Shërbimi Meteorologjik i Britanisë: Fenomeni El Nino mund të jetë më i fuqishmi në histori, ja si do të ndikojë globalisht
Fenomeni klimatik El Nino, i cili po zhvillohet aktualisht në Oqeanin Paqësor, mund të jetë më i fuqishmi i regjistruar në historinë e matjeve moderne, paralajmëron Met Office, shërbimi kombëtar meteorologjik i Mbretërisë së Bashkuar.
Ky fenomen i fuqishëm klimatik rrit temperaturat globale dhe mund të shtojë rrezikun për dukuri ekstreme të motit.
Duke iu shtuar ndikimit të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, El Nino pritet të bëjë që 2027-ta të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, sipas Met Office.
El Nino mund të rrisë gjithashtu rrezikun që Mbretëria e Bashkuar të përballet me një vjeshtë më të lagësht dhe me më shumë stuhi.
“Duhet ta themi qartë se ky është një fenomen i paprecedentë. Unë nuk kam parë kurrë një sinjal të El Nimo-s kaq intensiv në parashikimet tona”, tha Prof. Adam Scaife, drejtuesi i parashikimeve afatgjata në Met Office.
El Nino është një fenomen natyror klimatik që shfaqet afërsisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe zakonisht zgjat rreth një vit. Erërat, të cilat normalisht fryjnë nga lindja drejt perëndimit përgjatë Oqeanit Paqësor, mund të dobësohen ose madje të ndryshojnë drejtim. Kjo lejon që ujërat e ngrohta të lëvizin drejt lindjes. Nxehtësia e akumuluar në oqean çlirohet në atmosferë, duke rritur temperaturat globale dhe duke ndryshuar modelet e reshjeve në shumë pjesë të botës.
Shkencëtarët e shpallin një fenomen si El Nino kur temperatura e sipërfaqes së detit në një zonë të caktuar të Paqësorit është të paktën 0,5°C mbi mesataren.
Matjet aktuale tregojnë se temperaturat në këtë zonë janë më shumë se 2°C mbi normalen.
Parashikimet më të fundit të Met Office tregojnë se këto devijime nga temperatura normale mund të kalojnë 3°C më vonë gjatë këtij viti, ndërsa El Nino i afrohet kulmit të tij.
“Kanë mbetur edhe shumë muaj gjatë të cilëve ky fenomen do të vazhdojë të zhvillohet dhe kjo është një nga arsyet pse kemi rritur besimin se bëhet fjalë për një ngjarje që mund të thyejë rekorde”, tha Dr. Zeke Hausfather, shkencëtar i klimës në Berkeley Earth, një organizatë kërkimore amerikane.
Sipas shkencëtarit të klimës në Met Office, Dr. Nick Dunstone, kjo mund të shkaktojë një rritje të temperaturës mesatare globale, veçanërisht në vitin kalendarik pas dimrit kur El Nino arrin kulmin.
“Prandaj, 2027-ta ka shumë gjasa të zëvendësojë vitin 2024 si viti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë”, tha ai.
Në fillim të këtij muaji, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë paralajmëroi se El Nino mund të kërcënojë dhjetëra miliona njerëz në vendet më të rrezikuara, duke rritur rrezikun e pasigurisë ushqimore akute në nivele krize.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.