Transferet bankare në Kosovë bëhen të menjëhershme, aktivizohet sistemi i ri i BQK-së
Sistemi i Pagesave të Shpejta (TIPS-K) ka nisur funksionimin, duke mundësuar transferimin e parave brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Në sistem aktualisht janë përfshirë katër banka.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur funksionimi i Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), përmes të cilit qytetarët dhe bizneset mund të realizojnë transfere të menjëhershme të parave, pa pasur nevojë të presin deri në ditët apo orët e punës së bankave.
Sipas njoftimit të BQK-së, transferet e para përmes këtij sistemi tashmë janë realizuar me sukses, ndërsa në fazën fillestare shërbimi është aktivizuar në katër nga dhjetë bankat që operojnë në Kosovë.
Bankat që tashmë ofrojnë këtë shërbim janë ProCredit Bank, Banka për Biznes (BPB), Raiffeisen Bank dhe NLB Banka.
Klientët e këtyre bankave mund të transferojnë para mes vete në vlerë deri në 3,000 euro për një transaksion, me kusht që edhe banka e dërguesit, edhe ajo e pranuesit të jenë pjesë e sistemit TIPS-K.
“Sistemi mundëson realizimin e transfereve brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Shërbimi mund të përdoret përmes llogarive ekzistuese bankare dhe platformave digjitale të bankave, përfshirë aplikacionet mobile banking dhe shërbimet e e-banking.
Ndërkaq, bankat e tjera që operojnë në Kosovë pritet t’i bashkohen sistemit në mënyrë graduale, pas përfundimit të përgatitjeve të nevojshme teknike dhe operative.
Sipas BQK-së, periudha kalimtare tremujore për përfshirjen e të gjitha bankave përfundon më 23 shkurt 2027.
Deri atëherë, transferet që përfshijnë banka të cilat ende nuk janë pjesë e TIPS-K, si dhe transaksionet që tejkalojnë kufirin prej 3,000 eurosh, do të vazhdojnë të realizohen përmes kanaleve ekzistuese të pagesave.
BQK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë kryerjes së transfereve, duke verifikuar të dhënat e pranuesit para konfirmimit të pagesës. Në veçanti, kërkohet kontrollimi i emrit, mbiemrit, IBAN-it dhe shumës së transferuar.
Institucioni ka paralajmëruar gjithashtu që qytetarët të mos ndajnë me persona të tjerë të dhënat e sigurisë apo informacione të tjera të ndjeshme bankare.
Në rastet kur një transfer i shpejtë nuk konfirmohet menjëherë, BQK-ja rekomandon që klientët fillimisht të kontrollojnë statusin e transaksionit në aplikacionin e bankës ose të kontaktojnë bankën përkatëse, para se të tentojnë përsëri kryerjen e pagesës.
Sistemi TIPS-K ishte lansuar për bankat më 20 nëntor 2026, në një ceremoni zyrtare të organizuar nga BQK-ja. Me fillimin e funksionimit të tij, projekti rajonal TIPS Clone do të inaugurohet edhe në një ceremoni zyrtare në Bankën e Italisë, në Romë, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të nivelit të lartë të BQK-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.