Rikonstruksioni i bllokut tek ATSH-ja, Veliaj: Përfitojnë 8.000 banorë
I gjithë blloku i banimit tek ish-Agjencia Telegrafike Shqiptare në Tiranë po i nënshtrohet një transformimi total. Bashkia me financimet e saj ka mundësuar ndërhyrjen për rikualifikimin urban të gjithë lagjes që shtrihet përgjatë rrugës “Fadil Rada” dhe nga e cila përfitojnë rreth 8 mijë banorë.
Punimet janë në fazën finale dhe ato janë ndjekur nga afër nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili theksoi se shumica e banorëve të kësaj lagjeje kur të kthehen nga pushimet do të ndeshen me një ndryshim rrënjësor.
“Ky hyn në një nga ato investime i cili bëhet pa tender, pa prokurime, pa shpenzuar për investime, vetëm me forcat e bashkisë, pra me atë fuqi punëtore që bashkia gjithësesi e ka të punësuar. Më vjen mirë sepse kemi treguar se ku ka vullnet, me pak duk gjërat e mira mund të bëhen dhe në këtë bashki ka vullnet. Më vjen mirë që në njësinë 2, pas disa investimeve që kemi bërë në njësi të tjera, ky është ndoshta rehabilitimi më i madh i një blloku banorësh”, tha Veliaj.
Më tej ai shtoi se ndërhyrja në këtë lagje nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e infrastrukturës, por edhe me lirimin e hapësirave publike dhe krijimin e ambienteve çlodhëse për banorët.
“Më vjen mirë që sot kemi një histori komplet tjetër. Së pari, lagjja është shumë më bashkëpunuese, duhet të falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë tokë për të liruar për trotuare, për të liruar për rrugë, pa u grindur dhe pa gjetur arsye pse gjërat nuk bëhen por për të gjetur arsye pse gjërat mund të bëhen me pak kontribut. U jam shumë mirënjohës atyre që kanë dhuruar pemë, kanë dhuruar blloqe betoni dhe infrastrukture”, shtoi kryetari i bashkisë.