Shkolla e Magjistraturës, Sadushi: Pavarësia e gjyqtarit nuk është privilegj, por garanci e qytetarit
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka vënë theksin te përgjegjësia, pavarësia dhe integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm.
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë hapëse të vitit të ri akademik 2026-2027 të Shkollës së Magjistraturës, Sadushi u drejtua studentëve të rinj duke theksuar se ata do të mbajnë në të ardhmen përgjegjësi të rëndësishme në sistemin e drejtësisë.
Duke iu drejtuar magjistratëve të ardhshëm, kreu i Gjykatës së Lartë u ndal veçanërisht te koncepti i pavarësisë së gjyqtarit.
Sipas Sadushit, detyra e gjyqtarit kërkon që vendimmarrja të mbështetet te drejtësia dhe jo te presionet apo konsideratat që mund ta bëjnë një vendim më të lehtë për t’u marrë.
“Shkolla e magjistraturës formon profesionistë të cilëve nesër do t’i besohen përgjegjësi të rëndësishme. Sa më e rëndësishme të jetë kompetenca që ligji i njeh një funksionari publik, aq më e madhe është përgjegjësia me të cilën ajo ushtrohet. Për ju që do të bëheni gjyqtar, pavarësi nuk është privilegj, por garancia e qytetarët. Ajo dëshmohet kur vendimi më i drejtë nuk është vendimi më i lehtë, më popullor apo më i përshtatshëm.
Për ju që do të bëheni prokurorë, fuqia e akuzës nuk qëndron te ashpërsia e saj, por te drejtësia e saj. Po aq e rëndësishme është vetëdija për peshën e pushtetit publik. Ushtrimi i tij nuk duhet të kthehet në rutinë sepse vendimet që merren prekin të drejta, interesa dhe vetë jetën e njerëzve. Shqipëria ka investuar shumë për reformimin e sistemit të drejtësisë, pro asnjë reformë nuk mund të jetë më e mirë sesa njerëzit që e ushtrojnë atë”, tha Sadushi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.