Rajoni

Schultz paralajmëron Athinën: Pasoja dramatike, nëse dështojnë bisedimet

Zhvillimet e orëve të fundit tregojnë se java e ardhshme do të jetë vendimtare për kryeministrin grek, Aleksis Tsipras, në odisenë e tij katërmujore nën një presion gjithnjë e në rritje, për të siguruar një marrëveshje me kreditorët e vendit, përpara se rezervat e parave të mbarohen krejtësisht.

Paralajmërimi më i fundit i vjen kryeministrit grek nga kreu i PE-së, Martin Schultz, i cili në një intervistë për “Die Welt” thekson se, dështimi i arritjes së një marrëveshjeje me kreditorët do të kishte pasoja dramatike dhe se, kjo gjë e vendos Tsiprasin përballë përgjegjësisë me të gjithë BE-në.

Edhe zv.kancelari gjeman, Zigmar Gabriel, duke pohuar se opinioni publik në Gjermani kërkon tashmë largimin e Greqisë nga Eurozona, ka theksuar përsëri se Europa ndodhet në limitet e saj, përsa i përket negociimit me qeverinë greke.

Pasi Greqia ka shtyrë pagesën e një detyrimi ndaj FMN-së, 3 ditë më parë, klima është rënduar edhe më shumë, kur agjencia “Reuters” ka pohuar se kreu i KE-së, Jean-Claude Junkcer ka refuzuar t’i përgjigjet kryeministrit grek në një bisedë telefonike mesditën e së shtunës, informacion që konfirmohet nga Brukseli, por jo nga Athina.

Pas kësaj, Tsipras ka kërkuar dhe ka zhvilluar një telekonferencë me Kancelaren Merkel dhe Presidentin Hollande, të cilët do t’i takojë përsëri nga afër të mërkurën e ardhshme, në një përpjekje për të siguruar mbështetjen politike për propozimet greke, duke propozuar një plan për kalimin e ekonomisë nga recesioni drejt rimëkëmbjes.

Tsipras, ende thekson se nuk bën lëshime të mëtejshme në kërkesat e kreditorëve, shumicat e të cilave i quan absurde dhe të papranueshme. Por ka gjasa, që qeveria e tij të lëshojë terren në objektivat fiskale dhe në një rregullim të sistemit të TVSH-së, ndërkohë që i kërkohen reforma të guximshme, veçanërisht në sektorin e pensioneve dhe marrëdhënieve të punësimit.

Në këtë situatë, ai nuk ka edhe shumë mundësi zgjedhjeje. Nëse pranon kërkesat e ashpra të kreditorëve, ato nuk do të votohen nga një pjesë e madhe e radikalëve të majtë të partisë së tij. Nëse i refuzon, mund të çojë vendin në greminë, jashtë Eurozonës, ndërkohë që shumica e grekëve, sipas sondazheve, kërkojnë që Greqia të mbetet në Eurozonë.

Siç i ka theksuar edhe Kancelarja gjermane Merkel, formulën e artë që duhet të gjejë, duhet ta paraqesë sa më shpejt para kreditorëve për ta ratifikuar, sidomos në Parlamentin e Gjermanisë, pasi Bundestagu mbyll punimet në datën 14 qershor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button