Sa paguhet “patriotizmi”?
Këtë pyetje e bëjmë rrallë, pasi përgjigjja e saj mund të na prishë disa iluzione dhe stereotipe.
Pyetja nuk është se sa kushton një flamur, një kostum popullor, një koncert me këngë patriotike labe, një shkrim çarçaf për ndonjë personazh historik lokal apo një parullë për qytetin dhe atdheun. Por sa vlen realisht dashuria për vendin në një kohë kur edhe ndjenjat duket se shkëmbehen kundrejt shumave të parave?
Sot patriotizmi ka çmime të ndryshme. Për disa është një flamur në ballkon, për të tjerë një fotografi me simbolet kombëtare, për disa një fjalim plot Shqipëri, histori, heronj dhe sakrifica. Ka edhe nga ata që e shfaqin me zë të lartë në festa kombëtare, por nuk e kanë problem ta shesin interesin publik në ditët e zakonshme.
Këta, atdheun dhe patriotizmin e përdorin si pronë private.
Partiotizmi për ta është kthyer në monedhë ekonomike. Disa patriotë me kokë të madhe e mendje të vogël, shpeshherë me uturak në dorë, ngrenë “kauza” në shkëmbim të pagesave apo marrëdhënieve tregtare me fondamentalistë të ndryshëm. Dhe ndjekin me zell ata që Gjergj Kastriotin, figurën simbol të qëndresës dhe identitetit tonë kombëtar, e quajnë të pafe, madje edhe trillim historik, ndërkohë që “hidhërohen” më shunë, natyrisht kundrejt pagesës, për palestinezët dhe Gazën… Dhe, qeshin nën mustaqe me “patriotët shqiptarë” teksa i filmojnë dhe u paguajnë një kafe ose një bidon dhallë.
Të ndjekësh për shkak të disa parave ata që mohojnë heroin tonë kombëtar, relativizojnë identitetin tonë dhe pastaj të shpallesh mbrojtës i kombit është një kontradiktë që asnjë flamur apo “kauzë” nuk mund ta mbulojë.
Patriotizmi është kthyer herë pas here edhe në monedhë politike. Përdoret për të blerë heshtjen, për të mbuluar paaftësinë, për të shmangur përgjegjësinë dhe për të ndarë shoqërinë në patriotë e tradhtarë. Mjafton të mendosh kundër mendimit të dikujt që çirret dhe dikush të anatemon se, sipas tij, po fyen Shqipërinë, po e shet te çifutët, rusët, amerikanët, të pafetë.
Por patriotizmi nuk është bindje ndaj atyre që bërtasin fort e mbjellin përçarje. Nuk është as detyrim për të duartrokitur. Përkundrazi, ndonjëherë forma më e lartë e dashurisë për vendin është të mos pajtohesh me atë që po i bëhet atij.
Është të mos pranosh korrupsionin, edhe kur e kryen dikush që flet në emër të kombit. Është të mbrosh shkollën, spitalin, gjykatën, mjedisin dhe pronën publike. Është të mundohesh që të jetosh me dinjitet. Është të paguash taksat, të respektosh ligjin dhe të mos kërkosh privilegje në kurriz të të tjerëve.Dhe mbi të gjitha, është të kuptosh se Shqipëria nuk është as e qeverisë, as e opozitës, as e një familjeje politike, as e një grupi njerëzish tregtarë flamujsh.
Patriotizmi që kërkon duartrokitje është spektakël; patriotizmi që kërkon përgjegjësi është qytetari.
Prandaj, sa paguhet “patriotizmi”?
Nëse është fjala për patriotizmin e bërtitësve që paguhen nga fondamentalistët e të gjitha kahjeve, çmimi mund të negociohet. Nëse është fjala për patriotizmin që kërkon integritet, ndershmëri dhe përgjegjësi, ai nuk ka çmim tregu.
Atdheu nuk ka nevojë për njerëz që betohen çdo të shtunë me megafon në dorë se e duan. Ka nevojë për njerëz që nuk e shesin, nuk e vjedhin dhe nuk e përdorin për të mashtruar të tjerët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.