Salianji takim me demokratët në Tiranë: Rama autokrat i Shqipërisë, Berisha i opozitës!
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar këtë të premte, më 29 maj, takimet me strukturat dhe mbështetësit e tij në kryeqytet.
“Shqipëria po zbrazet çdo ditë!”, tha Salianji gjatë fjalimit të tij, duke e konsideruar këtë një “tragjedi“, ndërsa filloi të rendiste shifrat e INSTAT për lindjet në vend dhe largimet e të rinjve nga Shqipëria.
Salianji u shpreh se qeverisja e kryeministrit Edi Rama ka sjellë një pushtet korruptiv dhe një shoqëri të zhgënjyer. Ai shton se “spitalet nuk kanë ilaçe për kancer, por kanë subvencione për të bërë terapi hormonale për njerëz që nuk dihet se çfarë qëndrimi kanë”.
Duke u ndalur tek lëvizja e tij dhe opozita, ish-deputeti demokrat, i cili ka patur përplasje të forta në distancë me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën, e konsideroi këtë të fundit autokratin e opozitës.
“Nëse Edi Rama, të nderuar miq, para 12-13 vitesh tha rilindje, ne nuk mund të pranojmë sot që në Partinë Demokratike të jenë kaq përtacë sa të thonë në Kuvendin e nesërm të uzurpimit ‘Ripërtëritje’. Njëri ‘rilindje’ e tjetri ‘ripërtëritje’! Njëri vjedh Shqipërinë, tjetri vjedh opozitën. Rama autokrat i Shqipërisë, Berisha autokrat i opozitës!”, u shpreh Salianji, i cili bëri thirrje nga Akademia e Arteve, ku u zhvillua takimi, për një hapje të PD-së dhe një përballje të kryetarit Berisha me garën.
“Sali Berisha duhet të përballet me garën, me votën dhe me përgjegjësitë e veta. PD nuk mund të reduktohet. Është e qartë që ndryshimi i Shqipërisë mund të kalojë vetëm nëse PD ndryshon. Zgjedhja është ose të vazhdojë rrugën e tkurrjes, apo të hapë një kapitull të ri. Vetëm përmes hapjes mund të rikthehet si shumicë qeverisëse në vend. Duhet të kthehemi te liria individuale, prona private, të hapet ndaj të djathtës tradicionale. Të hapur ndaj kujtdo që dëshiron largimin e Ramës. Ne duhet të kthejmë meritokracinë si standard.”, deklaroi Salianji.
Sipas tij, sot në PD më të dështuarit promovohen dhe më të suksesshmit ndëshkohen. Salianji thekson se PD nuk mund të jetë pronë e një individi për interesa personale.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.