Shkrimtarët: Dita Botërore e Librit si thirrje për më shumë vëmendje institucionale ndaj letërsisë shqipe
Nga Julia Vrapi
Mbështetja e pamjaftueshme institucionale dhe mungesa e vëmendjes sa duhet ndaj letërsisë shqipe janë shqetësime të theksuara nga autorët shqiptarë. Ata shohin në Ditën Botërore të Librit një mundësi për të ngritur zërin për këto probleme dhe për të kërkuar më shumë vëmendje nga institucionet. Shkrimtarët kanë kritika në drejtim të institucioneve shtetërore arsimore dhe kulturore, që nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme për zhvillimin e letërsisë shqipe.
Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë Xhahid Bushati u shpreh, se edhe pse Dita Botërore e Librit është një moment i rëndësishëm, ajo shpesh kalon pa shumë vëmendje, duke pasur nevojë për një angazhim më të fortë nga institucionet. Ai thekson se institucioneve kulturore dhe arsimore u takon të reflektojnë dhe të ofrojnë mbështetje të mjaftueshme për letërsinë dhe autorët.
“Përgjithësisht, është një ditë e zakonshme me aktivitete sporadike, jo ndonjë entuziazëm i madh, ndonëse kjo ditë është e shenjtë dhe shumë e rëndësishme, sepse flet jo vetëm për shkrimtarin, por edhe për lexuesin. Aq më shumë sot, kur libri përballet me sfida të karakterit në përballje me teknologjinë sot. Për këtë arsye, edhe në këtë ditë do të thoja që institucionet duhet të reflektojnë, sepse janë në borxh ndaj shkrimtarëve shqiptarë, në borxh ndaj librit shqip dhe veçanërisht aty ku unë do të dëshiroja edhe të shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë.
Duhet të reflektojnë institucionet kulturore dhe arsimore, si Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, por edhe degët e kulturës nëpër bashki që duhet të bëjnë më shumë”, u shpreh Xhahid Bushati. Sipas tij, Dita Botërore e Librit është një moment reflektimi për rolin e pazëvendësueshëm të librit në kulturën dhe dijen njerëzore. “23 prilli shënon një nga datat më domethënëse për kulturën dhe dijen njerëzore, Ditën Botërore të Librit dhe të të Drejtës së Autorit. Kjo ditë nuk është thjesht një përkujtim simbolik, por një thirrje për të reflektuar mbi rolin e pazëvendësueshëm, që libri ka pasur dhe vazhdon të ketë në jetën e njeriut”, u shpreh Xhahid Bushati një ditë më parë në Ditën Botërore të Librit.
Letërsia shqipe ka vlerë të madhe dhe duhet parë në tërësinë e saj
Në Ditën Botërore të Librit, studiuesi i letërsisë Behar Gjoka theksoi se letërsia shqipe ka vlerë të madhe dhe duhet parë në tërësinë e saj, duke përfshirë autorët e shquar si Buzuku, Budi, Kadare dhe shumë të tjerë, dhe jo thjesht duke u kufizuar në disa emra të njohur. “Në një takim për 23 prillin, Ditën e Librit, në Mat, ku filluam bisedën për 460-vjetorin e Pjetër Budit, njëkohësisht ishte edhe 60-vjetori i bibliotekës private të Matit në Burrel. Natyrisht, unë mendoj që letërsia shqipe ka vlerën e vet dhe duhet marrë në analizë, por jo duke e mbyllur në 2-3 emra, por duke parë gjithë hapësirën e ligjërimit të gjuhës shqipe, nga Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, për të ardhur te Rexhep Qosja që ndërroi jetë, te Kadareja që tashmë kujtohet si tekst, e tek të gjithë të tjerët.
Dhe më tepër sesa çështje institucionesh që ata kujtohen vetëm për t’i përmendur, kjo është çështje e vetëdijes sonë kombëtare, e vetëdijes sonë gjuhësore dhe e vetëdijes sonë letrare. Në këtë kuptim, unë do të thoja që kjo Ditë e Librit duhet parë si ditë reflektimi, ditë përkujtese dhe ditë vlerësimi të të gjitha gjurmëve të letërsisë shqipe, të cilat herë pas here lihen në hije”, u shpreh Gjoka. Në vijim të reagimit të tij, studiuesi Behar Gjoka shprehet se institucionet në vend duhet t’u japin vëmendje të merituar autorëve dhe librave shqip.
“Institucionet nuk duhet të lënë në hije autorët dhe librin shqip. Në këtë ditë duhet jo vetëm kujtuar, por edhe reflektuar mbi atë çfarë kemi lënë mangët ndaj këtyre shkrimtarëve dhe autorëve”, shprehet studiuesi Gjoka. Edhe më parë në reagime të tyre, shkrimtarë të ndryshëm kanë shprehur kritika ndaj institucioneve, duke kërkuar të tregojnë më shumë vëmendje për librin dhe letërsinë shqipe.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.