🌦️
Tiranë 14°C · Rrebesh i lehtë 09 Nëntor 2026
S&P 500 7,377 ▲0.31%
DOW 51,286 ▼0.46%
NASDAQ 24,579 ▲1.09%
NAFTA 90.30 ▼0.58%
ARI 4,107 ▲0.79%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1149 EUR/GBP 0.8343 EUR/CHF 0.9137 EUR/ALL 90.8435 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5766 EUR/TRY 55.9604 EUR/JPY 176.51 EUR/CAD 1.5735 EUR/USD 1.1149 EUR/GBP 0.8343 EUR/CHF 0.9137 EUR/ALL 90.8435 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5766 EUR/TRY 55.9604 EUR/JPY 176.51 EUR/CAD 1.5735
₿ CRYPTO
BTC $74,226 ▼ -2.19% ETH $2,106 ▼ -5.82% XRP $1.0882 ▼ -6.41% SOL $86.2500 ▼ -3.39%
S&P 500 7,377 ▲0.31 % DOW 51,286 ▼0.46 % NASDAQ 24,579 ▲1.09 % NAFTA 90.30 ▼0.58 % ARI 4,107 ▲0.79 % S&P 500 7,377 ▲0.31 % DOW 51,286 ▼0.46 % NASDAQ 24,579 ▲1.09 % NAFTA 90.30 ▼0.58 % ARI 4,107 ▲0.79 %
EUR/USD 1.1149 EUR/GBP 0.8343 EUR/CHF 0.9137 EUR/ALL 90.8435 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5766 EUR/TRY 55.9604 EUR/JPY 176.51 EUR/CAD 1.5735 EUR/USD 1.1149 EUR/GBP 0.8343 EUR/CHF 0.9137 EUR/ALL 90.8435 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5766 EUR/TRY 55.9604 EUR/JPY 176.51 EUR/CAD 1.5735
09 Nën 2026
Breaking
Opinion

Sali, me sharje dhe mallkime nuk vjen në pushtet

Prof. Asoc. Dr. Pëllumb Karameta

Sali Berishën e njoh që në zanafillën e demokracisë shqiptare. Për gati dy vjet punova për Partinë Demokratike, vetëm dy dyer larg zyrës së tij. Besonim se po ndërtonim jo thjesht një parti të re, por një kulturë të re politike. Pas dekadash diktature, shpresonim se mendimi ndryshe nuk do të ishte më arsye për armiqësi. Por kuptova se ndryshimi i sistemit nuk ndryshonte domosdoshmërisht edhe mendësinë.

Nga ajo periudhë kujtoj një bisedë të Sali Berishës me një përfaqësues të Fondacionit Konrad Adenauer, në mars të vitit 1991. Pas takimit, ku isha i pranishëm edhe unë, e pyeta Gertin për përshtypjet e tij. Ai buzëqeshi me ironi dhe më tha: «Rasti solli të bisedoja me një komunist». Nuk e harroj atë buzëqeshje që thoshte shumë. As fjalinë.

Nuk e mora atë fjali si përcaktim të përkatësisë politike të Berishës. Më shumë më intrigoi ajo që bashkëbiseduesi im kishte dalluar në mënyrën e tij të të menduarit. A mjafton të jesh kundër komunizmit për të qenë demokrat? Mund ta kundërshtosh komunizmin si sistem dhe të ruash mendësinë autoritare që e karakterizonte. Mund të kërkosh pluralizëm për të ardhur në pushtet, por të mos e durosh mendimin ndryshe brenda partisë sate.

Nga shumëçka që ma thelloi zhgënjimin, veçoj njërën. Njerëzit pranë Berishës përdornin ndaj atyre që mendonin ndryshe etiketën «spiun i komunistëve». Nga ajo që shihja, isha i bindur se kjo sjellje kishte miratimin e tij. Në atmosferën e asaj kohe, kjo nuk ishte thjesht fyerje. Ishte akuzë që mund ta diskreditonte njeriun, ta izolonte politikisht dhe ta kthente në të dyshuar.

Kishim kërkuar demokracinë që të mos kishte më armiq për shkak të mendimit. Por po mësonim përsëri si t’i shpallnim armiq dhe spiunë ata që mendonin ndryshe.

Nuk isha bashkuar me Partinë Demokratike për të ndryshuar vetëm emrat e atyre që kishin të drejtë të etiketonin të tjerët. U largova sepse nuk pranoja që besnikëria ndaj drejtuesit të vendosej mbi parimet.

Tridhjetë e pesë vjet më pas.

Kam ndjekur rolin e Berishës në jetën politike shqiptare, në pushtet dhe në opozitë. Kam parë aleatë të kthyer në kundërshtarë dhe kam dëgjuar akuza e fyerje që, sipas meje, shpesh kanë zënë vendin e argumenteve.

Urrejtja politike nuk është pronë e një njeriu apo partie. Por në mënyrën si e kam përjetuar lidershipin e Berishës, ajo ka qenë tipar i përsëritur. Kanë ndryshuar rrethanat dhe personazhet, por jo mënyra e trajtimit të kundërshtarit.

Kur argumenti zëvendësohet me etiketën, debati politik pushon së qeni debat. Kur kundërshtari paraqitet si njeri që meriton dhunë fizike, problemi nuk është më vetëm gjuha.

Më 29 tetor 2026, nga foltorja e Kuvendit, Berisha deklaroi se deputetët e mazhorancës meritonin gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara dhe kockat e thyera.

Nuk po diskutoj nëse qeveria meriton të largohet. Po pyes: Me ç’të drejtë mund t’i thyhen kockat dhe t’i çahet kafka një kundërshtari politik? Si mund të pajtohet kjo me parimin se dhuna nuk zgjidh kundërshtitë politike?

Ditët e fundit kam ironizuar në media qëndrimet dhe veprimet e studentëve, pedagogëve dhe politikanëve që kërkojnë ndryshimin e qeverisë.

Kam kritikuar qëndrimet dhe veprimet e tyre, por tërthorazi edhe lidershipin e Berishës. Sepse pas thirrjeve për largimin e qeverisë qëndron një mënyrë e të bërit opozitë, për të cilën drejtuesi politik mban përgjegjësi.

Kam pyetur si mund të shpallet një protestë vendim i popullit, pa provuar se pjesëmarrësit përfaqësojnë shumicën. Kush e cakton arbitrin kur shpallet se populli i ka treguar kryeministrit kartonin e kuq?

Protesta është e drejtë. Përfaqësimi kërkon mandat. Ndryshimi i pushtetit kërkon procedurë.

Kam mbrojtur të drejtën e studentëve dhe pedagogëve për të protestuar, por edhe detyrimin për të respektuar Kushtetutën. Autoriteti akademik nuk e shndërron bindjen politike në të vërtetë shkencore.

Kam shkruar për dhunën, duke këmbëngulur se ajo nuk ndryshon përkufizim kur ndryshon autori i saj. Nuk mund të dënojmë dhunën ndaj protestuesit dhe të heshtim për dhunën ndaj policit.

Kam shkruar për dialogun, marrëveshjen dhe votimin. Protesta është e drejtë demokratike, por nuk zëvendëson procedurat kushtetuese për ndryshimin e pushtetit.

Demokracia kërkon jo vetëm të drejtën për të kundërshtuar pushtetin, por edhe respektimin e rregullave me të cilat ai fitohet dhe ndryshohet.

Nuk i kam shkruar këto pamflete për të mbrojtur qeverinë apo për t’i mohuar opozitës të drejtën të kërkojë pushtetin. Rregullat demokratike nuk mund të përcaktohen sipas interesit të çastit.

E ndërsa shkruaja, më kthehej në mendje përvoja ime në fillimet e Partisë Demokratike. Sa shumë kanë ndryshuar rrethanat! Dhe sa të njohura më duken disa mënyra të politikëbërjes!

Nëse qeveria ka gabuar, trego ku. Nëse ka shkelur ligjin, paraqit faktet në opinion dhe në gjykatë. Nëse duhet të largohet, shpjego arsyet dhe rrugën kushtetuese. Nëse kërkon ta zëvendësosh, paraqit alternativën, jo të shkulësh gurët e bulevardit.

Kundërshtari politik nuk mposhtet me urrejtje dhe dhunë, por me argumente.

Sot, në moshën 76-vjeçare, po ju drejtoj një këshillë, doktor. Jo për të shlyer zhgënjime personale, por sepse besoj ende te parimet për të cilat u angazhova në fillimet e demokracisë.

Sali, nuk është asnjëherë vonë të mësoni të falni.

Nuk po ju kërkoj të mendoni si unë. Por as ju nuk mund të kërkoni që unë të mendoj si ju. Edhe kur kundërshtimi bëhet i ashpër, kur kritika ju duket e padrejtë apo fjala ju lëndon, mos e ktheni kundërshtarin në armik. Falja nuk kërkon të hiqni dorë nga bindjet, por nga armiqësia.

Një udhëheqës lë pas jo vetëm fitore e humbje, por edhe shembullin se si i trajton kundërshtarët. Do të dëshiroja që brezat e rinj të mësonin prej jush se argumenti vlen më shumë se ashpërsia e fjalës.

Nëse nuk arrini të falni, përjetoni të paktën ndjesinë e faljes. Kaq mund t’ia lejoni vetes.

Sepse falja është hakmarrja më fisnike.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.