Rijetëzimi i hapësirave kinematografike publike, së shpejti nis puna për projektin në Pogradec
Prej vitesh rrjeti i kinemave në vendin tonë nuk funksionon si duhet, për të cilën herë pas here janë shprehur me shqetësime edhe kineastët shqiptarë, ndërsa rijetëzimi i hapësirave kinematografike publike është në qendër të një marrëveshje mes institucioneve. Në zbatim të saj, kinemaja e Pogradecit pritet që të transformohet së shpejti në një hapësirë më bashkëkohore. Rikonstruksioni i godinës do të përfshijnë pajisje teknike për shfaqje filmash, përmirësimin e ambienteve dhe sinjalistikës, si dhe integrimin e saj në rrjetin kombëtar të kinemave publike në vendin tonë.
Më zbatimin e këtij projekti, kinemaja në këtë qytet pritet që të ofrojë programacion të rregullt me filma shqiptarë, por edhe të huaj. Pas nënshkrimit të marrëveshjes në Balkan Film Market 2025, mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Bashkisë Pogradec për rijetëzimin e hapësirave kinematografike publike, së shpejti do të nisë dhe puna për zbatimin konkret të këtij projekti të rëndësishëm për qytetin. Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit shprehet ndër të tjera se projekti synon të kthejë kinemanë në një qendër të gjallë kulturore, që pasuron jetën artistike të qytetit të Pogradecit.
“Përmes këtij investimi do të realizohet rikonstruksioni dhe modernizimi i godinës së kinemasë, pajisja e saj me infrastrukturën teknike të nevojshme për shfaqje bashkëkohore, përmirësimi i ambienteve dhe sinjalistikës, si dhe integrimi i saj në Rrjetin Kombëtar të Kinemave Publike.
Njëkohësisht, kinemaja do të përfitojë programacion të rregullt me filma shqiptarë, europianë dhe ndërkombëtarë, aktivitete promovuese, takime me krijues dhe projekte edukative për të rinjtë, duke e kthyer këtë hapësirë në një qendër të gjallë kulturore që pasuron jetën artistike të qytetit dhe krijon mundësi të reja për publikun e çdo moshe”, shprehet ministri Blendi Gonxhja ndërsa njofton për këtë projekt në rrjete sociale. Por ndërsa me zbatimin e këtij projekti, kinemaja në qytetin e Pogradecit pritet që të ofrojë programacion të rregullt me filma shqiptarë, por edhe të huaj, ministri Gonxhja thotë më tej se për dekada me radhë ajo nuk ka qenë thjesht një sallë filmi.
“Për dekada me radhë, kjo kinema nuk ka qenë thjesht një sallë filmi, por zemra e jetës kulturore të qytetit. Është vendi ku janë ndarë emocione, të qeshura dhe kujtime të paharrueshme për shumë breza pogradecarësh. Rikthimi i saj do t’i japë qytetit një hapësirë moderne, duke ruajtur të paprekur shpirtin dhe historinë e saj të çmuar”, vijon më tej Gonxhja. Me rastin e çeljes së sezonit turistik, ministri Blendi Gonxhja gjithashtu pati një takim edhe me operatorët turistikë të Pogradecit për të diskutuar mbi ecurinë e sektorit dhe sfidat, që kërkojnë vëmendje të përbashkët.
Marrëveshja për rijetëzimin e kinemave
Në edicionin e 9-të të “Balkan Film Market” që u zhvillua vjet, përkrah profesionistëve të industrisë së filmit nga rajoni dhe Europa, u formalizua bashkëpunimi mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Bashkisë Pogradec si dhe Bashkisë Elbasan, me nënshkrimin e një marrëveshjeje tripalëshe për rijetëzimin dhe funksionimin e hapësirave kinematografike publike. Siç u bë me dije në dhjetor 2025, kjo nismë shënon fillimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të kinemave publike, me synimin për ta rikthyer kinemanë në jetën e përditshme të qytetarëve




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.