Opinion

Rreziku që i kanoset Ramës nga dosja Balluku

Për sa kohë që Rama e manipulonte në kulisa, SPAK-un, GJKKO, Kushtetuesen, por në publik shfaqej si mbështetës i tyre, influenca mbi drejtësinë i ishte toleruar nga BE. Por, kur ai i kundërvihet, asaj me fjalor, me pengesa konkrete, madje dhe me ndryshime ligjore që pengojnë hetimet, kjo mund të riprodhojë skenarin rumun

Nga ANDI BUSHATI

Edi Rama mund të jetë përditë e më shumë i kërcënuar nga zhvillimet e dosjes Balluku. Dhe kjo jo për atë që pretendojnë shumë nga kundërshtarët e tij, se zv/kryeministrja ka në sirtare fakte korruptive, me anë të të cilave e shantazhon shefin. E njëjta fabul konspirative është përsëritur shpesh, që nga koha e rënies së Saimir Tahirit e deri në rastin e arrestimit të Veliajt. Por, Edi Ramës nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, pasi të gjithë shokët e tij kanë pranuar më mirë akuza të lehta, duke u shtirur sikur kishin ngrënë kumblla dhe dardha pas shpinës së shefit, sesa të sfidonin fatin duke u bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe të rrëfenin mëkatet e përbashkëta.

Edi Rama nuk trembet as nga hipoteza se SPAK-u apo GJKKO-ja mund të mbërrijnë deri tek ai. Ata që s’kanë guxuar ta pyesin qoftë edhe një herë të vetme, së paku si një person që ka djeni për ngjarjen, qoftë për inceneratorët, qoftë për McGonigalin, qoftë për koncesionet në shëndetësi, nuk e imagjinojnë as në ëndrrat e tyre më të guximshme, të shkojnë deri tek njeriu, që kontrollon gjithçka në këtë vend.
Po atherë, ku është problemi me dosjen Balluku?

E gjitha fshihet në këmbënguljen për ti treguar kufijtë drejtësisë, gjë e cila mund ti shkaktojë kryeministrit çarjen më të madhe që ai ka pasur gjatë kësaj dekade me ndërkombëtarët. Natyrisht edhe diplomatët e Tiranës, edhe shefat e tyre në kancelaritë perendimore kanë qenë të ndërgjegjshëm se jo gjithçka shkonte mbroth me reformën në drejtësi. Ata e dinë prej kohësh se lufta me leje kundër pandëshkueshmërisë kufizohej nga një tavan i çeliktë, sipër të cilit nuk mund të kapërcehej. Ata i dinë rastet e përndjekjeve politike të SPAK -ut dhe proceset fëlliqësisht të manipulura si ato kundër Belerit. Por duke qenë se e kanë caktuar reformën në drejtësi si një histori suksesi, të cilën e kanë mbrojtur, për të cilën kanë financuar dhe tek e cila janë investuar, atyre u shkonte për shtat demagogjia e deritanishme e Ramës.

Sjellja prgmatiste që i bënte të mbyllnin sytë për “difektet e vogla” dhe “gabimet përgjatë rrugës”, lidhej me faktin se në Shqipëri kishin gjetur një lider, që sëpaku formalisht dhe verbalisht ishte në të njëjtën gjatësi vale me ta. Shprehje të tilla si: “ne nuk bëhemi pengesë për drejtësinë”, “qeveria dhe PS nuk janë zyra avokatie për të mbrojtur drejtuesit e tyre nga SPAK”, i shkonin për shtat rrëfimit të ndërkombëtarëve.

Kjo narrativë së fundi ka pësuar një krisje. Nëse  emisarët e Ramës garuan deri në momentet e fundit me diplomatët amerikanë se cili do të mposhte tjetrin në Kushtetuese, për pezullimin ose jo të Ballukut, kjo është shenja e parë e një thyerje. Shenja e dytë erdhi nga BE. Menjëherë pasi shefi i qeverisë la të kuptohet qartë përmes një postimi në X (ish Twitter), se ai nuk kishte ndërmend ti’a pranonte SPAK-ut kërkesën për ti hapurr rrugë arrestimit të Ballukut, si rrallë herë zyra e Komisionit Evropian reagoi kundër Ramës. Nëse kryeministri thoshte se për këtë çështje nuk ka urgjencë, Brukseli këmbëngulte se imuniteti duhet shqyrtuar pa vonesë. Nëse qëndrimi i PS dukej qartë pro mbrojtjes së Ballukut, ai i BE-së fshikullonte ndërhyrjet në gjyqësor dhe në hetimet e prokurorisë.

Pra, po ta shohësh këtë kundërvënie, flakë për flakë, edhe në sfondin e mesazheve që janë dërguar nga Berlini apo ato që janë formuluar në takime me dyer të mbyllura në Komisionin Evropian, duket qartë se këtu kemi të bëjmë me një nga përplasjet e ralla të Ramës me ndërkombëtarët. Dhe ky është risku i tij real me dosjen Balluku. Për sa kohë që ai e manipulonte në kulisa, SPAK-un, GJKKO, Kushtetuesen, por në publik shfaqej si mbështetës i tyre, influenca mbi drejtësinë i ishte toleruar. Por, kur ai i kundërvihet, asaj me fjalor, me pengesa konkrete, madje dhe me ndryshime ligjore që pengojnë hetimet, kjo mund të shkaktojë një çarje reale. Ky është reziku i vërtetë i Ramës, ai se nga perëndimi mund të mos i falet basti për ti sfiduar ata edhe publikisht.

Një episod i ngjashëm ka ndodhur në Rumani gati një dekadë më parë, kur Laura Codruta Kovesi, kryeprokurorja e DNA, SPAK-ut të atyshëm, që kishte arrestuar politikanë të lartë, biznesmenë, pronarë mediash dhe presidentë futbolli, u ndesh me kreun e majtë të parlamentit, Dragnea. Edhe atëherë mbështetësit e këtij të fundit, filluan të flasin për shtetin paralel të prokurorëve, ata njësoj siç do të bëjë Rama tani, ndrymshuan ligjet dhe kufizuan kopetencat e prokurorëve, ata arritën deri aty sa e shkarkuan Kovesin. Por BE-ja që atëherë ishte në të njëjtën linjë me Uashingtonin, nuk e kapërdiu këtë turpërim publik. Ajo e emëroi menjëherë, Laura Kovesin si prokuroren e parë të përgjithshme evropiane dhe bëri çështë e mundur që Liviu Dragnea, të dilte nga politika si pasojë e një dënimi me tre vite e gjysëm burg.

Megjithë bilancin e suksesshëm të dënimeve të të paprekshlëve në Rumani, perëndimi nuk e duroi dot sfidën e prekjes së hapur të një reforme të mbështetur prej tij. Pikërisht ky precedent, është dhe risku më i madh për kursin e ri që ka zgjedhur Edi Rama. Aq evidente është kjo hipotezë sa shumë nga armiqtë e pafuqishëm të kryeministrit, ndonëse e duan Belën në burg, sot po luten që shefi ta mbrojë deri në fund atë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button