46 adresa të reja ku qytetarit do t’i thonë se vendimi merret në Tiranë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.