KGJK: Arlinda Zekaj kishte urdhër mbrojtjeje, aktakuza ndaj bashkëshortit mbërriti pas vrasjes
Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se Arlinda Zekaj-Sylaj kishte urdhër mbrojtjeje gjatë gjithë kohës.
Sipas KGJK-së, inspektimi në Gjykatën Themelore në Pejë ka konstatuar se aktvendimet për mbrojtjen e saj i ishin përcjellë Policisë së Kosovës për ekzekutim. Ndërkaq, aktakuza ndaj bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj, ishte pranuar në gjykatë më 26 tetor, në orën 08:56, pas vrasjes së saj.
Inspektimi ishte kërkuar urgjentisht nga kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, më 26 tetor. Raporti përfundimtar i Njësisë për Inspektim Gjyqësor është dorëzuar në Këshill më 28 tetor.
Nga shqyrtimi i dosjes, sipas njoftimit, rezulton se Gjykata Themelore në Pejë kishte pranuar kërkesën për urdhër mbrojtës emergjent më 7 shtator 2026 dhe kishte vendosur për të po atë ditë.
Arlinda Zekaj-Sylaj dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave kishin paraqitur kundërshtim vetëm ndaj pjesës së aktvendimit që lidhej me besimin e fëmijës dhe alimentacionin. Gjykata kishte aprovuar kërkesën me aktvendimin e 16 tetorit, ndaj të cilit, sipas KGJK-së, palët nuk kishin paraqitur ankesë.
“Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se, pala mbrojtëse Arlinda Zekaj-Sylaj, gjatë gjithë kohës ka pasur të caktuar Urdhrin për mbrojtje”, thuhet në njoftim.
Këshilli sqaron se palë në këtë çështje kishin qenë vetëm Arlinda Zekaj-Sylaj dhe bashkëshorti i saj, Jeton Sylejman Sylaj. Sipas institucionit, Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen, nuk ishte përfshirë në asnjë shkresë të kësaj lënde.
KGJK-ja ka dhënë hollësi edhe për kërkesën që e ndjera ia kishte drejtuar kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë më 17 shtator. Në të, ajo kishte pretenduar se gjyqtari i çështjes kishte vendosur kundërligjshëm dhe jashtë afateve ligjore.
Sipas njoftimit, kryetari i gjykatës kishte kërkuar sqarime nga gjyqtari po atë ditë dhe kishte marrë përgjigje. Ndërsa Arlinda Zekaj-Sylajt i ishte kthyer përgjigje me shkrim më 20 tetor, duke i sqaruar veprimet e ndërmarra.
Këshilli ka mohuar raportimet se kryesuesi Thaqi kishte pranuar kërkesë nga e ndjera. Sipas KGJK-së, kontrolli i regjistrave fizikë dhe postës zyrtare elektronike ka treguar se deri më 28 tetor nuk ishte pranuar ndonjë kërkesë e saj në këtë institucion.
Në fund, KGJK-ja ka deklaruar se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, përfshirë masa eventuale ndaj personave për të cilët konstatohet se kanë vepruar ose nuk kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Arlinda Zekaj 49 vjeçare u vra të dielën. I dyshuar për vrasje është kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është arrestuar nga policia mbrëmë vonë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.