Rezoluta e PE/ Bardhi: Kërkuat që të mos e miratonin, gënjyet dhe Ramën. Balla: Ne e kemi fituar betejën
Kërkesa e Partisë Demokratike për një mocion me debat mbi rezolutën e Parlamentit Evropian për raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025 ka shkaktuar debate të forta në seancën plenare mes opozitës dhe mazhorancës, pavarësisht se mocioni nuk u pranua në Konferencën e Kryetarëve. Në fjalën e tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, duke e lidhur atë me çështje hetimore dhe pretendime për përfshirje në veprime të paligjshme.
“I vetmi që kam çuar në prokurori je ti z. Balla, sepse je në përgjime si bashkëpunëtor për të liruar pronat e sekuestruara nga OFL për babanë e Suel Çelës. Kjo është arsye ligjore për të bërë kallëzim në prokurori dhe, në dijeninë time, je nën hetim”, deklaroi Bardhi.
Ai shtoi se mazhoranca, sipas tij, ka gënjyer lidhur me qëndrimet e Parlamentit Evropian dhe procesin e integrimit.
“Gënjeve sepse ne nuk kemi zhvilluar debat për rezolutën e PE-së sa i takon integrimit. Nuk ju dëgjuan, e miratuan. Nuk ka kërkuar KE ndalimin e ndërtimit në zonat e mbrojtura, por PE-ja. Ju thatë mos e miratoni, por e miratuan”, u shpreh Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar demokrat akuzoi më tej mazhorancën për manipulim të opinionit publik lidhur me qëndrimet e institucioneve evropiane.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i është përgjigjur akuzave, duke i cilësuar deklaratat e Bardhit si të pavërteta dhe duke kujtuar, sipas tij, vendime gjyqësore në favor të tij në përballjet e mëparshme ligjore.
“Sa i përket gënjeshtrës, unë e kam fituar një gjyq me ty, kur ti ishe shërbeje si avokat i Lulzim Bashës. Ju kam mundur, ju mora përpara”, u shpreh Balla. Ai shtoi se mazhoranca ka arritur, sipas tij, rezultate në procesin e negociatave dhe në raport me amendamentet e PE-së, duke theksuar se disa prej tyre janë rrëzuar dhe disa të tjerë janë marrë në konsideratë nga eurodeputetët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.