🌧️
Tiranë 16°C · Shi i lehtë 02 Nëntor 2026
S&P 500 7,598 ▲0.24%
DOW 52,256 ▲0.94%
NASDAQ 25,460 ▲0.09%
NAFTA 96.09 ▼7.71%
ARI 3,969 ▲1.8%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587 EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587
₿ CRYPTO
BTC $76,990 ▼ -1.27% ETH $2,253 ▼ -0.63% XRP $1.2383 ▼ -1.03% SOL $92.0600 ▼ -2.76%
S&P 500 7,598 ▲0.24 % DOW 52,256 ▲0.94 % NASDAQ 25,460 ▲0.09 % NAFTA 96.09 ▼7.71 % ARI 3,969 ▲1.8 % S&P 500 7,598 ▲0.24 % DOW 52,256 ▲0.94 % NASDAQ 25,460 ▲0.09 % NAFTA 96.09 ▼7.71 % ARI 3,969 ▲1.8 %
EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587 EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587
02 Nën 2026
Breaking
Opinion

Sfida e PD-së, të shkëputet nga establishmenti për të qenë me protestën!

Nga Fitim Zekthi

Protesta, e cila ka nisur në qershor të këtij viti dhe në tetor u shndërrua në një lloj revolte të dhunshme rinore studentore, duket se ka hyrë në një fazë të re. Ajo është bërë më e qetë, por jo si gjatë verës. Ruhet përditshmëria e saj, duke u bërë më e gjallë dhe duke marrë një formë disi më të zhurmshme gjatë fundjavës. Kjo duket se do të vijojë derisa kjo qeveri të jetë në këmbë. Ky është lajmi bazë i protestës.

Të shtunën që kaloi, protesta prodhoi edhe një lajm tjetër, i cili shkaktoi gjithashtu debat. Partia Demokratike kërkoi t’i bashkëngjitej protestës dhe u përball me protestues që nuk e donin atë në protestë. Partia Demokratike reagoi duke thënë se protesta nuk ka një pronar dhe se njerëzit e Partisë Demokratike nuk i duan njerëzit e partisë së Arlind Qorit etj.

Lajmi mbi përplasjen e PD-së me protestën është një lajm shumë i rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare. Partia Demokratike do të duhet të shihet si një forcë e rëndësishme e protestës, do të duhet të pritej dhe të mirëpritej prej saj, përderisa bëhet fjalë për një protestë që është në thelb kundër qeverisë dhe kërkon rrëzimin e saj. Mirëpo, ka një problem themelor: pse protesta nuk e pranon PD-në? Gjëja e parë që duhet të bëjë PD-ja është të kuptojë thelbin e protestës; çfarë është ajo, çfarë kërkon dhe çfarë përfaqëson.

Protesta ka shumë ngjyra, shumë rryma dhe shumë kërkesa. Në të marrin pjesë shtresa dhe kategori të ndryshme, por ajo që, që në fillim, i përbashkon të gjitha ngjyrat, rrymat dhe shtresat në një gjë është se ajo është kundër establishmentit. Protesta është në thelb një frymë antiestablishment.

Fryma e protestës, që ditën e parë, artikuloi qartësisht se ajo ishte kundër mënyrës se si qeverisej Shqipëria, ishte kundër klasës politike që kishte qeverisur vendin dhe ishte kundër krijimit të një shtrese, ose gati një kaste, politikanësh dhe vendimmarrësish që për vite me radhë, madje për dekada, drejtonin qeverinë, parlamentin dhe partitë kryesore të vendit. Për protestën nevojitet një përmbysje e plotë e këtij moçali, e kësaj kënete. Kjo lloj fryme ishte e përbashkëta e saj. Kjo lloj fryme bëri që ajo të ishte protesta më e madhe dhe më përfshirëse e shoqërisë shqiptare.

Në qendër të saj ishte rinia. Të gjithë e kujtojnë qershorin dhe bulevardin që brohoriste dhe bërtiste nga zërat e rinisë.

Me kalimin e kohës pati, dhe ka edhe më shumë, përpjekje për ta prishur këtë frymë, për t’i dhënë protestës diçka më të ngushtë, për ta bërë atë të përfaqësojë diçka më të kufizuar ose për t’ia dobësuar atë që përfaqëson. Këto përpjekje arritën diçka, duke e zbehur disi zërin e kësaj fryme, por nuk e shuan dot dhe nuk mund ta shuajnë. Ajo nuk shuhet, sepse është bartëse e një mase dërrmuese të asaj që mendon shoqëria.

Edhe revolta ishte brenda kësaj fryme. Revolta erdhi në një moment kur protesta kishte humbur ritmin dhe fuqinë, por jo frymën. Revolta mund ta humbasë ritmin dhe fuqinë, por jo frymën. Mund të mos jesh dakord me protestën, mund të kesh mendime shumë të ndryshme nga ato që përfaqëson ajo, por nuk mund ta mohosh se kjo frymë ekziston.

Partia Demokratike duhet ta kuptojë në radhë të parë protestën dhe më pas të gjejë një përgjigje ndaj saj, në mënyrë që të rezonojë me të, në mënyrë që frekuenca që përfaqëson PD-ja të jetë e njëjtë me atë që përfaqëson protesta.

PD-ja duhet, duke qenë se edhe pretendon prej disa kohësh se është një forcë konservatore, të flasë dhe të jetë kundër establishmentit. PD-ja duhet të thotë, siç thonë partitë që janë kundër establishmentit, se do të thajë kënetën, se do të largojë politikanët që kanë dekada në politikë, se do ta pastrojë politikën nga njerëzit e korruptuar, se do ta çlirojë biznesin nga kontrolli i pak bizneseve që duket se janë partnerë të vazhdueshëm të qeverive dhe se do ta pastrojë median nga njerëzit që prej 30 vitesh kontrollojnë narrativën dhe u shërbejnë qeverive.

PD-ja duhet të deklarojë se vendi ka nevojë për një mënyrë të re të bërjes së politikës dhe për një transformim e reformim të plotë të klasës së re politike. Duhet të thotë se është kundër riciklimit të së njëjtës politikë. Vetëm kështu ajo do të rezonojë me protestën.

Nëse PD-ja mendon ndryshe, atëherë duhet ta thotë dhe duhet ta bindë shoqërinë se e ka gabim. Nëse mendon ndryshe dhe beson se ajo është opozita e duhur, me idetë dhe njerëzit e duhur për të ndryshuar dhe rregulluar Shqipërinë, atëherë PD-ja duhet të thërrasë vetë një protestë të madhe dhe ta zbehë apo dobësojë protestën e rinisë në mënyrë të vetvetishme.

Partitë që janë në protestë, si ajo e Arlind Qorit apo e Agron Shehajt, nuk e përfaqësojnë protestën, por protesta nuk i përzë, sepse nuk i konsideron establishment. Kjo është sfida e PD-së: të mos shihet si establishment, por si një forcë antiestablishment. Atëherë ajo jo vetëm që do të jetë në protestë, por ndoshta do të jetë edhe drejtuese e saj. /Marrë nga Mapo.al/

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.