Rikthehet ngrohja në Prishtinë: njësia B2 e TC “Kosova B” kthehet në funksion
Termokos njofton se furnizimi me ngrohje ka filluar të rikthehet që nga orët e para të së hënës dhe për pjesën më të madhe të konsumatorëve tashmë është stabilizuar
Furnizimi me ngrohje në Prishtinë ka filluar të rikthehet që nga orët e para të së hënës, pas rikthimit në funksion të njësisë B2 të TC “Kosova B”, siç njofton Telegrafi, duke iu referuar njoftimit të Ndërmarrjes Publike “Termokos”. Sipas Termokosit, për pjesën më të madhe të konsumatorëve furnizimi me ngrohje tashmë është stabilizuar.
Sipas njoftimit të KEK-ut, procesi i startimit të njësisë B2 filloi më 26 tetor në orën 02:00, pas përfundimit të sanimeve. Gjatë orëve të mëngjesit, njësia rifilloi prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin me energji termike për Termokosin.
Njësia B2 ishte ndalur në mënyrë të kontrolluar më 24 tetor, si masë parandaluese për mbrojtjen e pajisjeve. Kjo ndalesë kishte ndërprerë ngrohjen në kryeqytet.
Ekipet e Termokosit po vazhdojnë punën në terren për stabilizimin e plotë të furnizimit edhe në pikat më të largëta të rrjetit të ngrohjes. Kompania ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe durimin gjatë ndërprerjes së furnizimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.