“Rendi i vjetër botëror ka mbaruar, po hyjmë në një epokë shkatërrimi konstruktiv”
Intervistë me Amb. Zef Mazi
Pyetje: Ka disa kohë që nuk keni shprehur mendim për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE. Ne kemi mbyllur tre kapituj, të tjerë pritet të mbyllen. Për pak ditë hyjmë në tetor dhe për tre muaj mbyllet viti.
Përgjigje: Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme u mblodh në një takim informal në Dublin në fillim të shtatorit. Shqipëria ka qenë e pranishme në çdo takim ku flitet për integrimin. Rëndësi ka se si dhe sa i përgatitur shkon për të paraqitur diçka substanciale: çfarë është bërë, çfarë nuk është bërë, pa fryrje. Më parë thuhej se Shqipëria e ka vendin në Europë! Kjo përsëritej. A thua se ku e ka vendin Shqipëria gjeografikisht përcaktohet nga “brukselianët” ose “brukseliotët”! Shqipëria në Europë ka qenë dhe aty do të jetë me mijëvjeçarë. Të thuhet se ajo duhet të jetë në BE është krejt tjetër gjë.
Në muajin mars u tha se synimi është që të mbyllen 12–15 kapituj brenda vitit 2026. Në korrik u fol për 10 kapituj. Më 14 korrik u mbyllën 3 kapituj. Nga 33 kapituj që u hapën për 13 muaj, janë mbyllur vetëm 3, përkohësisht. Në Dublin nuk u fol për numra kapitujsh, as u dha datë për konferencën ndërqeveritare të radhës, dhe nuk u tha cili shtet do të mbulojë cilin kapitull.
U shtuan kërkesat, me të drejtë, për të pasur përputhshmëri të plotë me Direktivat e BE-së (p.sh. amendimet për zonat e mbrojtura dhe ligji për investimet strategjike, që është premtuar se do të bëhen, ende nuk janë bërë, e nuk dihet a do të bëhen dhe kur). “Laboratori“ i “brukselianëve“ është Shqipëria, se kandidatët e tjerë nuk e lejojnë. Me ta Brukseli sillet butë, i merr me të mirë. Shembulli i Serbisë mjafton.
Duhet analizuar dhe peshuar me kujdes çfarë ka përfituar Shqipëria nga besueshmëria e plotë (deri qorre) që ajo ka ofruar si vend aleat, dhe nga ecuria në përputhmërinë e atij apo këtij kapitulli, si dhe çfarë peshe strategjike ka kjo besnikëri. Pastaj të dilet me konkluzione dhe mendime të mirëinformuara e të konsoliduara.
Prania në mbledhje ka rëndësi. Por duhet mjaft kujdes dhe ekuilibër në deklarata. Se cili është niveli i vendit, kjo njihet nga BE-ja. Mosgatishmëria kombinohet me deficitin e kohezionit të BE-së. Megjithatë, siç e përmenda më lart, janë dhënë sinjale pozitive ditët e fundit. Ursula tha se do të paraqiten afate kohore për integrimin në BE. Marta Kos po ashtu përsëriti të njëjtën gjë, madje duke ofruar vitin 2027. Të shohim cilat do të jenë qëndrimet e shteteve anëtare kur të bëhen propozimet konkrete zyrtare në Këshill.
Pyetje: Ursula von der Leyen mbajti një fjalim “State of the Union” pak ditë më parë. Deklarata disi të çuditshme në disa drejtime. Nëse e keni dëgjuar fjalën, çfarë mendimi keni për të?
Përgjigje: Ai ishte fjalimi vjetor ku paraqitet puna e vitit që shkoi dhe pikat kyçe për vitin në vijim. Fjala ishte në kufijtë e të pamundurës për t’u gëlltitur, si nga arroganca e saj, ashtu edhe nga idetë e padëgjuara ndonjëherë më parë. Pati diskutime dhe mendime rreth fjalës së saj në Parlamentin Europian, në sallë dhe jashtë saj, nga parlamentarë dhe jo-parlamentarë. Po prek vetëm disa deklarime.
Ursula nuk hezitoi të zëvendësonte fjalën Europë me Bashkimin Europian. Ajo ose nuk di të bëjë dallimin, ose e bën me qëllim ngatërrimin midis kontinentit dhe një organizate. Midis Amerikës (kontinent) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një nga shtetet në këtë kontinent, ka dallim të madh. Qëndrimi këmbëngulës i “brukseliotëve” dhe ideologëve të tyre është i papranueshëm. Përdorimi i fjalës “rroftë” e bën edhe më qesharake situatën, sikur BE-ja të ishte një organizëm që ka jetë.
Ursula tha: “Europa ka zgjedhur të ecë në rrugën e saj”, çka presuppozon se Europa merr vendime. Europa kontinent nuk merr vendime! Vendimet merren për Europën. “Europa është këtu për europianët”, tha ajo, që do të thotë se Europa qëndronka mbi europianët. Absolutisht nuk bën sens! Ajo jep përshtypjen se me të fillon gjithçka, se nuk ka të kaluar, a thua se ajo nuk ka qenë në krye të Komisionit që nga viti 2019.
Për më tepër, çfarë saktësisht do të thotë Ursula kur nënvizon se në shtator 2026 prioriteti është të “ndizet ekonomia europiane”? Po deri tani? Dhe kalon te çmimet e energjisë duke thënë se janë “strukturalisht tepër të larta”. Çmimet janë ose të larta, ose të ulëta. Nëse rriten me shpejtësi, ka një arsye përse. Sipas saj, “Rusia na ndërpreu furnizimet me gaz”. Fakti është ndryshe: Europa shkëputi veten, duke ndërprerë me urdhër furnizimet me gaz nga Rusia. Dhe tani kostoja e atij vendimi paguhet nga të gjithë. Europa mund ta zgjidhë problemin duke shtuar një strukturë tjetër burokratike, “Korporata Europiane e Materialeve Kritike e Lëndëve të Parë”, mendon Ursula.
Ursula tha se “kjo verë ishte vera e të vërtetës”. Dhe kërcënoi se muajt e verës të këtij viti do të jenë në të ardhmen “më të ftohtët” në histori! Nga dhe si e di këtë, ku e mbështet atë që thotë?! Për ta zgjidhur problemin propozon “Aleancën e Sigurimit të Rrezikut Klimatik”. Dhe vijon me propozimin për një iniciativë të re europiane, të krijojë “Iniciativën e Ujit”. Të thuhet se kjo verë nuk duhet të ndodhë përsëri është totalisht qesharake, nuk bën sens, sepse nuk është në dorën e saj.
Çfarë do të thotë “ne duhet të mbetemi në lojë”? Për çfarë loje bën fjalë? Cili luan kundër cilit? Çfarë është vënë në peshoren e rrezikut? Nëse është lojë, a nuk ishim në lojë deri tani? Ka ndryshuar gjë? Propozimi i saj për përgatitjen e një “Akti Ligjor për Cilësinë e Punës” ia kalon edhe propozimeve të Byrosë Politike të një Partie Komuniste.
Një risi ishte se ne duhet të punojmë “për t’i hapur rrugën Kanadasë që të bëhet anëtari i parë i asociuar i BE-së”. Të gjithë ata që janë marrë ndër vite me BE-në e dinë mirë se nuk ekziston diçka e tillë si anëtarësi e asociuar në BE. Kjo është përmendur vetëm në një raport të Komisionit Europian për Parlamentin Europian në vitin 2018, si një lloj opsioni i mundshëm për të ardhmen, por që do të kërkonte ndryshime në traktatet ekzistuese. Kjo e fundit është krejt tjetër gjë nga sa tha Ursula. Ursula do që ta bëjë Arktikun “projekt të përbashkët” me Kanadanë. Reagimi i Presidentit Trump ishte i menjëhershëm: ide qesharake dhe armiqësore, duke shtuar se SHBA-ja do të përgjigjej duke vendosur tarifa shumë të larta, deri aty sa të ndërpresë tregtinë me BE-në.
Shprehja e saj se “ne nuk duhet të lejojmë që demokracitë tona të çbëhen nga lakejtë dhe kukullat e autoritarëve” thjesht të kujton epokën komuniste para vitit 1990, kur Byroja Politike rregullisht nxirrte tradhtarë, lakej, kukulla, njerëz antiparti, etj. Fatmirësisht jo më që atëherë. Për Ursulën po, sepse ajo do të krijojë me paratë e taksapaguesve europianë një “Qendër për Qëndrueshmërinë Demokratike”. Ç’nuk dëgjojnë veshët!
Ka shumë deklarata të tilla absurde që mund të citohen, por nuk ia vlen. Sepse Ursula von der Leyen thotë se do “ta marrë të ardhmen në duart tona”, d.m.th. të sajat! Popujt dhe vendet e BE-së nuk duhet ta lejojnë ta bëjë këtë. Mjafton të shihet situata e tashme që ajo ka ndihmuar të krijohet për gjithë Europën për t’i thënë JO.
Pyetje: Bëhen deklarata, jepen ide, propozime, fjalë të mëdha, por asgjë konkrete për të ndaluar luftën në Ukrainë. Ajo vazhdon të pësojë humbje të mëdha njerëzore e strukturore, dhe lufta përsëri vazhdon.
Përgjigje: E trishtë, por e vërtetë. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Ukraina do të mbetej neutrale dhe jashtë NATO-s. Ndjekja me marrëzi e anëtarësimit në NATO e ka transformuar atë nga një shtet sovran, i pavarur dhe i sigurt me 40 milionë banorë dhe me 100 për qind të territorit, në një shtet të shkatërruar, të copëzuar, me rreth 25 milionë banorë dhe krejtësisht të varur nga ndihma financiare dhe e sigurisë nga Perëndimi për të ekzistuar.
Ajo që përjetohet sot në Ukrainë nuk filloi me grushtin e shtetit në Maidan (mbështetur nga agjencitë perëndimore të zbulimit, që përmbysi një president të zgjedhur demokratikisht), por me deklaratën e NATO-s në Samitin e Bukureshtit në prill të vitit 2008. Megjithë kundërshtitë e Merkelit dhe Sarkozisë, ata u përkulën nën presionin e George Ë. Bush dhe pranuan në deklaratë fjalinë se NATO-ja i ka dyert e hapura për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Bill Burns (i cili më vonë u bë edhe Drejtor i CIA-s), i shkroi Uashingtonit se kjo është vija e kuqe më e ndritshme për krejt spektrin rus, çka do të çojë në luftë.
Para atij samiti, kishte vendimin e Clinton-it për zgjerimin e NATO-s në vitin 1994, si dhe librin e Brzezinski-t në vitin 1997, The Grand Chessboard, ku flitet me emër për zgjerimin me Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Kjo pavarësisht premtimit me gojë dhe në takimin zyrtar që James Baker dhe Genscher i bënë Gorbachevit (që ai të lejonte bashkimin e dy Gjermanive duke tërhequr trupat nga Gjermania Lindore) se NATO nuk do të zgjerohej asnjë “inch” në lindje (kjo mund të lexohet në National Security Archive që ndodhet në George Ëashington University). Nga “asnjë inç në lindje”, NATO është zgjeruar me mijëra kilometra në lindje deri në kufijtë e Rusisë, nga veriu në Mesdhe.
A ia vlente kjo kosto kaq e lartë për popullin e Ukrainës, kur shumica e tij nuk donte të futjej në NATO para grushtit të shtetit në 2014? Mendohet lehtë Artikulli 5 i Kartës së Atlantikut, pa u thelluar në formulimin e tij dhe në jo-automatikun e përdorimit të tij. Ai artikull është aktivizuar vetëm një herë që nga themelimi i NATO-s, pas 11 shtatorit. Kuptohet se përfundimi i kësaj luftë do të vendoset në fushëbetejë — një luftë e humbur nga Ukraina, sipas ekspertëve ushtarakë, pavarësisht ndihmës direkte të disa shteteve të NATO-s, retorikës së drejtuesve perëndimorë dhe mediave të tyre bashkëfajtore se Ukraina po fiton.
Perëndimi (jo i gjithi) bëhet gjithnjë e më shumë luftënxitës; punon për të mbajtur ndezur luftën për të maskuar problemet e brendshme, frikën e gënjeshtrave ndaj popullsive të veta, dhe duke bërë gogolin e sulmit rus për të bërë shpenzime të mëdha ushtarake në përgatitje për luftë kundër Rusisë. Kanë luajtur mendsh krejt — jo popujt e Europës, por drejtuesit e disa vendeve të mëdha, kryesisht! Më racionali është Fico i Sllovakisë, që është shprehur hapur disa herë se Sllovakia nuk do të marrë pjesë në luftë kundër Rusisë. Edhe Babiš i Çekisë kuptohet se ecën në këtë linjë. Ushtarakët e lartë të Polonisë mendojnë po kështu; Presidenti polak po ashtu është mjaft prudent, i kujdesshëm, pavarësisht nga deklaratat halucinante të Ministrit të Jashtëm Sikorski.
Ernest Hemingëay ka pasur thënë: “The ‘glory’ of ëar is a lie sold by coëards in suits. You don’t die a hero, screaming in your oën filth ëhile a politician cashes a cheque.” (“’Lavdia’ e luftës është një gënjeshtër që shitet nga frikacakët e veshur me kostum. Ti nuk vdes si hero, duke ulëritur në baltën tënde ndërsa një politikan tërheq çekun me para.”)
Pyetje: Rendi i ri botëror në përplasje me rendin e vjetër botëror, zgjedhjet, demokracia liberale, vlerat, rivendosja e rendit, etj., është narrativë e përsëritur që lidhet me rendin botëror ekzistues. Si e shihni këtë përplasje?
Përgjigje: Nuk shoh se ka rivendosje rendi, sepse rendi mungon. Gjithë normat ligjore dhe morale janë hedhur poshtë. Ka mbetur vetëm shtrëngim, detyrim (përmes dollarit), kërcënim me sanksione dhe bomba. Euroazia po punon për t’u larguar nga dollari dhe sanksionet. Tani nuk ka rend botëror, gjithçka që ekzistonte është hedhur poshtë. Mjafton një fjalim super-kërcënues për botën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të kuptuar gjithëçka. Sot, OKB-ja, që është ngritur për të ruajtur rendin botëror dhe për të parandaluar luftën, po përdoret për të deklaruar se do të shfarosë një komb, një qytetërim, një shtet, e padëgjuar në historine 81 vjecare të OKB. Sipas Cambridge Dictionary, folja “me shfaros” (to annihilate) do të thotë: “Të shkatërrosh diçka plotësisht që të mos mbesë asgjë, ose të mundësh dikë me lehtësi dhe totalisht në një garë ose lojë” (“to destroy something completely so that nothing is left, or to defeat someone very easily and completely in a contest or a game”).
Pra, nuk ka rend botëror tani; është shqyer, është hedhur në koshin e mbeturinave, veçanërisht në Perëndim që ka humbur sensin e vlerave morale. I kanë lëshuar të gjitha, kanë mbetur vetëm disa fragmente të tyre. Pa vlera morale — që historikisht tek ne erdhën me të kuptuarit se çfarë do të thotë të jesh njeri, me çfarë na mësuan qytetërimet, narrativat, mitet e tyre, ato histori që i dhanë strukturën morale jetës dhe shoqërisë — sot jetojmë vetëm me ato narrativa. Ato vlera na formësuan, por sot, fatkeqësisht, kanë mbaruar. Jetojmë dhe veprojmë të nxitur e të udhëhequr nga paraja dhe pronësia fizike. Pra nuk janë më ato vlera, ka vetëm forcë dhe imponim.
Sot ka një rend botëror që nuk vlerëson asgjë: normat ligjore, normat e moralit, strukturat qytetëruese që i atashoheshin Perëndimit janë zëvendësuar sot me bombardime në zonat civile, me kërcënime për rrënimin financiar të shoqërive, me kërcënime për shfarosje qytetërimesh. Janë shkatërruar shumica e urave politike. A mund të flitet për rend në këtë ngrehinë? Është tepër e vështirë, sepse vlerat e përbashkëta që ishin në themel thjesht nuk janë më, kanë mbaruar. BRICS Plus punon me prioritet për të shpëtuar nga hegjemonia e dollarit dhe nga hegjemonia e sanksioneve (sepse janë të paligjshme), sepse kemi ngecur në konfuzion gjeopolitik dhe moral. Nuk ka më moral, nuk ka më pengesa, janë hequr.
Përmendët zgjedhjet. Kujtoj votimin në Rumani. Ai u anulua derisa Brukseli gjeti emrin që donte. Në Gjermani flitet për nxjerrjen jashtë ligjit të partisë AfD, që fitoi ndjeshëm në dy zgjedhje lokale në Lande. Çmimet kanë shkuar në stratosferë. Të rinjtë nuk gjejnë punë dhe nuk arrijnë të blejnë një shtëpi. Protestat përballen me policinë e militarizuar që sulmon protestuesit. Zgjedhjet nuk është se ndryshojnë shumëçka — ndoshta do të ndryshojnë diçka në Gjermani, por ende jo plotësisht, sepse CDU, që ka humbur thellësisht, vazhdon përpjekjet për të mos lejuar AfD-në të marrë pjesë në zgjedhje. Kësisoj, gjithnjë e më shumë njerëzit, që ndihen thellësisht të dëshpëruar, do t’u kthehen mjeteve të dhunës, gjë që duket e paevitueshme. Fatkeqësisht po, se njerëzit kanë humbur shpresën dhe sensin e besimit te administrata, si ajo europiane, ashtu edhe ajo e Brukselit.
Prandaj mendoj se rendi i vjetër ka mbaruar përfundimisht, dhe i riu po fillon të marrë formë. Por nuk do të kalojë butësisht, nuk do të shkohet fluturimthi tek rendi i ri, sepse do të jetë shkatërrimtar. Do të kalohet përmes një procesi, fillimisht një “shkatërrimi konstruktiv”, siç e ka karakterizuar një analist gjeopolitik. Ka filluar në Lindjen e Mesme dhe me Rusinë e Kinën që po e ndryshojnë rendin botëror në Euroazi. Do të arrihet, por procesi do të dojë kohën e vet për të arritur atje. Ose do të përjetohet një implodim ekonomik në Perëndim që do të heqë hegjemoninë e dollarit dhe mundësinë për të sanksionuar njerëzit dhe vendet përmes sistemit financiar ekzistues, ose do të shohim kolaps. Do të jetë një proces mjaft i komplikuar dhe i turbullt gjeopolitik, mjaft i rrezikshëm dhe shqetësues për popujt, sepse mund të sjellë lloj-lloj rezultatesh të papritura e tepër të rrezikshme.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.