SHBA – FMN: Ekonomia globale në një tërheqje litari midis IA dhe goditjeve të përsëritura
UASHINGTON, 25 gusht /ATSH-AFP/ – Ekonomia globale është e zënë në një tërheqje litari midis ndikimit pozitiv të investimeve në inteligjencën artificiale (IA) nga njëra anë dhe efekteve negative të goditjeve të përsëritura nga ana tjetër, tha sot drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva.
Gjatë një konference për shtyp në selinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), drejtoresha menaxhuese e institucionit deklaroi se “rreziqet për parashikimet janë më të balancuara sesa në Takimet tona të Pranverës”, të cilat u mbajtën prillin e kaluar.
FMN-ja më pas i kishte rishikuar parashikimet e saj të rritjes ekonomike globale poshtë, nga frika se një goditje më e qëndrueshme e energjisë, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, do të peshonte edhe më shumë deri në fund të vitit.
Rritja globale pritet të arrijë në 3% këtë vit, sipas përditësimit të fundit të parashikimeve të saj ekonomike, të publikuara në fillim të korrikut.
Dhe për momentin, “po dëshmojmë një tërheqje litari të vërtetë midis goditjeve negative të furnizimit nga Lindja e Mesme dhe goditjes pozitive të kërkesës të shkaktuar nga IA”.
Sepse IA është bërë një “motor rritjeje për ekonominë globale”, dhe jo më vetëm për Shtetet e Bashkuara, ndërsa “vende të tjera po përshpejtojnë ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe infrastrukturës tjetër të nevojshme”.
Vendet prodhuese të gjysmëpërçuesve, si Koreja e Jugut dhe Tajvani, por edhe Tajlanda, po përfitojnë veçanërisht nga kjo kërkesë.
Një tjetër pikë pozitive është se, pavarësisht ndikimit të dukshëm në ekonominë globale, i cili ndryshon në ashpërsi nga vendi në vend, goditja energjetike nuk ka qenë aq e rëndë sa parashikohej.
“Kjo është për shkak të një kombinimi faktorësh: mobilizimi i rezervave të gazit dhe naftës, rritja e prodhimit në vendet jo të Gjirit dhe më shumë kapacitet të energjisë së rinovueshme në dispozicion. Dhe ne kemi parë një rënie të ndjeshme të kërkesës, më të madhe se sa kishim parashikuar”, shpjegoi Georgieva.
”Por, afrimi i dimrit në Hemisferën Veriore mund të paraqesë rreziqe të reja energjitike, pasi rezervat po pakësohen ndjeshëm”, paralajmëroi ajo.
Sidomos pasi, në të njëjtën kohë, vendet po përballen me “presione fiskale në rritje, siç dëshmohet nga rritja e rendimenteve të obligacioneve dhe një proces i ngecur i deflacionit”.
“Nuk ka vend për vetëkënaqësi”, këmbënguli Kristalina Georgieva.
“Deri tani nuk kemi ecur shumë keq, por qeveritë duhet të adresojnë problemet e tyre të borxhit dhe t’i kthejnë deficitet e tyre në nivele të qëndrueshme. Dhe bankat qendrore duhet të mbeten të përqendruara në stabilitetin e çmimeve”, theksoi ajo./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.