Rriten shpenzimet për skema sociale në Kosovë, në tetor shkojnë mbi 82 mln euro
Shpenzimet për mirëqenien sociale në Kosovë u rritën për rreth 400 mijë euro krahasuar me shtatorin.
Të dhënat tregojnë rritje të numrit të pensionistëve bazikë, lehonave dhe përfituesve të shtesave për fëmijë.
Shpenzimet për skemat e mirëqenies sociale në Kosovë kanë arritur në 82 milionë e 876 mijë euro gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar rritje prej 386 mijë e 942 eurosh krahasuar me muajin paraprak.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në shtator për këto skema ishin ndarë 82 milionë e 489 mijë e 62 euro.
Përkundër rritjes së shumës së përgjithshme të ndarë, numri i përfituesve ka shënuar lëvizje të ndryshme, me rritje në disa kategori dhe rënie në të tjera.
Numri i përfituesve të pensionit bazik të moshës është rritur nga 172 mijë e 721 në shtator në 174 mijë e 399 në tetor, apo 1 mijë e 678 përfitues më shumë.
Për këtë kategori, gjatë tetorit janë ndarë 27 milionë e 781 mijë e 920 euro, krahasuar me 27 milionë e 614 mijë e 160 euro në muajin shtator.
Rritje është regjistruar edhe te shtesat për fëmijë, skema me numrin më të madh të përfituesve.
Në shtator ishin 374 mijë e 652 përfitues, ndërsa në tetor ky numër arriti në 375 mijë e 185, apo 533 më shumë. Për këtë skemë janë ndarë mbi 13.5 milionë euro.
Më pak familje në skemën e ndihmës sociale
Në anën tjetër, Skema e Ndihmës Sociale ka shënuar rënie të numrit të familjeve përfituese.
Nga 14 mijë e 664 familje që përfitonin ndihmë sociale në shtator, numri ka zbritur në 14 mijë e 444 në tetor, që përfaqëson 220 familje më pak.
Rënie është shënuar edhe në shumën e mjeteve të ndara për këtë kategori. Në shtator ishin ndarë 2 milionë e 172 mijë e 544 euro, ndërsa në tetor kjo shumë zbriti në 2 milionë e 135 mijë e 692 euro.
Një nga ndryshimet më të mëdha ndërmjet dy muajve është regjistruar te skema e përkrahjes financiare për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.
Në shtator kjo kategori kishte 9 mijë e 394 përfitues, ndërsa në tetor numri ra në 4 mijë e 565, pra 4 mijë e 829 përfitues më pak.
Megjithatë, të dhënat statistikore nuk japin shpjegime për arsyet e kësaj rënieje dhe nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se ka rënë numri i familjeve që kanë nevojë për këtë mbështetje.
Rritet numri i veteranëve, bie ai i pensionistëve kontributpagues
Ndryshime më të vogla janë regjistruar edhe te kategoritë e dala nga lufta.
Numri i veteranëve të luftës është rritur nga 39 mijë e 699 në shtator në 39 mijë e 777 në tetor. Për këtë kategori gjatë muajit tetor janë ndarë 7 milionë e 846 mijë e 468 euro.
Ndërkaq, numri i pensionistëve kontributpagues të moshës ka shënuar rënie të lehtë, nga 47 mijë e 738 në shtator në 47 mijë e 654 në tetor.
Rritje është vërejtur edhe te skemat e mbështetjes financiare për lehonat.
Sipas ASK-së, numri i lehonave të punësuara përfituese është rritur nga 2 mijë e 176 në shtator në 2 mijë e 231 në tetor.
Ndërsa te lehonat e papunësuara, numri ka arritur në 7 mijë e 53, krahasuar me 6 mijë e 817 në muajin paraprak.
Për lehonat e punësuara gjatë tetorit janë ndarë 1 milion e 118 mijë e 500 euro, ndërsa për lehonat e papunësuara 3 milionë e 546 mijë e 325 euro.
Rënia e numrit të familjeve që përfitojnë nga Skema e Ndihmës Sociale nuk është vërejtur vetëm në raport me muajin paraprak.
Gjatë shtatorit 2026, kjo skemë kishte 14 mijë e 664 familje përfituese, krahasuar me 16 mijë e 474 familje në shtator të vitit 2025.
Kjo nënkupton se për një vit numri i familjeve përfituese kishte rënë për 1 mijë e 810.
Të dhënat e tetorit tregojnë se rënia ka vazhduar edhe në raport me muajin shtator të këtij viti, kur numri i familjeve përfituese ishte më i lartë për 220.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.