⛅
Tiranë 19°C · Pjesërisht vranët 09 Tetor 2026
S&P 500 7,817 ▲0.67%
DOW 51,732 ▲0.98%
NASDAQ 27,383 ▲0.7%
NAFTA 91.07 ▼0.46%
ARI 4,226 ▲1.65%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1208 EUR/GBP 0.8476 EUR/CHF 0.9328 EUR/ALL 91.7138 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3722 EUR/TRY 55.2355 EUR/JPY 176.99 EUR/CAD 1.5951 EUR/USD 1.1208 EUR/GBP 0.8476 EUR/CHF 0.9328 EUR/ALL 91.7138 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3722 EUR/TRY 55.2355 EUR/JPY 176.99 EUR/CAD 1.5951
₿ CRYPTO
BTC $82,522 ▲ +1.25% ETH $2,486 ▲ +1.39% XRP $1.3871 ▲ +1.69% SOL $109.4100 ▲ +0.73%
S&P 500 7,817 ▲0.67 % DOW 51,732 ▲0.98 % NASDAQ 27,383 ▲0.7 % NAFTA 91.07 ▼0.46 % ARI 4,226 ▲1.65 % S&P 500 7,817 ▲0.67 % DOW 51,732 ▲0.98 % NASDAQ 27,383 ▲0.7 % NAFTA 91.07 ▼0.46 % ARI 4,226 ▲1.65 %
EUR/USD 1.1208 EUR/GBP 0.8476 EUR/CHF 0.9328 EUR/ALL 91.7138 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3722 EUR/TRY 55.2355 EUR/JPY 176.99 EUR/CAD 1.5951 EUR/USD 1.1208 EUR/GBP 0.8476 EUR/CHF 0.9328 EUR/ALL 91.7138 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3722 EUR/TRY 55.2355 EUR/JPY 176.99 EUR/CAD 1.5951
09 Tet 2026
Breaking
Kosova

Rusi i arrestuar në Mal të Zi shpërndante dezinformata edhe për Kosovën

Mali i Zi ka ndaluar blogerin rus të luftës dhe themeluesin pro-Kremlin të kanalit në “Telegram” ‘Rybar’, në të cilin janë publikuar edhe dezinformata për situatën në Kosovë.

Blogeri ushtarak rus pro-Kremlin, Mikhail Zvinchuk, themeluesi i rrjetit rus në “Telegram” ‘Rybar’, është arrestuar në Mal të Zi së bashku me disa bashkëpunëtorë nën dyshimin për përhapje të propagandës së Kremlinit dhe operacione të ndikimit informativ të huaj.

Arrestimi i Zvinchuk u njoftua nga kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili ka shkruar se ka dyshime për veprimtari hibride dhe përpjekje për destabilizimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Megjithatë, mesazhi pas aksionit të suksesshëm të sotëm, gjatë të cilit u ndalua drejtuesi i rrjetit informativ “Rybar”, është i qartë: institucionet po e kryejnë punën e tyre, Mali i Zi po i mbron interesat e veta dhe askush nuk do ta rrezikojë të ardhmen tonë evropiane” – thuhet në postimin e Spajiq.

Kanali rus në “Telegram” “Rybar” shpeshherë është përdorur si burim informacioni për rrjetin propagandistik “Pravda”, i cili publikon përmbajtje në gjuhën shqipe dhe shpërndan narrativa dezinformuese për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë ato politike dhe siguri.

Në raportin e BIRN dhe Internews Kosova, i publikuar më 27.03.2026, “Hartëzimi i dezinformatave”, “Rybar” përmendet në mesin e kanaleve të “Telegramit” që janë identifikuar si burime të përdorura nga rrjeti “Pravda” për artikujt e publikuar në shqip.

Raporti gjeti gjithashtu mospërputhje në publikimet për Kosovën, të cilat, varësisht nga gjuha në të cilën publikohen, shpesh përcjellin mesazhe të ndryshme për audienca të caktuara. Artikujt zakonisht nisin nga ngjarje reale, por përfshijnë komente nga administratorët e kanaleve në “Telegram”, duke e mjegulluar kufirin mes raportimit dhe opinionit. Sipas raportit, kjo qasje përzien faktin me trillimin për të krijuar narrativa dezinformuese më të besueshme.

Për shembull, më 30.09.2026, ndërrimin e komandës së KFOR-it, rrjeti “Pravda” duke cituar “Rybar” e kishte prezantuar si “marrje e kontrollit të KFOR-it në Kosovë nga ushtarët turq”.

KFOR-i është nën një zinxhir të vetëm komandues, nën autoritetin e komandantit të KFOR-it. Komandanti raporton te komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli të Italisë. Komandanti aktual është gjeneralmajor Özkan Ulutaş nga ushtria turke. Ai mori komandën e KFOR-it më 3 tetor 2025.

Shumë nga artikujt e rrjetit “Pravda” të analizuar në raport përmbanin pretendime të rreme ose mashtruese për zhvillimet politike në Kosovë, së bashku me interpretime në përputhje me narrativat e Kremlinit.

Sipas raportit që hartoi ndikimin e dezinformimit rus në Kosovë, këto narrativa rrezikojnë të thellojnë tensionet ndëretnike dhe të krijojnë klimë frike me pasoja të mundshme për stabilitetin kombëtar dhe sigurinë rajonale.

Raporti identifikoi disa grupe që shërbejnë si burime për dezinformim në gjuhën shqipe për rrjetin “Pravda”, përfshirë: “balkanar” (arkiva), “balkan_pro”, “rentv_news”, “MID_Russia“, “Tass_world”, “baltnews”, “infantmilitario”, “warhistoryalconafter”, “zvezdanews, ukr_2025_ru”, “vestiru2″, “belarusian_silovik”, “boris_rozhin”, “Politnavigator”, “ruptlyalert”, “balkanossiper”, “historiographe“, “radio_sputnik”, “darkzotovland”, “rybar_mena”,“news_1tv“, “russiau“, “militarycolumnist”, “rian_ru“, dhe “rybar“.

Sipas CNN, edhe vetë kanali “Rybar” në Telegram, njoftoi për arrestimin e Zvinchuk.

“Mikhail Zvinchuk u ndalua vërtet në Mal të Zi së bashku me shtetas të tjerë rusë” – ka njoftuar “Rybar” në një postim.

Kanali në Telegram, të cilin autoritetet britanike dhe amerikane e kanë akuzuar për përhapjen e propagandës dhe dezinformimit të Kremlinit ka më shumë se 1.5 milion ndjekës.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka konfirmuar ndalimin e Zvinchukut dhe ka theksuar se po kërkon informacione të mëtejshme.

“Ambasada ruse në Mal të Zi po sqaron rrethanat”- i ka deklaruar zëdhënësja Maria Zakharova agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.

Mediumi malazez “Vijesti” ka raportuar, duke cituar burime, se shërbimet e sigurisë së vendit kishin ndaluar Zvinchukun, bashkëshorten dhe kolegen e tij, Valeriya Zvinchuk, si dhe tre individë të tjerë, të premten në mëngjes në qytetin e Risanit- aktivitetet e të cilëve lidhen – në dokumentet e sanksioneve ndërkombëtare – me përhapjen e propagandës së Kremlinit dhe operacionet e ndikimit informativ të huaj.

“Vijesti” ka mësuar se gjatë veprimeve të shërbimeve të sigurisë u identifikua vendbanimi i shtetasve rusë të lidhur me këtë rrjet; personi kryesor i tyre është subjekt i sanksioneve të Bashkimit Europian, Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Australisë dhe Ukrainës. Bëhet fjalë për një person, aktivitetet e të cilit lidhen me mbështetjen e agresionit rus kundër Ukrainës dhe me përhapjen e dezinformatave e narrativave informative pro-ruse.

Sipas Associated Press, Zvinchuk më parë ka shërbyer në zyrën e shtypit të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Zvinchuk, i cili e ka mbështetur fuqimisht pushtimin rus të Ukrainës, ka qenë një nga blogerët rusë më të njohur që raportojnë për luftën.

Pas mbërritjes në Mal të Zi, Zvinchuk publikoi një video ku thoshte se kishte hyrë në vend pavarësisht se ishte në listat e sanksioneve europiane. Ai ia atribuoi këtë një roje kufitare të pakujdesshëm, i cili me sa duket nuk e kishte vënë re statusin e tij lidhur me sanksionet./kallxo.com

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.