Rusia i ka paralajmëruar SHBA që të mos ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale
SHBA janë të shqetësuara për vendimin për ta ndaluar liderin e opozitës Aleksej Navalny që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale. Ministria e Jashtme ruse foli për “ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin elektoral”.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë pati shprehur shqetësim për “kufizimin e zërave të pavarur” në përgjigje të vendimit të Komisionit kryesor Zgjedhor në Rusi për ta ndaluar formalisht Navalnin që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018. “Gjëja më zbavitëse për këtë është se kjo deklaratë është bërë nga të njëjtët persona që u vënë etiketën e agjentit të huaj mediave Russia Today dhe Sputnik, që persekutojnë mediat ruse në të gjithë botën dhe që investojnë shuma të mëdha parash në “kundërvënien e propagandës ruse”, tha Zakharova.
Në kuadër të fitores së papritur në zgjedhje të Presidentit të SHBA, Donald Trump vitin e kaluar, komuniteti i shërbimeve të fshehta në SHBA tha se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje për të mbështetur kandidatin që preferonte. Në SHBA janë hapur disa hetime në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhje, duke përfshirë edhe një hetim që ka si objekt marrëveshje midis administratës Trump dhe Moskës.
“Tmerrësisht i frikësuar”
Si reagim ndaj ndalimit për të marrë pjesë në zgjedhje, Navalny u bëri thirrje mbështetësve të tij që t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Presidenti Vladimir Putin është “tmerrësisht i frikësuar dhe ka frikë të konkurrojë përballë meje”, tha Navalny. Të martën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “thirrjet e Navalnyt për t’i bojkotuar zgjedhjet duhet të studiohen me kujdes për të parë nëse përbëjnë shkelje ligjore.”
Formalisht, Navalnyn e kanë ndaluar të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të dënimeve penale, gjë që shihet si kundërpërgjigje për fushatat e tij antikorrupsion. Grupe të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar që vendimi i Komisionit Elektoral për të ndaluar pjesëmarrjen në procesin demokratik të Navalnyt mund të jetë pjesë e një shtypjeje në plan të gjerë të disidentëve në Rusi.
“Motive politike”
Të martën, BE shprehu shqetësim për transparencën e zgjedhjeve të ardhshme. Vendimi “zgjon dyshime serioze për pluralizmin politik në Rusi”. “Dënime të motivuara politikisht nuk duhen përdorur kundër pjesëmarrjes politike. Ne presim nga autoritetet ruse që të krijojnë një hapësirë të balancuar veprimi, duke përfshirë edhe zgjedhjet presidenciale”, tha zëdhënësja për punët e jashtme të BE, Maja Kocijancic.