Reforma territoriale, Balla: PS do ta votojë, deputetët duhet të jenë të gjithë të pranishëm
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se grupi parlamentar ka vendosur të mbështesë me votë projektligjin për reformën territoriale, pasi të përfundojë shqyrtimi i tij në Komisionin për Ligjet. Në një deklaratë për mediat, Balla tha se gjatë mbledhjes së grupit parlamentar janë dhënë sqarime për shqetësimet e ngritura nga deputetët lidhur me projektligjin. Sipas Ballës, sqarimet janë dhënë nga kolegu Arbjan Mazniku, i cili ka drejtuar Komisionin e Posaçëm për reformën administrativo-territoriale.
“Në mbledhjen e grupit parlamentar, nga kolegu Mazniku, që ka drejtuar Komisionin e Posaçëm, janë dhënë përgjigje mbi disa sqarime të ngritura nga kolegë të grupit mbi projektligjin për reformën administrativo-territoriale”, deklaroi Balla.
Ai bëri të ditur se vendimi i grupit parlamentar socialist është që, pas përfundimit të shqyrtimit në Komisionin për Ligjet, projektligji të kalojë për votim në seancë plenare.
“Vendimi i grupit është që, sapo të përmbyllet në Komisionin e Ligjeve, ky projektligj të kalojë për votim në seancë plenare”, tha kreu i grupit parlamentar të PS-së.
Balla theksoi gjithashtu se vota pro e socialistëve është pjesë e vendimmarrjeve politike për të cilat kërkohet prania e të gjithë deputetëve të grupit parlamentar.
“Vota pro e grupit parlamentar të PS-së hyn në ato vendimmarrje politike për të cilat kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezentë dhe të votojnë”, u shpreh ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.