SHBA, zgjedhjet afatmesme, demokratët optimistë për marrjen e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve
Presidenti amerikan Donald Trump po përgatitet për rezultate të mundshme negative për republikanët në zgjedhjet afatmesme, ndërsa demokratët shprehen optimistë për mundësinë e rimarrjes së kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Sipas CNN, burime pranë presidentit thonë se Trump ka shfaqur herë pas here shpresën se sondazhet mund të jenë të pasakta dhe se republikanët do të arrijnë rezultate më të mira nga sa parashikohet. Megjithatë, në biseda private, ai ka pranuar se partia e tij mund të përballet me një skenar shumë të pafavorshëm.
Nga ana tjetër, drejtuesit demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve shprehen të bindur se mund të sigurojnë një shumicë të re. Demokratëve u nevojitet një fitim neto prej tre mandatesh për të marrë kontrollin e kësaj dhome dhe katër mandatesh për të siguruar shumicën në Senat.
Qendrat e para të votimit pritet të mbyllen në orën 18:00 sipas kohës lokale lindore (00:00 me orën e Shqipërisë).
Ndërkohë, në qarkun Westchester të Nju-Jorkut, një problem teknik me printerët ka penguar skanimin e deri në 250 mijë fletëve të votimit. Autoritetet kanë bërë të ditur se ato do të numërohen pas mbylljes së qendrave të votimit, në orën 21:00 sipas kohës lokale.
Rezultatet pritet të publikohen në mënyrë graduale, ndërsa gara për kontrollin e Kongresit amerikan mbetet në qendër të vëmendjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.