Seanca për Specialen: LDK nuk i bashkohet nismës, Haradinaj — vendimi i Hagës ofendim për popullin e Kosovës
Seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara po zhvillohet sot, më 5 tetor, me diskutime të nxehta në foltore, siç njofton Klan Kosova.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi në foltoren e Kuvendit se partia e saj nuk e mbështet nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. “LDK nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme”, tha ajo gjatë fjalimit në seancën e jashtëzakonshme, duke paralajmëruar me kohë, sipas saj, “për rreziqet e mundshme juridike, politike dhe ndërkombëtare që ajo bart”.
Lushaku-Sadriu u bëri thirrje propozuesve dhe deputetëve “t’i marrin seriozisht këto rreziqe dhe të veprojnë në interes të drejtësisë së Republikës së Kosovës”. Ajo theksoi se lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe se mbrojtja e karakterit të saj çlirimtar, përkushtimi ndaj drejtësisë për viktimat dhe ruajtja e interesit shtetëror të Kosovës “janë përgjegjësi ndaj të cilave LDK-ja do t’u qëndrojë besnike gjithmonë”.
Në krahun tjetër, deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, tha se vendimi dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së është ofendim për popullin e Kosovës. “Për gjakun tonë edhe për këtë Parlament edhe për drejtësinë. Dhe nuk është në emrin tim, nuk është në emrin e popullit të Kosovës”, deklaroi Haradinaj në seancë, siç përcjell Klan Kosova. Sipas tij, si përgjigje ndaj Speciales do të ishte anulimi i plotë i kësaj gjykate, por “ligjin e sotëm Aleanca e voton”, dhe i kërkon Parlamentit ta vendosë me mocion në dy lexime e ta kryejë sot — pasi iniciativa e ndërmarrë është, sipas tij, “pak dhe e vonshme”.
Pyetja kryesore mbetet vota e Lëvizjes Vetëvendosje: kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk e zbuloi qëndrimin e grupit parlamentar të VV-së, duke u shprehur shkurtimisht “do ta shohim pas pak”. Vlen të theksohet se seanca e jashtëzakonshme është thirrur me kërkesën e Grupit Parlamentar të VV-së, me 40 nënshkrime të mbledhura.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.