Rikandidimi i Berishës shkelje e rëndë e statutit të partisë

Ajo që pritej, ngjau. Do të kandidojë përsëri për kryetar Sali Ram Berisha. Nuk u përfshinë emrat e njohur që kishin shfaqur dëshirën për të marrë pjesë në këtë garë, si Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balla.
Statuti i Partisë Demokratike, neni 46, pika 8, ose i ashtuquajturi “neni Basha”, thotë: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.”
Më qartë dhe saktë nuk ka si të shpjegohet. Rikandidimi i Berishës shkel rëndë statutin. Është një veprim flagrant kundër Partisë Demokratike. Pse është lejuar ai të nëpërkëmbë ligjin bazë të partisë? Sepse rreth tij ka grumbulluar vetëm puthadorë interesaxhinj, pa personalitet, që nuk duan t’ia dinë fare se shkelin ligjet. Ata e pranojnë të mirëqenë gënjeshtrën e tij se më 11 maj 2025 Edi Rama i vodhi zgjedhjet. I quan ato farsë, kur në të vërtetë i ka pranuar, derisa si ai dhe e tërë partia e tij hynë në Kuvend. Zyrtarisht do të thotë se edhe ti, si ODIHR-i, e pranove rezultatin e 11 majit. Ngre versionin e vjedhjeve vetëm për të mos lëshuar karrigen e kryetarit. Me gojët e hapura si peshqit, puthadorët i besojnë dhe i bëjnë temenara. Të tillë ka pasur shumë PD-ja. Madje nuk ndryshojnë shumë edhe ata që sot ia kundërvënë doktorit. Edhe këta nuk e kanë për gjë të mos zbatojnë rregullat e lojës që i kanë firmosur vetë.
Po e ilustroj këtë po me statutin e PD-së. Në të shkruhet që nuk mund të kandidojë kush të dojë për kryetar partie. Çdo kandidati, që kur shpallet fushata, së pari i kërkohet të regjistrohet zyrtarisht te komisioni përkatës. Ky nuk është një proces i hapur pa filtër, sepse do të shqyrtohen cilësitë e kandidatëve dhe do të pranohen vetëm ata që i plotësojnë kërkesat e pritshme.
Me sa di nga të dhënat prej medias, zoti Ervin Salianji fushatën për reformimin e partisë dhe sidomos për rinovimin e saj, ku aludimi ishte i qartë për largimin e Berishës, e nisi disa muaj përpara. Ai nuk u ngarkua nga partia për këtë fushatë. Me kalimin e javëve, nga një fushatë me fjalë dhe ide të përgjithshme rinovuese, ajo u kthye në një duel sharjesh me zotin Berisha. Ishte doktori ai që e anatemoi Ervinin, madje përdori për të fjalën vetëpërjashtim. Salianji, në vend që të vazhdonte të shpaloste programin për të ardhmen e partisë, ra në grackën e doktorit, duke mos i kursyer fjalët kritike për kryetarin aktual të partisë. Edhe po ta lëmë mënjanë garën e tij propagandistike të paautorizuar nga partia, nuk na del se, në kohën e duhur, ka bërë kërkesë për t’u regjistruar si kandidat. Ajo do të ishte një kërkesë formale që nuk kishte për t’u marrë parasysh; megjithatë, për të respektuar statutin, ajo duhej bërë. Po kështu, edhe kandidatët e tjerë njoftuan në media se do të kandidojnë për postin e kryetarit. Si mund të njoftonin publikun që do të kandidojnë, kur partia nuk i kishte shpallur emrat për atë garë?! Kur ai ose ata e dinin si buka që hahet se Berisha, edhe po të ishin regjistruar në kohën e duhur, kishte për t’i zhdukur emrat e tyre nga ajo listë?! Ai nuk i do ata as të jenë prezent në ditën kur ka për t’u bërë ai pseudo-votim, gjoja me dy kandidatë?! Rezultati i pritshëm ka për të qenë 99.99 për qind për doktorin, ashtu si dilnin votimet në kohën e komunizmit. Atë praktikë Berisha po e zbaton me hile, dinakëri dhe përjashtime. Alternativë tjetër ai nuk njeh, veç fitores absolute dehëse të ideologjisë dhe diktaturës komuniste.
Lind një pyetje e arsyeshme: Deri sa statuti është shkelur, doemos duke prekur interesat e disa politikanëve të njohur të PD-së, çfarë qëndrimi ka për të mbajtur Gjykata, edhe pse partitë janë institucione private? A kanë për ta regjistruar Sali Berishën si kryetar legjitim?
Meqë është shkelur statuti dhe janë prekur interesat e disa individëve, sepse u është bërë padrejtësi, Gjykata e ka të drejtën të vendosë, d.m.th. të mos e njohë Berishën për kryetar dhe të kërkojë të bëhen zgjedhje të reja. Këtë kishte për ta bërë një gjykatë e ndershme. Në drejtësinë tonë të dyshimtë, shpresat janë të pakta. Gjykata ka një çerek shekulli që nuk po vë në bankën e të akuzuarve atë që dha urdhër për vrasjen shtetërore të 21 Janarit, kur Kryeministër ishte Sali Ram Berisha. Si mundet këta njerëz që “flenë” mbi ligjet, kanë për të guxuar t’i thonë uzurpuesit: “Pa zbrit pak nga froni?!”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.