SHBA, mbi 6.000 të vdekur nga COVID-19
Sipas Universitetit “Johns Hopkins”, në vend janë regjistruar 6.053 të vdekur nga koronavirusi ndërsa numri i të prekurve ka arritur në 245.540 raste. Numri i personave që kanë vdekur në SHBA nga koronavirusi i ri (COVID-19) ka tejkaluar shifrën 6.000, tregojnë të dhënat e sotme nga Universiteti “Johns Hopkins”.
Sipas këtij universiteti, në vend janë regjistruar 6.053 të vdekur nga koronavirusi ndërsa numri i të prekurve ka arritur në 245.540 raste.
Të dielën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump paralajmëroi se dy javët e ardhshme do të jenë “shumë të dhimbshme” për vendin për sa i përket vdekjeve nga koronavirusi dhe u bëri thirrje amerikanëve që të përgatieten për “ditë të vështira në vijim”.
“Këto do të jenë dy javë shumë të dhimbshme”, tha ai në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë.
New Yorku është shteti amerikan më i goditur nga pandemia me më shumë se 2.300 vdekje. Numri i të infektuarve nga koronavirusi ka arritur në 92.000 raste, pasuar nga New Jersey me 26.000 të prekur dhe Kalifornia me 11.100 raste.
SHBA-ja është bërë vendi me numrin më të madh të rasteve të konfirmuara me koronavirus, e ndjekur nga Italia, Spanja dhe Gjermania, pas shfaqjes së virusit për herë të parë në qytetin kinez Wuhan në dhjetor 2019. Që nga ajo kohë është përhapur në rreth 200 vende dhe rajone të botës.
Në mbarë botën numri i të prekurve ka arritur në 1.016.128 raste me 53.145 të vdekur, njofton Universiteti “Johns Hopkins” ndërsa 211.000 persona janë shëruar nga sëmundja.