RUSI – Vatikani i kërkon Moskës mbarimin e luftës në Ukrainë
MOSKË, 25 gusht /ATSH-DPA/ – Kryepeshkopi Paul Richard Gallagher, ekuivalenti i Vatikanit në postin e ministrit të Jashtëm, bëri thirrje sot për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Moskë.
”Le të jemi të qartë, kjo luftë duhet të marrë fund”, tha Gallagher, duke qëndruar përkrah Lavrovit.
”Selia e Shenjtë vijon ta ndjekë me shqetësim të thellë luftën në Ukrainë dhe dënon vuajtjet e të pafajshmëve”, tha Gallagher.
Sipas tij, pas më shumë se katër vitesh armiqësi, konflikti vazhdon të zgjerohet, numri i viktimave vijon të rritet, shumë familje mbeten të ndara, ndërsa pasojat materiale dhe psikologjike të luftës prekin miliona njerëz në Ukrainë dhe Rusi.
”Konflikti nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake. Është thelbësore të krijohen kushtet për një proces serioz politik dhe diplomatik”, deklaroi ai.
Kryepeshkopi bëri thirrje për nisjen e ”negociatave të vërteta, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar” dhe theksoi se papa Leone XIV dhe Vatikani ishin të gatshëm të ofronin shërbimet e tyre.
Ai u bëri apel Kievit dhe Moskës të tregojnë gatishmëri për dialog, duke paralajmëruar se sa më gjatë të zgjasë konflikti, aq më e vështirë do të jetë arritja e një zgjidhjeje dhe pajtimi.
”Vuajtjet e miliona njerëzve duhet të marrin fund”, tha Gallagher.
Gallagher dhe Lavrov deklaruan se, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për shumë çështje, ekzistojnë edhe fusha ku palët kanë të përbashkëta.
Lavrov tha se Moska është e gatshme të rifillojë konsultimet politike me Ukrainën në nivel zëvendësministrash të Jashtëm.
Ai vlerësoi si të ekuilibruar qëndrimin e Vatikanit ndaj konfliktit në Ukrainë dhe tha se Moska e vlerëson gjithashtu rolin e Selisë së Shenjtë në zgjidhjen e disa çështjeve të vështira humanitare./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.