Shëndeti i veshkave, më pak kripë e sheqer, më shumë fruta dhe perime
– Sëmundjet e veshkave, ushqyerja luan rol kyç në ngadalësimin e përparimit të tyre, ja cilat janë rekomandimet, shkruan salute eu.
Një dietë e shëndetshme, me pak kripë, pa yndyrna dhe sheqerna të tepërta, e pasur me bishtajore, fruta dhe perime, mund të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjes kronike të veshkave.
Rreth 10% e të rriturve në nivel global vuajnë nga kjo patologji, e cila, sipas parashikimeve, pritet të bëhet shkaku i pestë kryesor i vdekjeve në botë deri në vitin 2040.
Rëndësia e ushqyerjes dhe e stilit të jetesës u diskutua gjatë Kongresit të Shoqatës Italiane të Nefrologjisë, në Sorrento, në një takim me temë “Perspektiva të reja në sëmundjen kronike të veshkave: menaxhimi ushqimor përmes ushqimeve specifike”, organizuar me kontributin e Flavis.
Sëmundja kronike e veshkave karakterizohet nga rënia progresive e funksionit të tyre, duke kufizuar aftësinë për të filtruar dhe pastruar gjakun.
Në shumë raste, pacientët diagnostikohen në faza të avancuara, kur funksioni renal është dëmtuar ndjeshëm dhe rritet rreziku për të pasur nevojë për dializë ose transplant.
Sipas profesoreshës Laetitia Koppe, drejtuese e Departamentit të Nefrologjisë në “Hospices Civils” të Lionit, Francë, menaxhimi ushqimor duhet të mbështetet në prova shkencore dhe të përshtatet me gjendjen klinike dhe nevojat individuale të çdo pacienti.
Një studim i publikuar në revistën “Clinical Journal of the American Society of Nephrology” tregon se pacientët me sëmundje kronike të veshkave që ndjekin një regjim të përshtatshëm ushqimor mund të përmirësojnë parametrat shëndetësorë brenda tre muajve.
Në këtë studim, pacientët ndoqën dietën DASH, e cila favorizon konsumin e frutave, perimeve dhe proteinave me origjinë bimore. Përmirësimet u vunë re që në javët e para.
Një tjetër eksperiment dhjetëvjeçar i zhvilluar në Teksas tregoi rezultate pozitive, pasi pacientëve iu dërguan në banesë kuti me fruta dhe perime, duke nxitur përmirësimin e zakoneve ushqimore.
Megjithatë, një nga sfidat kryesore mbetet ruajtja e këtyre rezultateve pasi pacientët nuk marrin më të njëjtin mbështetje ushqimore.
Për këtë arsye, Koppe thekson rëndësinë e edukimit ushqimor, në mënyrë që pacientët të kuptojnë se zgjedhjet e përditshme në tryezë janë pjesë thelbësore e kujdesit ndaj shëndetit të veshkave dhe se trajtimi nuk duhet të mbështetet vetëm te medikamentet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.