Zgjerimi i Bashkimit Europian në kohë lufte dhe pasigurie
Nga Odeta Barbullushi
Aspektet politike dhe teknike të politikës së re të zgjerimit
Çdo tetor vendet kandidate presin me ankth prej studenti raportin vjetor të Komisionit Evropian mbi përmbushjen nga ana e tyre të kushteve që lidhen me reformat e paketës së negociatave. Ndryshe nga vitet e mëparshme, ky tetor do të sjellë disa risi në lidhje me politikën e zgjerimit, dhe të asaj c’ka rëndom është cilësuar si integrimi gradual i vendeve të rajonit në Bashkimit Evropian. Krahas raporteve të përvitshme mbi ecurinë e reformave, Komisioni Evropian pritet që të prezantojë dhe një plan pune për vendet pararojë të procesit të integrimit si dhe një strategji të re mbi integrimin gradual apo me faza të kandidatëve në BE.
Propozimet e tetorit të Komisionit Evropian pritet të përfshijnë udhërrëfyes të qartë dhe me piketa kohore si dhe detyra konkrete si për Malin e Zi dhe Shqipërinë, ashtu dhe për Moldavinë dhe Ukrainën. Udhërrëfyesit do të përfshijnë hapat që jo vetëm vendet kandidate por dhe vendet anëtare do të duhet duhet të ndërmarrin deri në fund të vitit 2027 me synim përmbylljen e procesit teknik të negociatave. Këto udhërrëfyes, së bashku me propozimet e Komisionit në lidhje me integrimin gradual, do t’i paraqiten liderave të vendeve anëtare në Samitin e mes tetorit.
Po përtej sekuencës së këtyre hapave institutionale, duhet kuptuar sfondi i këtyre ndryshimeve dhe, më me rëndësi sfidat që kane cuar në këtë moment riformatimi të politikës së zgjerimit. Këto sfida mundë përmblidhen në tre: së pari, adresimi i aspiratave të Ukrainës për anëtarësim dhe garanci sigurie nga njëra anë dhe kërkesës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për përfshirje më të madhe në instrumentet ekonomikë të Unionit me synim përmirësimin e konvergjenës ekonomiko-sociale; së dyti, garantimi i ecurisë dhe pakthyeshmërisë së procesit të reformave, kryesisht në bllokun e kapitujve të Themeloreve, që lidhen drejtëpërsëdrejti me qëndrueshmërinë e institutioneve të shtetit ligjor, demokracisë dhe drejtësisë në vendet anëtare; së treti, forcimi i besueshmërisë të procesi i integrimit evropian, dhe më gjerë, të Bashkimi Evropian, packa mundësisë së vendeve anëtare për të bllokuar procesin gjatë rrugës ose në fund të procesit. Pika e fundit lidhet pazgjidhshmërsisht me nevojën e reformimit të brendshëm i Bashkimit Evropian në funksion të mirëfunksionit të vendimarrjes, rritjes së konkurrueshmërinë dhe forcimit të autonomonisë strategjike, përkundrejt aktorëve të tjerë. Kjo në një kohë kur për shkak të luftës në Ukrainë dhe tensioneve transatlantike, BE ka më shumë nevojë se kurrë që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë të demonstrojë unitet, besueshmëri si dhe qartësi strategjike.
Në këtë kontekst, politika e zgjerimit në këtë moment shërben për Bashkimin Evropian si një instrument influence të ambjentit të jashtëm të sigurisë, ashtu dhe një instrument të ri-krijimit të identitetit të saj të ri. Ndryshimet e kësaj politike që priten të propozohen në ditët e ardhshme duhen parë në prizmin e këtyre zhvillimeve dhe ri-pozicionimi të Unionit.
Integrim gradual dhe rregulla të reja: një metodologji e re bazuar mbi një ide të vjetër?
Një prej aspekteve të zgjerimit që propozimet e reja të Komisionit do të rreken të adresojnë është hendeku i madh mes të qënit vend anëtar, me të drejta të plota, dhe të qënit vend shumë afër anëtarësimit dhe i avancuar në rrugën e integrimit, por ende jo anëtar. Për t’iu përgjigjur kësaj sfide, në Këshillin Europian në Grenada të Spanjës në tetor 2023, vendet anëtare u zotuan për një përgatitje të të dy paleve, si të vendeve kandidate, ashtu dhe të vendeve anëtare për zgjerimin e Unionit, si dhe integruan konceptin e integrimit gradual në kornizën politike të zgjerimit.
Në maj të këtij viti, pesë vende, të njohura dhe si miqtë e zgjerimit, Austria, Italia, Republika Ceke, Slovakia dhe Slovenia qarkulluan një document konfidencial, ku propozonin një process integrimi gradual, të bazuar në meritë individuale, të vendeve kandidate në Tregun e Përbashkët. Pak javë më vonë, në një lëvizje më politike sesa teknike, Presidenti francez Macron dhe Kancelari gjerman Scholz bashkë-hartuan një propozim për integrimin gradual të vendeve kandidate, mundësinë e një statusi të anëtarit të asociuar për Ukrainën si dhe mundësinë e anëtarësimit të vendeve kandidate në procesin e zgjerimit në Tregun e Përbashkët, para anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Propozimi franko-gjerman shkonte kështu përtej integrimit në Tregun e Përbashkët, pasi synonte të adresonte dhe cështjen e integrimit gradual politik të vendeve kandidate dhe ofrimin e njëfarë garancie sigurie për Ukrainën.
Ndërkohë, si pandemia ashtu dhe lufta në Ukrainë nxorën në pah nevojën e përfshirjes së vendeve partnere në përpjekjet evropiane kundër sfidave të përbashkëta të sigurisë, nevojë kjo e identifikuar në Kompasin Strategjik të Sigurisë dhe Mbrojtjes të 2022. I shtyrë nga rrethanat e këtij konteksti gjeopolitik, Bashkimi Evropian inicioi disa nisma me synim forcimin e bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor dhe integrimin gradual të vëndeve të rajonit në disa fusha strategjike.
Më i rëndësishmi nga këto është instrument si Plani i Rritjes dhe i reformave për Ballkanin Perëndimor në 2023, i konceptuar me qëllim për të përmbushur tre misione njëherësh: për t’i shtyrë vendet për të kryer reformat përkundrejt nxitjes apo sanksioneve financiare, për të mundësuar integrimin gradual të vendeve të rajonit në fusha si energjia dhe dekarbonizimi, lëvizja e lirë e mallrave, e shërbimeve dhe e krahut të punës, krijimi i një tregu të përbashkët dixhital, lehtësimi i transportit si dhe integrimi në hapësirën evropiane të pagesa elektronike; së fundmi, aftësimi i vendeve të rajonit për të tëhequr një volum më të madh të financimeve të Bashkimit Evropian, si parapërgatitje e tyre për aksesim të fondeve të kohezionit, që do të pasoje integrimin e plotë si vende anëtare.
Në aspektin ekonomik, ky proces i integrimit gradual ka filluar tashmë me disa iniciativa, si psh. me anëtarësimin e vendeve të rajonit në SEPA (Marrëveshja për Pagesat e Njësuara Evropiane), me përfshirjen e vendeve të rajonin në Korridoret e Gjelbra të tregtisë dhe transporit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, e deri në marrëveshjen e pritshme në muajt në vijim për uljen e tarifave roaming të telekomunikacionit mes Unionit dhe vendeve të rajonit.
Por megjithë meritën e Planit të Rritjes si instrument përgatitor, monitorues por dhe si kushtëzues i BE-së për vendet kandidate, ai nuk zevëndëson dot anëtarësimin e plotë, si përsa i përket transformimit politik ashtu dhe konvergjencës ekonomike që procesi i anëtarësimit pritet të sjellë. E njëjta gjë mund të thuhet në lidhje me qasjen e integrimit gradual në tërësi; ai nuk premton anëtarësim në Tregun e Përbashkët e aq më pak anëtarësim të plotë në BE.
Për këtë arsye, paralelisht me fillimin e punës për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Bashkimit Evropian me Malin e Zi, vendet anëtare dhe Komisioni kanë punuar prej muajsh mbi një sërë propozimesh për ofrimin e incentivave ekonomike për vendet që janë më afër permbushjes së reformave. Në këtë kuadër, iniciativa më e rëndësishme pritet të jetë ajo në lidhje me mundësinë e anëtarësimit të vendeve kandidate në Tregun e Përbashkët në momentin e përmbushjes së të gjithë detyrave e kushteve që lidhen me anëtarësimin—pra, në periudhën mes përfundimit të procesit teknik të negociatave dhe ratifikimit të marrëveshjes nga vendet anëtare. Ndërsa për Kroacinë, kjo periudhë e ndërmjetme zgjati rreth një vit e gjysmë, dhe për vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore vetëm një vit, bllokimi i ratifikimit të Traktatit të anëtarësimit të vendeve të reja nga vendet anëtare mund të zgjasë shumë më tepër.
Ky opsion do të ofronte një anëtarësim të ngjashëm me atë të Lihtenshtajnit, Islandës dhe Norvegjisë në Zonën Evropiane Ekonomike (EEA), së bashku me 27 vendet anëtare të BE-së. Kjo do të thotë marrëveshje anëtarësimi në Tregun e Përbashkët, por në ndryshim nga vendet anëtare të BE-së, përjashtim nga aderimi nga Politika e Përbashkët e Bujqësisë dhe e Peshkimit, Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë, Politikat e Taksimit të Unonit, Bashkimi Doganor, Drejtësia dhe Cështjet e Brendshme (përfshi dhe bashkëpunimin policor). Po ashtu, vendet jo anëtare të BE që aktualisht aderojnë në EEA nuk kanë akses në fondet strukturore të kohezionit, një instrument ky i identifikuar si akselerator i konvergjencës social dhe ekonomike mes rajonit dhe BE-së.
Packa këtyre, kjo qasje do të forconte parashikueshmërinë dhe besueshmërinë e procesit, në kushtet kur ekziston rreziku i bllokimit të anëtarësimit të vendeve të reja nga rajoni nga vende anëtare, si psh. Franca. Një mundësi e tillë është reale dhe e mundshme, pasi në vende anëtare si Franca, mbështetja për anëtarësimin e vendeve nga Ballkani Perëndimor është jo më e lartë se 36% dhe 40% për Shqipërinë dhe Malin e Zi, respektivisht, sipas sondazhit të Eurobarometrit mbi Zgjerimin të shtatorit 2025.
Megjithatë, duhet mbajtur parasysh që dhe për të shkuar deri në momentin final të përmbylljes së procesit teknik të negociatave dhe integrimit në Tregun e Përbashkët, vendet kandidate duhet të kalojnë nëpër të njëjtin proces sic do të duhej të kalonin për anëtarësim të plotë, përfshirë të gjithë reformat që lidhen me forcimin e shtetit ligjor, drejtësisë dhe institucioneve demokratike. Për të shmangur mos-bllokimin e procesit të negociatave teknike për zgjerim nga vendet anëtare, ne momente si psh, hapja e një grupkapitulli të caktuar apo dhe kapitujve të caktuar, Komisionit pritet të propozojë dhe reformimin e votimit të brendshëm dhe kalimin nga votimi me unanimitet në atë me shumicë të kualifikuar për hapat tranzitorë të procesit, një praktikë kjo e njohur si aplikim i ‚klauzolave pasarelë‘ apo ‚lidhëse‘ pa cuar në ndryshim të Traktateve të BE-së për vendimarrje në fusha të caktuara. Aplikimi i klauzolave pasarelë në fushën e zgjerimit do të bënte të mundur që vendet anëtare të votojnë me unanimitet vetëm për momentet vendimtare, si psh. në lidhje me hapjen apo mbylljen e procesit të negociatave. Për hapat e ndërmjetëm, votimi me shumicë të kualifikuar do të mjaftonte. Kjo përbën një ndryshim thelbësor të politikës së zgjerimit dhe cliron vendimarrjen në Këshill nga ngërci i bllokimit nga aktorë politikë të brendshëm në vendet anëtare ose nga ‚bilateralizimi i procesit‘ krijuar për arsye që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe të vendeve anëtare me kandidatët që presin pas portës.
Ndryshimi tjetër i politikës së zgjerimit pritet të lidhet me garancitë shtesë për të shmangur sprapsjen demokratike të vendeve nga reformat e kryera në momëntin e anëtarësimit në BE. Eksperienca e rritjes së tendencave autoritare në disa vende të reja anëtare si dhe rezultatat e kufizuara të Mekanizmit të Bashkëpunimit dhe Verifikimit të përdorura në rastin e Rumanisë dhe Bullgarisë për të siguruar qëndrueshmërinë e reformave pas anëtarësimit, kanë cuar në nevojën e hartimit të një sërë ‚garancish‘ (safeguards) për vendet e reja. Kjo do të thotë që Traktati i ri i Anëtarësimit I Malit të Zi, i cili do të shërbejë si një lloj udhërrëfyesi për Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate, do të trupëzojë një sërë mekanizmash monitorimi dhe ‚ndëshkimi‘ të anëtarëve të rinj, në rast përdorimit të vetos, ose të bërit hapa pas në reformat e shtetit ligjor.
Së fundmi, integrimi gradual nuk do të ndalet te integrimi në Tregun e Përbashkët, por dhe në mekanizma dhe institucione komunitare para anëtarësimit të plotë të vendeve kandidate në BE. Një shembull i këtij integrimi institucional gradual është përfshirja e përfaqësuesve të shoqërisë civile të vendeve kandidate në Komitetin Evropian të Cëshjeve Sociale dhe Ekonomike (EESC). Ambicja e propozimeve të reja pritet të shtrihet deri në pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverive të vendeve kandidate në mbledhjet e liderave ose Ministrave të vendeve anëtare të BE-së mbi fusha të rendësisë strategjike dhe të përbashkët. Aspekti politik është po aq i rëndësishëm pasi ndihmon në atë që quhet ‚socializim institucional‘, pra njohje ndërmjet ndërveprimit dhe të nxënit të normave të sjelljes së vendeve brenda institucioneve të BE-së.
Kufizimet e anëtarësimit gradual apo me faza
Megjithë meritat e propozimeve për integrim gradual, duhet thënë që integrimi ekonomik gradual është një ide jo fort e re, e integruar organikisht në fakt në procesin e anëtarësimit të vendeve të reja. Në të vërtetë, anëtarësimi gradual në Tregun evropian nëpërmjet mundësimit të lëvizjes së lirë të mallrave, krahut të lirë dhe shërbimeve është e parashikuar në Marrëveshjet dypalëshë të Asociim-Stabilizimit mes BE-së dhe vendeve të rajonit. Prandaj dhe është e domosdoshme që propozimet e reja të Komisionit të përfshijnë hapa konkretë dhe datat deri kur pritet që katër vendet e mësipërme të jenë gati për firmosjen e Traktatit të Anëtarësimit, si dhe i hapave deri në vijën e finishit të procesit teknik të anëtarësimit. Për më tepër, vetë Unioni duhet të zotohet të marrë hapat e duhur drejt reformimit të vendimarrjes brenda 2027-ës.
Qasja e re në lidhje me politikën e zgjerimit do të sjellë një hop cilësor në marrëdhënien e kandidatëve si Mali i Zi dhe Shqipëria, si dhe vendet e partneritet Lindor, me Bashkimin Evropian. Por në praktikë, ato mund të krijojnë dhe dy kategori të ndryshme të anëtarëve brenda Unionit, në vendet me të drejta të plota dhe ata me më pak të drejta politike, por të integruar gradualisht në të gjithë mekanizmat dhe institucionet e Unionit, përfshi dhe Tregun e Përbashkët. Për më tepër, me anëtarësimin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë, BE-së i duhet të mendojë një plan ri-angazhimi dhe në pjesën tjetër të rajonit, si në rrafshin ekonomik ashtu dhe në atë të sigurisë.
Së fundmi, një dialog intensiv si me administratën publike, ashtu dhe me shoqërinë civile, universitet e mediat do t’i japë strategjisë së re më shumë besim dhe një sens pronësie të aktorëve, kryesisht të vendeve kandidate. Zgjidhjet e ofruara mund të jenë të natyrës teknike, por problemet që rreken të zgjidhin janë kryekëput politike, dhe si të tilla duhet të përfshijnë qytetarët dhe lidershipin e vendeve kandidate.
Ky shkrim botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi evropian” të Institutit Shqiptar të Medias.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.