Shoqëria e mosbesimit: Pse nuk i besojmë njëri-tjetrit, por u besojmë komploteve?

Vetëm 2,8% e shqiptarëve mendojnë se mund t’u zihet besë njerëzve në përgjithësi. Të dhënat vijnë nga Anketa Botërore e Vlerave, rezultatet e së cilës e vendosin Shqipërinë në vendin e 109-të mes 110 vendeve, sa i përket besimit ndërpersonal, duke lënë pas vetëm Zimbabven.
Anketa vlerëson gatishmërinë për t’i besuar të tjerëve edhe pa i njohur personalisht dhe pa pasur ndonjë interes të drejtpërdrejtë material.
Besimi nuk është tipar gjenetik që disa popuj e kanë dhe të tjerët jo, por formohet nga përvoja historike, marrëdhëniet shoqërore dhe mënyra si funksionojnë institucionet. Njerëzit mësojnë t’u besojnë të tjerëve kur marrëveshjet respektohen, rregullat zbatohen dhe abuzimet ndëshkohen. Kur këto garanci mungojnë, ata bëhen më të kujdesshëm dhe kërkojnë siguri kryesisht te njerëzit që njohin personalisht, si familja, farefisi dhe miqtë.
Por kur besimi kufizohet brenda familjes dhe rrethit shoqëror, kjo çon në atë që njihet si “familjarizëm amoral”: mendësia që secili kujdeset para së gjithash për interesin e familjes së vet, duke neglizhuar interesin e përbashkët.
Në një shoqëri të tillë, të ndihmosh një të afërm për të marrë një vend pune, duke anashkaluar konkurrencën, konsiderohet detyrim familjar dhe jo padrejtësi ndaj kandidatëve të tjerë. Besnikëria ndaj të afërmve merr përparësi ndaj meritës dhe rregullave që duhet të vlejnë njësoj për të gjithë.
Pasojat janë të mëdha për gjithë shoqërinë. Francis Fukuyama ka argumentuar në librin Besimi se aftësia për të bashkëpunuar përtej familjes dhe rrethit të ngushtë është një nga faktorët themelorë të zhvillimit ekonomik dhe institucional. Besimi ndërpersonal lehtëson krijimin e ndërmarrjeve të mëdha, organizatave qytetare dhe marrëdhënieve të qëndrueshme, duke ulur kostot e bashkëpunimit dhe nevojën për kontroll të vazhdueshëm.
Nuk është rastësi që vendet nordike, me demokraci të konsoliduara dhe ekonomi të zhvilluara, renditen ndër vendet me besimin më të lartë ndërpersonal në botë.
Në Shqipëri, mungesa e këtij besimi pasqyrohet në organizimin e shumë bizneseve rreth familjes, në mbështetjen te njohjet personale për punësim e partneritete dhe në përgjithësi në kulturën e klientelizmit dhe nepotizmit.
Kur një qytetar ka një problem me administratën, ai kërkon një mik që t’ia zgjidhë. Kur kërkon punë, përpiqet të gjejë dikë me ndikim. Kur përballet me një padrejtësi, shpreson të ndërhyjë një politikan. Në këmbim të ndihmës, krijohen detyrime personale, favore dhe besnikëri ndaj atij që ka mundësi t’i zgjidhë problemet.
Kështu krijohet një rreth vicioz ku mosbesimi mes qytetarëve i shtyn ata drejt varësisë nga njerëzit e pushtetshëm, ndërsa klientelizmi dhe patronazhi që lindin prej kësaj varësie e dobësojnë më tej besimin horizontal.
Sa më shumë që mundësitë sigurohen përmes lidhjeve me pushtetin, aq më pak vlerë kanë merita, konkurrenca e ndershme dhe rregullat e përbashkëta. Njerëzit mësohen të kërkojnë zgjidhje individuale përmes favoreve, ndërsa aftësia për të kërkuar ndryshime kolektive dobësohet.
Mosbesimi na pengon edhe të bashkohemi për të ndryshuar gjërat që nuk na pëlqejnë.
Shumë njerëz mund të jenë të pakënaqur me qeverinë, por secili dyshon nëse të tjerët do të jenë të gatshëm të veprojnë. Dikush nuk del në protestë sepse mendon se nuk do të ketë pjesëmarrje. Një tjetër nuk firmos një peticion nga frika se mos i hap telashe vetes ose se do të mbetet i vetëm, ndërsa të tjerët qëndrojnë mënjanë.
Kështu, edhe pse shumë njerëz mendojnë njësoj dhe duan ndryshim, secili pret që të tjerët të hedhin hapin e parë. Në fund, pakënaqësia mbetet e madhe, por njerëzit vazhdojnë të jenë të përçarë dhe të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen.
Kjo gjendje favorizon veçanërisht ata që e kanë tashmë pushtetin. Ata disponojnë struktura, burime dhe rrjete të konsoliduara besnikërie, ndërsa qytetarët që kërkojnë ndryshim duhet të ndërtojnë nga e para marrëdhëniet e besimit dhe organizatat e tyre. Për këtë arsye, një shoqëri mund të jetë gjerësisht e pakënaqur me qeverisjen dhe përsëri të mos arrijë të krijojë një alternativë të organizuar. Përçarja e qytetarëve bëhet kështu një avantazh për ata që kontrollojnë institucionet dhe burimet publike.
Për rrjedhojë, Shqipërisë nuk i mungojnë domosdoshmërisht njerëzit e aftë, të ndershëm dhe me dëshirë për të kontribuar. Problemi është se këta njerëz shpesh mbeten të shpërndarë, pa arritur të bashkohen në organizata të pavarura dhe të qëndrueshme. Kjo e kufizon mundësinë për të ndërtuar alternativa të besueshme ekonomike, qytetare dhe politike.
Një tjetër pasojë e kësaj kulture të rrënjosur mosbesimi është prirja për të kërkuar interesa të fshehta dhe komplote pas çdo nisme publike. Kush të financon? Kush të ka nxjerrë? Kush qëndron pas teje? Për kë po punon? Kush të komandon? Kujt po ia bën lojën? Këto pyetje janë bërë reagim pothuajse automatik ndaj kujtdo që ndërmerr një nismë të pavarur, sidomos në politikë dhe aktivizëm qytetar.
Paradoksalisht, njerëzit që nuk u besojnë bashkëqytetarëve të tyre janë shpesh të gatshëm të besojnë akuzat më fantastike për ta. Këtë e kemi parë edhe gjatë protestave të fundit, ku organizatorëve u është veshur herë dora e Veliajt dhe Ballukut, herë e rrjeteve ndërkombëtare të Antifës, e gylenistëve, erdoganistëve apo Sorosit. Akuza shpesh kundërthënëse, që burojnë nga e njëjta mendësi: bindja se qytetarët nuk mund të organizohen vetë pa pasur dikë që i komandon nga prapaskena.
Problemi me këto akuza është se shpesh bëhen të pamundura për t’u përgënjeshtruar. Nëse nuk ka prova, thuhet se lidhjet janë fshehur mirë. Nëse dikush i mohon, mohimi interpretohet si përpjekje për të mbuluar të vërtetën. Kështu, aktivistët detyrohen të shpenzojnë kohë dhe energji duke u mbrojtur nga histori që nuk kanë nevojë për prova për t’u përhapur.
Sigurisht, në një vend me histori korrupsioni, klientelizmi dhe marrëveshjesh informale, dyshimi nuk është gjithmonë i pabazuar. Kërkesa për transparencë është e domosdoshme. Por kur çdo veprim interpretohet paraprakisht si pjesë e një komploti, dyshimi pushon së qeni instrument kontrolli dhe bëhet pengesë për bashkëpunimin.
Brenda lëvizjeve qytetare, mosmarrëveshjet fillojnë të interpretohen si tradhti, konkurrenca si përpjekje për kapje dhe figurat e reja si instrumente të dikujt tjetër. Kjo përhap armiqësi dhe mund të shkatërrojë marrëdhënie të ndërtuara me shumë mundim.
Pikërisht në këtë kontekst duhet parë një nga arritjet më pak të diskutuara të protestave të këtyre pesë muajve: krijimi i kapitalit social. Njerëz që më parë nuk njiheshin, nga profesione, qytete, breza dhe bindje të ndryshme, u gjendën përkrah njëri-tjetrit për të mbrojtur një kauzë të përbashkët. Organizuan aktivitete, ndanë përgjegjësi, përballuan presionin dhe ndihmuan njëri-tjetrin. Përmes këtyre përvojave krijuan marrëdhënie besimi edhe pa pasur lidhje familjare, partiake apo interesa ekonomike.
Besimi ndërtohet pikërisht kur sheh se dikush e mban fjalën, se vjen përsëri në protestë, se të qëndron pranë në një moment të vështirë dhe se merr përsipër përgjegjësi pa kërkuar shpërblim. Njerëzit që kanë mësuar të organizojnë aktivitete, të mbledhin fonde, të marrin vendime dhe të punojnë së bashku mund të ndërmarrin nesër nisma të tjera qytetare apo politike. Në këtë kuptim, vlera e protestave mund të shkojë shumë përtej rezultateve të tyre të menjëhershme.
Por këta pesë muaj kanë treguar edhe sa i brishtë është ky kapital social. Rivalitetet për drejtimin e protestës, ambiciet për kandidim, infiltrimet dashakeqe nga establishmenti dhe akuzat e pabazuara mund t’i kthejnë bashkëpunëtorët e djeshëm në kundërshtarë që dyshojnë për motivet e njëri-tjetrit. Energjia që mund të përdorej për të zgjeruar lëvizjen dhe për të planifikuar hapat e ardhshëm harxhohet në konflikte të brendshme.
Për të mos e humbur këtë arritje, marrëdhëniet e krijuara gjatë protestave duhet të mbështeten në rregulla të qarta për marrjen e vendimeve, transparencë për financimet, ndarje përgjegjësish dhe procedura të drejta për zgjedhjen e përfaqësuesve apo kandidatëve. Ambiciet personale dhe konkurrenca janë pjesë normale e jetës demokratike.
Ajo që duhet të mësojmë është t’i menaxhojmë pa i kthyer mosmarrëveshjet në armiqësi dhe pa e vënë në dyshim integritetin e kujtdo që mendon ndryshe. Vetëm kështu mund të ndërtohen organizata që funksionojnë edhe kur ndryshojnë drejtuesit dhe që nuk shpërbëhen sa herë lind një konflikt.
Në një kuptim më të gjerë, këtu qëndron edhe një nga sfidat kryesore të demokratizimit të Shqipërisë. Për sa kohë që nuk arrijmë t’i besojmë njëri-tjetrit, do të vazhdojmë të kërkojmë mbrojtje te njerëzit e fuqishëm dhe të mbetemi të varur prej tyre.
Një shoqëri qytetarësh të lirë nuk ndërtohet vetëm duke kufizuar pushtetin e atyre që na qeverisin, por edhe duke forcuar aftësinë tonë për të bashkëpunuar si të barabartë. Sa më shumë besim të kemi te njëri-tjetri, aq më pak nevojë do të kemi për një njeri të fortë mbi ne.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.