Sherr pranë stadiumit “Dinamo”, vritet me thikë 22-vjeçari. Kapet autori dhe 3 bashkëpunëtorë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak para mesnate në kryeqytet ku një i ri është vrarë me thikë.
Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 pranë stadiumit “Dinamo”, ku i riu me iniciale M.M. është qëlluar disa herë me thikë pas një sherri, motivet e të cilit nuk dihen ende.
Më pas ai është dërguar në Spitalin e Traumës por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë.
ARRESTIMET
Policia ka arrestuar autorin e vrasjes së 22-vjeçarit. Mësohet se fillimisht i riu është përfshirë në një konflikt me një 19-vjeçar. Më pas ka ndërhyrë kushëriri i tij dhe shokët. Ka qenë pikërisht 24-vjeçari Eugen Bitraj sipas policisë që ka qëlluar me thikë 22-vjeçarin.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 31.07.2017, rreth orës 23.30 në rrugën ” Gjin Bue Shpata”, shtetasi M.M., 22 vjeç është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D.B., 19 vjeç.
Në ndihmë të shtetasit D.B, ka ardhur kushëriri i tij shtetasi E. B., së bashku me shtetasit K. A., dhe M.A. Gjatë konfliktit shtetasi E. B., ka nxjerrë thikën dhe ka goditur shtetasin M. M., i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në spital.
Si rezultat i reagimit të shpejtë e profesional të shërbimeve të policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është bërë e mundur zbardhja në kohë reale e ngjarjes, kapja dhe shoqërimi i gjithë personave të përfshirë në konflikt.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi si autor i ngjarjes i shtetasit:
– Eugen Bitraj, 24 vjeç, banues në Tiranë.
Si dhe janë arrestuar si bashkëpunëtore në krim shtetasit :
– Dejvi Bitraj,19 vjeç, banues në Tiranë.
– Kridens Alla,19 vjeç, banues Tiranë .
– Marsel Alla, 23 vjeç, banues Tiranë.
Materialet u referuan në Prokurori, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprën penale të “Vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim”.