Restaurohet Muzeu Arkeologjik i Durrësit pas tërmetit, Gonzato: Simbol i ringritjes së kulturës dhe ekonomisë
Muzeu Arkeologjik i Durrësit është rihapur pas restaurimit të plotë të realizuar në kuadër të programit EU4Culture. I dëmtuar nga tërmeti shkatërrues i disa viteve më parë, muzeu rikthehet më i pasur dhe më funksional për publikun.
Ambasadori i BE, Silvio Gonzato, u shpreh se ky projekt dëshmon se BE nuk është thjesht një strukturë burokratike, por një partner real që promovon solidaritetin dhe zhvillimin. Ai theksoi se përmes këtij projekti është krijuar një partneritet i qëndrueshëm për ringritjen e kulturës dhe ekonomisë vendore, duke afruar më tej Shqipërinë me Bashkimin Evropian.
Gonzato e cilësoi muzeun si një “galeri të gjallë”, që ndihmon në kuptimin e identitetit të Durrësit të lashtë dhe në ndërtimin e urave mbi këtë trashëgimi.
“Ka nga ata që mendojnë se BE është thjesht një burokraci që zbukuron gjërat, por një program si ky sot tregon të kundërtën. Solidariteti është parim themelor i BE-së dhe ky program nuk lidhet vetëm me restaurimin e kulturës, por edhe me rigjallërimin e peizazhit natyror të vendit pas tërmetit. Ky program ka krijuar një partneritet për të ringritur kulturën dhe ekonominë vendore, duke afruar vendin me BE-në. Ky muze nuk është thjesht një vend artefaktesh, por një galeri e gjallë për të mësuar mbi identitetin e Durrësit të lashtë dhe për të ngritur ura mbi bazën e këtij identiteti. Sot kemi një model konservimi, inovacioni digjital dhe aftësi profesionale të fuqizuara”, tha Gonzato.
Projekti, tha Gonzato, ka sjellë gjithashtu rritje të kapaciteteve profesionale, inovacion digjital dhe mundësi të reja punësimi, veçanërisht për të rinjtë shqiptarë, të cilët janë përfshirë në mënyrë aktive në nismat kulturore të mbështetura nga BE.
“Që nga fillimi kemi pasur mundësi për të rritur vende pune dhe rinia shqiptare të integrohet përmes kulturës dhe projekteve të BE-së në Shqipëri, dhe sot jemi partnerë të fuqishëm. EU4Culture shënon me këtë projekt përmbylljen e misionit të saj, ndërsa tani i takon partnerëve shqiptarë që të mbajnë gjallë këto objekte të rigjallëruara dhe hapësirat e reja aktive që janë krijuar për të përfituar ekonomia, turistët dhe vetë popullsia”, tha ambasadori.
Me përfundimin e këtij projekti, programi EU4Culture mbyll misionin e tij, ndërsa përgjegjësia për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtyre hapësirave i kalon institucioneve shqiptare, me synimin që ato të vijojnë të kontribuojnë në ekonominë lokale, turizëm dhe jetën kulturore të vendit.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit konsiderohet një krenari kombëtare për Durrësin dhe Shqipërinë, është pjesë e një projekti më të gjerë që ka mbështetur rilindjen e 23 objekteve të Trashëgimisë Kulturore në vend.
Me mbi 3,200 artefakte dhe një linjë të pasur muzeore, Muzeu Arkeologjik ofron një përvojë të re për vizitorët vendas dhe të huaj, duke sjellë historinë e lashtë të qytetit më pranë publikut përmes një qasjeje bashkëkohore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.