Serbia i dërgon notë proteste Kroacisë, e akuzon për ndërhyrje në procesin zgjedhor
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i ka dërguar Zagrebit një notë proteste, duke e akuzuar Kroacinë për ndërhyrje në zgjedhjet e 25 tetorit dhe mediat kroate për raportim joobjektiv për zhvillimet e brendshme politike në Serbi.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i ka dërguar Kroacisë një notë proteste, bëjnë të ditur “Novosti”, sipas të cilave Beogradi e cilëson atë si reagim ndaj ndërhyrjes në procesin zgjedhor në Serbi dhe në çështjet e brendshme të vendit. Lajmi u përcoll të mërkurën pasdite edhe nga B92 dhe media të tjera serbe.
Sipas raportimit të “Novosti”-t, në notë thuhet se Serbia e konsideron të papranueshëm çdo përpjekje për ndikim të jashtëm në proceset e saj të brendshme politike, përfshirë ndërhyrjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë në aktivitetet zgjedhore dhe në garën politike gjatë fushatës.
Shqetësim të veçantë, sipas palës serbe, përbën paraqitja gjithnjë e më e shpeshtë e zhvillimeve të brendshme në Serbi përmes interpretimeve të njëanshme dhe negative në Kroaci, si dhe përpjekjet për t’i lidhur proceset politike në vend me një kërcënim të pretenduar për stabilitetin rajonal.
Në notë konstatohet se qasje të tilla nuk i kontribuojnë besimit të ndërsjellë, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e as dialogut konstruktiv mes dy vendeve. Nota vjen në kulmin e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, e cila po zhvillohet në një klimë të thellë polarizimi në Serbi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.